Skip to content

Perkujtoj kompozitorin Esat Rizvanolli

by më 03/07/2007

Kolegun dhe mikun tonë Esat Rizvanollin e ndiejmë se nuk është më në mesin tonë, por ai është i pranishëm me muzikën që ka lënë. Ajo do të jetë lavdia e përjetshme për te. Ndaj, e falënderojmë për kontributin e madh që ka dhënë dhe ka lënë ky krijues i shquar i muzikës shqiptare. Akil KOCI

Shpesh më ka ndodhur që kur dua të shkruaj për ndonjë krijues, ngjarje apo diç në lidhje me profesionin tim prej muziktari, nuk di nga t’ia filloj, sidomos për kolegët tanë të vokacionit, që fizikisht nuk janë më në mesin tonë. Gjatë gjithë diskutimeve që i kemi pasur në Shoqatën e Kompozitorëve, pastaj në Radio Prishtinë, kurrë nuk kam menduar se do të vijë dita kur disa kolegë nuk do të jenë në mesin tonë, por ja ajo ditë jo vetëm që erdhi, por kaluan edhe vite të tëra që kur në mesin tonë nuk gjenden Lorenc Antoni, Rexho Mulliqi, Mark Kaçinari, Musa Piperku, Esat Rizvanolli e të tjerë.

Shumicën prej kolegëve të mi në një mënyrë apo tjetër i kam kujtuar ndonjëherë, por për mikun, kolegun dhe bashkëpunëtorin e ngushtë në Radio Prishtinë, Esat Rizvanollin, nuk kam thënë asgjë kohëve të fundit, pos atëherë kur ai diplomoi, kur bëra një vështrim për krijimtarinë e tij. Një përkujdesje më të madhe ai e ka merituar jo vetëm si koleg, por edhe si krijues, sepse ishte njëri prej kompozitorëve më të spikatur të muzikës shqiptare në tërësi. Pse e themi këtë, sepse veprat e tij në mënyrë direkte apo indirekte shprehin në mënyrë të qartë, nëpërmes materializimit të këngës–folklorit shqiptar, një shpirt të pastër e të denjë, i cili gjakon shqip nga tradita, larmia e melodisë dhe ritmit, e sidomos nga eposi shqiptar, që lirisht mund të themi se ishte dhe do të jetë njëri nga elementet parësorë të formimit të tij kombëtar. Folklori në veprat e Esatit nuk paraqitet në mënyrë “naive”, por ai me mjeshtri shtjellon atë si komponent qendror për krijimin e veprave të reja muzikore, të cilat paraqesin norma, rregulla, koncepte jo vetëm artistike, por edhe morale jo vetëm në mesin e krijuesve të etabluar, por edhe të atyre që po vijnë. Ai ka qenë krijues i cili me sens të veçantë dhe me kujdes deri në përpikëri ka ditur mjeshtërisht të zgjedhë, të klasifikojë dhe ta perceptojë materialin, të cilin më vonë e përdor në krijimin e strukturave të reja në veprat muzikore, gjithmonë duke pasur parasysh edhe mundësi ekzekutuese të instrumentistëve, por edhe duke kërkuar pulsin muzikor, me të cilin kërkon detajet specifike dhe tërësinë logjike të veprës. Poetika e tij muzikore, krahas lirizmit, ka qenë gjithmonë në shërbim të kërkimit të kombinimeve tingëllore, që e hasim te “Suita dasmore”, te “Valle dasmash”, e valle të tjera. Kur dëgjojmë për këto krijime nga kjo distancë kohore na bëhet e qartë shprehja e tij muzikore, jo vetëm nëpërmes individualitetit të tij artistik, por edhe nëpërmes të shtruarit të materialit që do ta përdorte. Kur themi këtë kemi parasysh momentin e gjykimit se për një vepër artistike në të dëgjuarit me kujdes na paraqitet procesi i domosdoshëm i rinjohjes me vlerat e qenësishme që ka ajo vepër, me ndërduarshmëri të vlerave të njëmendta dhe komplekse, si shpërthimi dhe deshifrimi i ndjenjave të botës së brendshme vetanake të autorit, që e ka kompozuar me profesionalizëm dhe pasion.

Në këto dromca folklorike nuk paraqitet natyra shqiptare nëpërmes tingëllimës së saj me veçori të spikatura, kozmosi tingëllor përballë instinktit imagjinar krijues, që shpesh kalon edhe në magji muzikore, por gjithnjë bazuar në ndjenja që burojnë nga thellësia imagjinative e folklorit, edhe pse e heshtur, por me plotë entuziazëm dhe ngazëllim, duke qëndruar fort në hapësirën kohore ekzistues vetëm e vetëm që arti i tij muzikor të jetë sa më i efektshëm. Esati gjithmonë e ka përjetuar muzikën si mrekulli, si art dimensionesh të mëdha, plot suptilitet dhe më afër njeriut në krahasim me të gjitha artet e tjera ekzistuese. Sytë dhe veshët ndonjëherë mund të jenë dëshmitarë të këqij, nëse mendja nuk është e arsimuar, prandaj muzika e tij nuk është e një kompozitori intuitiv ose si kishin me thënë muzikologët tanë një shprehje tejet e deplasuar në praktikën muzikologjike- autodidakte, por e një krijuesi homohabilis ose homo ludensa, që paraqet njeriun me vlera të shumta. Nuk duhet lënë jashtë vëmendjes edhe përdorimin e efekteve tingëllore, që e bëjnë koordinimin e mendimeve muzikore dhe ndikojnë qartazi në rrjedhën e tyre të natyrshme. Edhe pse ka jetuar në një kohë të detronizuar kulturologjike, kur nuk e ka humbur besimin në vërtetësinë e artit si proces i domosdoshëm dhe gjithmonë e ka konsideruar veten asgjë tjetër pos kompozitor. Ai nuk e ka konsideruar muzikën si tingull, por diçka hyjnore, prandaj edhe kur dëgjojmë veprat e tij mund të hasim në krijime mjaft delikate e intime, sepse substanca e tyre nuk është hermetike, por e gjerë, është krijuar me dashuri dhe pasion, duke futur në artin e tij kompozimin si objekt, edhe pse ato nuk përkojnë me kërkesat e kohës sonë, por qëndrojnë fort, të pacenueshme. Pra, ai kërkon që në krijimet e veta të jetë sa më origjinal, kështu edhe ndihet prania e krijimeve të tij jo vetëm si materie muzikore, por edhe artistike, humane e psikologjike. Natyrisht se në veprat e tij nuk hasim asnjë element të muzikës avangarde, ngase ajo vjen si procedim edukativ shkollor dhe si pasojë e mësimeve te profesorët e tij, të cilët kanë qenë kompozitorë dhe teorikë të shkëlqyeshëm, si Zhivkoviç e Josif, të cilët i kam njohur personalisht, por që nuk kanë pasur qëndrim të mire ndaj rrjedhave të kohës. Këtë fakt na dëshmon mosprania e trendëve në veprat e këtyre dy kompozitorëve ku nuk haset as minimumi i trajtimit të stilit të shekullit XX, por gjithmonë i kanë mësuar studentët që të jenë të lidhur me krijimtarinë e tyre, përkatësisht me të ashtuquajturën traditë muzikore. Edhe gjatë studime postdiplomike në Konservatorin e Moskës (1983-85), profesori Samyoniviç Lehman, si duket nuk i është qasur rrymës avangarde të viteve të gjysmës së dytë të shekulli XX.

Sot, kur shohim opusin e tij krijues nga kjo distancë kohore, sidomos kur kemi parasysh veprat e tij kruciale, siç janë dy koncertet për violinë dhe orkestër “Poema simfonike” dhe “Simfonia në dy blloqe”, shohim se kemi të bëjmë me një krijues, i cili ka lënë vepra dinjitoze. Ai ka ndjerë kënaqësi në të kompozuar. Është munduar t’i zgjidhë problemet krijuese teknike latente, ky nuk është fenomen vetëm te Rizvanolli, por edhe te shumë krijues të mirëfilltë, të cilët kanë shënuar epokën krijuese te një populli.
Në këtë drejtim në krahasim me popuj të tjerë në Ballkan dhe Evropë, jemi minorë, por prapëseprapë mund të krenohemi që kemi pasur edhe krijues si Esat Rizvanolli. Pra, duke përkujtuar kolegun dhe mikun Esat Rizvanolli, ndiejmë se nuk është në mesin tonë si gjithmonë, por është i pranishëm me muzikën që ka lënë, e ajo do të jetë lavdia e përjetshme. Ndaj, me tërë qenien e falënderojmë për kontributin e madh që ka dhënë dhe ka lënë ky krijues i shquar i muzikës shqiptare, të cilën e begatoi me vepra dinjitoze.

Publikoi ne qershor 2007 ne te perditshmen e Prishtines http://www.iliriapost.com kompozitori kosovar Profesor Akil Koci

Postoi Paul Tedeschini

About these ads

From → Uncategorized

One Comment
  1. Era permalink

    histori e mrekullueshme!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Log Out / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Log Out / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Log Out / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Log Out / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Këtë e pëlqejnë %d bloguesa: