Hidhu te lënda

ËNDRRA PËR SHQIPËRINË ETNIKE

by më 27/11/2007

Nga Shefki OLLOMANI
Fragment nga Libri:

Shefki Ollomani – SHQIPËRIA ETNIKE (Ëndërr apo Realitet?!)***,

(Botoi Shtëpia Botuese “SHKUPI” – Shkup, Tetor 2007

***- Ky është Libri i katërt i Autorit që ia boton Shtëpia Botuese “SHKUPI” nga Shkupi.)

ËNDËRR,-A,-T

Libri i Shefki Ollomani ?Shqipëria etnike? Posa e përmend këtë emër shumicës së njerëzve dhe sidomos Shqiptarëve, mendja menjëherë u shkon për keq, për tallje dhe buzqeshin me ironi. “Qeshin e zgërdhihen” me përbuzje sepse aq dinë. Sepse shumica e njerëzve dhe e Shqiptarëve e dijnë se ëndrra është vetëm ajo që shohim në gjumë: një varg vegimesh, përfytyrimesh, sendesh, figurash dhe ngjarjesh të gëzueshme apo të trishtueshme.

Shumë të tjerë mendojnë se ëndrra është një fantazi, imagjinatë foshnjore apo iluzion i njerëzve që nuk kanë lidhje me realitetin objektiv që i rrethon dhe me të vërtetën shkencore. Ndaj ëndrrat i quajnë dëshira të kota e të pabazuara, me të cilat merren njerëzit që nuk kanë aftësi të gjykimit realist, të faktuar e shkencor. Zakonisht për njerëzit ëndërrimtarë thuhet se “shohin ëndrra në diell”, “ëndërrojnë zgjuar”, “ëndërrojnë me sy çelur”, “ëndërrojnë në mes të ditës”,… etj.

Ëndrrat janë të shumëllojshme: ëndrra aktive e pasive, ëndrra pozitive e negative, ëndrra reale e ireale, ëndrra gjumi e zgjimi, ëndrra të realizueshme e të parealizueshme, ëndrra të mira e të këqija, ëndrra individuale e kolektive, ëndrra fantastike e shkencore, ëndrra politike e ekonomike, ëndrra egoiste e bujare, ëndrra tokësore e qiellore, ëndrra kombëtare e tradhëtare,…, si dhe ekziston ëndrra mbi ëndrra – ëndrra për lirinë, pavarësinë, bashkimin kombëtar shqiptar – Ëndrra për Shqipërinë Etnike.

*****

Shumë pak njerëz dhe pak shqiptarë e dinë se ëndrra nuk është vetëm ëndërr, nuk është vetëm përjetim (i mirë apo i keq) gjatë gjumit, por ëndrra për Shqipërinë Etnike, mbi të gjitha, është atdhetarizëm, kombëtarizëm, integritet, sovranitet, aspiratë, ideal, dëshirë, synim, objektiv, qëllim, opcion, vizion, vetëvendosje, largpamësi…

Ëndrra për Shqipërinë Etnike është frymëzim, parashikim, dituri, mençuri, zgjuarsi, qëndrim, vendim, vendosmëri, durim, këmbëngulje, qëndresë, besë, besim, besnikëri, betim, kushtrim, gatishmëri, trimëri, burrëri, guxim, mosdorëzim…

Ëndrra për Shqipërinë Etnike është devotshmëri, bekim, përkushtim, premtim, përgjërim, adhurim, nder, krenari, moral, dinjitet, vetëdije, ndërgjegje, përgjegjësi, atdhedashuri, përsosmëri, shpresë, optimizëm…

Ëndrra për Shqipërinë Etnike është përpjekje, shtegtim, marshim, sulm, dyluftim, përleshje, përballim, përgjakje, sakrificë, flijim, mbijetesë…

Ëndrra për Shqipërinë Etnike është rezultat, realizim, fitore, kurorëzim, triumf, liri, përparim, drejtësi, njerëzi, demokraci, zhvillim, jetë, vazhdimësi, ardhmëri, pafundësi, përjetësi…

Ëndrra për Shqipërinë Etnike është plan për organizim, projekt për pajtim, program për veprim, për bashkim, për unitet, për punë, për aksion, për luftë…, deri në çlirim dhe ribashkim kombëtar të Shqipërisë Etnike.

ËNDRRA-ËNDËRRIMI

Te çdo shqiptar atdhetar, në zemrat dhe mendjet e Shqiptarëve, Shqipëria Etnike lind e fillon si frymëzim, si dëshirë e dashuri, si vizion e synim, si aspiratë e ideal – pra, si ëndërr: Ëndrra për Shqipërinë Etnike, e cila pastaj imponon vendimin, përkushtimin, marshimin, sakrificën dhe realizimin.

Emëruesi i përbashkët i suksesit, thelbi i tij, është aftësia për të ëndërruar, aftësia për të imagjinuar dhe planifikuar në mendje e në zemër projektin e zgjidhjes së çështjes sonë kombëtare, duke qenë në gjendje që të krijojmë një vizion për të ardhmen e trojeve tona, të kombit tonë dhe të ribashkimit të Shqipërisë Etnike. Ta bëjmë së pari atë realitet në ëndrrat dhe në zemrat tona, pastaj ajo do të bëhet realitet edhe në dritë të diellit, në realitetin jetësor, natyror, politik, juridik e shtetëror. Nëse nuk ekziston ëndrra nuk ekziston as realiteti. Ëndrra është më e fuqishme se realiteti, sepse ajo është vetë realiteti më i lartë, ajo është shpirti i realitetit, thelbi i tij. Ëndrrat i japin jetës dhe punës sonë kuptim e gjallëri. Prandaj Ne, Shqiptarët, duhet të kemi një ëndërr – Ëndrrën për Shqipërinë Etnike.

Kur analizojmë e studjojmë ngjarjet më të mëdha dhe kthesat më të shquara historike të popujve gjatë gjithë historisë së njerëzimit, do të shohim se çdo realizim i madh, çdo fitore e drejtësisë mbi padrejtësinë, e së vërtetës mbi gënjeshtrën, çdo fitore e lirisë mbi robërinë,… është arritur për shkak se njerëzit dhe udhëheqësit e popujve kanë ëndërruar të pamundurën, të pabesueshmen për shumicën e njerëzve të zakonshëm dhe kanë vepruar në kundërshtim të plotë me rregullat e kohës dhe me ligjet në fuqi të pushtetarëve, të pushtuesve e të sundimtarëve.

Ëndërrimi, besimi dhe vendimi janë tre motorët që e shtyejnë një person që të veprojë. Së pari ne duhet të fillojmë të ëndërrojmë çlirimin dhe ribashkimin e Shqipërisë Etnike, të përfytyrojmë një ide, një koncept. E dyta, që të fillojmë të besojmë me zemër e me mendje në mundësinë reale të realizimit të saj. Dhe në fund, që të vendosim dhe ta ndjekim deri në fund këtë ëndërr, këtë besim dhe këtë vendim, deri në përmbushjen e ëndrrës shekullore të kombit tonë, deri në bërjen e Shqipërisë Etnike.

Shefki OllomaniNëse mund të ëndërrojmë edhe mund të realizojmë. Të gjitha gjërat janë të mundshme nëse besojmë sinqerisht dhe me tërë qenien tonë. Ëndërra është fara e suksesit. Kurse çelësi i fitores është vendosmëria jonë për ta çuar deri në fund ëndrrën tonë të madhe – Ribashkimin e Shqipërisë.

Çdo orë e çast, çdo ditë e natë, çdo muaj e vit është një rast i ri për t’i bërë realitet ëndërrat tona personale dhe ëndrrën mbi ëndrra, ëndrrën tonë kombëtare – Shqipërinë e Bashkuar. Por, që ta bëjmë këtë, Ne, Shqiptarët, duhet që vërtetë ta kemi këtë ëndërr në shpirtin dhe zemrën tonë dhe pastaj duhet të kemi një qëllim, sepse vetëm ëndrra dhe vendimi nuk mjaftojnë. Pra, duhet të kemi një cak, një synim dhe një orar pune e veprimi të përcaktuar saktë në hapësirë dhe në kohë.

Nuk është mëkatë nëse nuk plotësohen ëndrrat tona, nëse nuk fitojmë sot apo nesër lirinë dhe pavarësinë tonë kombëtare, por është mjerim e katastrofë të mos kesh ëndrra fare, të mos kesh fare ideal kombëtar dhe të jetosh e të vdesësh si një qenie e zbrazët emocionalisht e shpirtërisht, pa pasur pasurinë më të lartë njerëzore – ëndrrën dhe ëndërrimin, shpresën dhe besimin.

Pasi të gjithë Ne ta kemi bërë tonën këtë ëndërr fisnike, me përmbajtje pellazgjiko-ilirike, vetëm atëherë do ta shohim dhe do të bindemi se sa e fuqishme dhe çudibërëse është kjo ëndërr, kjo aspiratë, ky ideal. Sepse ëndrra është fara e suksesit. Është embrioni i jetës së lirë e dinjitoze të një populli dhe vendi.

Ne duhet të ëndërrojmë vetëm ëndrra të mëdha. Të ëndërrojmë të pamundshmen, për të realizuar të pabesueshmen. Në rastin tonë konkret, edhe ëndrra edhe realizimi është Shqipëria Etnike. Të dyja duken të pamundshme dhe të parealizueshme në sipërfaqe, por që të dyja në brendësi janë të mundshme dhe të realizueshme. Shqipëria Etnike është edhe Ëndërr edhe Realitet.

IMAGJINATA-FANTAZIA

Imagjinata është fantazi, kurse fantazia është aftësia e mendjes dhe vetëdijes sonë për të përfytyruar ngjarje të mëdha që mund të ndodhin në të ardhmen, duke u mbështetur në realitetin e sotëm. Fantazia është kreacion, është zotësi krijuese, shpikëse e zbuluese dhe fryt i përvojës sonë jetësore, shkencore, luftarake e historike.

Për të realizuar ëndrrën e Shqipërisë Etnike, Ne, Shqiptarët, duhet të vëmë në përdorim imagjinatën tonë, për ta parashikuar bërjen e saj realitet, duke lejuar mendjet tona që të marrin udhë, të kaptojnë male e dete, të shpërthejnë horizontet, të fluturojnë pa kufi dhe të besojnë të pabesueshmen. T’i flakim, t’i shkatërrojmë së pari prangat e robërisë në zemrat, mendjet dhe në shpirtin tonë, se pastaj do ta kemi fare lehtë që t’i thyejmë e dërrmojmë edhe prangat e hekurta të robërisë, të pushtimit dhe të kolonizimit të trojeve të okupuara të Shqipërisë Etnike nga sundimtarët dhe barbarët e huaj.

Çdo gjë që është krijuar nga dora e njeriut, është rezultat i imagjinatës së tij kreative e krijuese, është vepër e fuqisë së mendjes njerëzore. Edhe kjo Shqipëri e vogël e pavarur që e kemi është fryt i imagjinatës, parashikimit dhe zemrës e mendjes së paraardhësve tanë të zgjuar, atdhetarë e luftëtarë. Parashikimi arrihet jo duke hedhur zaret apo me fall, por me forcën e arsyes dhe mendjes së shëndoshë. Apo nuk parashikonte një Shqipëri të lirë, të bashkuar e të lulëzuar, me imagjinatën e tij largpamëse e shkencore, i madhi Sami Frashëri kur shkruante para më se një shekulli Manifestin Kombëtar – Shqipëria: çka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet.

IDEALI

Ideali është aspiratë, është dëshirë e madhe, synim për të arritur diçka në jetë dhe në punë. Ideali është qëllim të cilin kemi vendosur për ta realizuar. Në rastin tonë konkret, ideali është përpjekja titanike nga ana e veprimtarëve dhe aktivistëve atdhetarë e revolucionarë të popullit tonë për të realizuar aspiratën shekullore kombëtare të çlirimit dhe të bashkimit kombëtar.

Ideali është qëllimi më i lartë, suprem, i individit, grupit, partisë apo popullit për të arritur në cakun që ia kanë caktuar vetes. Është bindje e fortë dhe e pathyeshme që na udhëheq në punë e në luftë deri në fitore. Ideali është pasion, dashuri e zjarrtë për popullin, atdheun, lirinë, pavarësinë, demokracinë dhe bashkimin kombëtar.

Ideali kombëtar është ndjenja universale më e përsosur që na bën krenar dhe të përkryer gjatë gjithë jetës dhe veprimtarisë sonë politike e luftarake. Ideali për Shqipërinë Etnike është ideal mbi ideale, është ndjenjë fisnike e magjike me përmbajtje hyjnore, që na mbush me energji pozitive dhe na bën të pamposhtur.

QËLLIMI

Qëllimi është synim dhe përpjekje për të përmbushur detyrat dhe detyrimet që ia kemi caktuar vetes. Është caku ku synojmë të mbërrijmë. Qëllimi është përgjegjësia që kemi marrë vullnetarisht mbi supe për ta çuar çështjen e bashkimit kombëtar deri në fund. Qëllimi është dëshirë, plan dhe ide e thurrur në mendje dhe e përpiluar në letër për ta zbatuar në praktikë, për ta vënë në jetë. Qëllimi është objektivi ynë për të goditur armikun në pikën më të dobët të tij. Qëllimi është vullneti ynë i çelikt për të çliruar e bashkuar Shqipërinë Etnike.

Qëllimi është ura nëpër të cilën ecim për të kaluar matanë te ëndrra. Ai është thjeshtë një ëndërr, por një ëndërr e shkurtër, me afat kohor. Ëndrra jonë është Shqipëria e Bashkuar, kurse qëllimi është koha, periudha brenda së cilës do ta realizojmë këtë ëndërr, ta zëmë brenda 4-5 vitesh. Duke caktuar periudhën kohore të realizimit të kësaj ëndrre, Ne faktikisht kemi vënë në fokus ëndrrën tonë dhe në këtë mënyrë e kemi shndërruar atë në qëllim.

Qëllimi na ndihmon që Ne të përqëndrohemi qind për qind, me një intenzitet të jashtëzakonshëm në bërjen e Shqipërisë Etnike. Qëllimi është si ajo thjerrëza që tubon rrezet e diellit në një pikë dhe ndez zjarrin. Qëllimi ynë i zjarrtë e fisnik për bashkim kombëtar ndez zemrat tona, shkrep armët dhe përflak armiqtë tanë, duke i djegur e bërë shkrumb e hi.

VIZIONI

Ekziston edhe një nivel tjetër që duhet të arrihet në procesin e realizimit të ëndrrës. Pasi të kemi projektuar ëndrrën dhe pasi të kemi caktuar edhe qëllimin dhe afatin kohor të arritjes së tij, Ne, Shqiptarët, pastaj duhet të krijojmë vizionin e Shqipërisë Etnike.

Vizioni është frymëzim, kurse frymëzimi është shkalla më e lartë e vetëdijes, gjatë së cilës shpërthen me hov e vrull të madh forca krijuese e njeriut, njerëzve apo popullit që gjakon për zgjidhjen e një çështjeje, përmbushjen e një ideali dhe realizimin e një programi politik.

Vizioni është frymëzim që buron nga një ëndërr e madhe dhe shumëdimensionale, siç është bërja e Shqipërisë Etnike. Është shpërthim vullkanik i ndenjave të forta të atdhedashurisë, të lirisë dhe të bashkimit kombëtar.

Vizioni është gjendje shpitërore kreative, që gjallëron e shumëfishon aftësinë krijuese, mobilizuese dhe vepruese të një populli për të luftuar dhe mbrojtur integritetin dhe dinjitetin e tij politik, ekonomik, historik e kombëtar.

Vizioni është vegim, kurse vegimi është aftësi parashikuese e udhëheqësve popullor dhe e luftëtarëve të mëdhenj që janë në gjendje ta projektojnë e ta parashikojnë gjithë rrugën nëpër të cilën do të kalojë marshimi i tyre drejt përmbushjes së vizionit.

Vizioni është realiteti subjektiv i ëndrrës, ëndrra e realizuar në zemrat dhe mendjet tona, para se të bëhet realitet objektiv. Kjo do të thotë se ëndrra e Shqipërisë Etnike, së pari bëhet vizion në zemrat dhe mendjet e gjithë shqiptarëve dhe pastaj, pas luftës dhe fitores, bëhet realitet, bëhet shtet i lirë, i bashkuar e i pavarur. Vizioni politiko-ushtarak është planprogrami i luftës së një populli për të fituar lirinë, pavarësinë, sovranitetin dhe demokracinë.

Vizioni është skica e ëndrrës, e cila shfaqet para syve të mendjes së prijësit politik apo ushtarak deri në detajet më të imëta. Vizionari është ëndërrimtar, ai e di me saktësi se ku fillon, ku vazhdon dhe ku, kur dhe si mbaron lufta për realizimin e ëndrrës kombëtare të tij dhe të popullit që ai udhëheq.

Vizioni është prirje për të paramenduar rrjedhën e ngjarjeve, për të përfytyruar të ardhmen e një populli e të një vendi. Vizionari i vërtetë është frymëzues i masave të gjera popullore, që ngjallë te ato ndjenja të thella e të larta kombëtare dhe e mbush popullin me energji revolucionare dhe luftarake për tu hedhur në aksion e veprim mbrojtës apo çlirimtar.

PROGRAMI

Programi është tërësia e detyrave dhe e punëve të parashikuara për t’u plotësuar në të ardhmen. Është plan i detajizuar për veprimtarinë politike e luftarake të një organizate, partie apo ushtrie për të çliruar vendin nga të huajtë. Programi politik kombëtar përcakton gjithë ecurinë dhe rrugëtimin e një populli drejt lirisë dhe pavarësisë kombëtare. Ai përmban largpamësi, teza, qëllime, parime, rregulla, detyra e detyrime themelore për çdo anëtarë dhe pjesëtarë të partisë apo ushtrisë për të vënë në jetë programin ekonomik, politik apo ushtarak. Programi është përmbledhje e aspiratave, synimeve dhe idealeve të një populli për të qenë zot i trojeve të tij në atdheun e vet. Program mbi të gjitha programet politike të partive aktuale të shqiptarëve është Programi strategjik për bërjen e Shqipërisë Etnike. Ky është i vetmi Program Kombëtar.

OPCIONI

Opcioni është qëndrim, pikëpamje që shpreh formimin tonë patriotik, politik e ideologjik. Në veprimtarinë tonë politike dhe luftarake për Shqipërinë Etnike Ne, Shqiptarët, duhet të kemi një qëndrim të vetëm dhe të përbashkët. Duhet të kemi pikëpamje identike për mënyrën, format dhe metodat e çlirimit dhe bashkimit kombëtar të Atdheut tonë. Pra, duhet të kemi një opcion, një drejtim. Kjo nënkupton se Ne duhet të kemi vetëm një rrugë nëpër të cilën duhet të ecim për të arritur në cak. Ne nuk duhet t’i ndërrojmë opcionet orë e çast. Ne duhet të kemi vetëm një zgjidhje. Në rast të këtillë Ne nuk kemi çare pa e zgjidhur çështjen tonë, sepse ajo është vetëm një.

Opcioni është kombinim i të menduarit tonë, emocioneve, mënyrës së të shikuarit të ngjarjeve e rrethaneve përreth nesh dhe perspektivës së këtij opcioni. Opcioni është qëndrimi ynë se çfarë bëjmë dhe se si reagojmë ndaj ndodhive të jetës dhe të politikës. Pa dyshim opcioni ynë politik është përcaktuesi i suksesit apo dështimit në veprimtarinë tonë politike, kombëtare dhe çlirimtare.

Opcioni është çelësi dhe promotori që vë në lëvizje masat e gjëra popullore për çlirim dhe bashkim kombëtar. Ai bën dallimin ndërmjet fitores dhe humbjes. Opcioni politik kombëtar është më i rëndësishëm se faktet. Gjendja jonë aktuale prej të pushtuari, robëruari, copëtuari e kolonizuari është një fakt, por rëndësia dhe epërsia e opcionit tonë politik kombëtar për Shqipërinë Etnike e tejkalon faktin, përballet me realitetin kolonialist dhe e ndryshon atë. Faktet mund të ndryshojnë vetëm atëherë kur nuk ndryshojnë opcionet. Opcioni e ndryshon faktin, kurse fakti nuk e ndryshon opcionin. Opcionin e Shqiptarëve për Shqipërinë Etnike, nuk ka fakt dhe gjendje faktike që mund ta ndryshojë. Është fakt se ne aktualisht jemi të pushtuar, të ndarë e të okupuar nga disa shtete, por, megjithatë, Ne nuk e ndryshojmë opcionin tonë për bërjen e Shqipërisë Etnike. Gjendja aktuale faktike e Shqipërisë Etnike varet nga të tjerët, por opcioni për çlirimin dhe ribashkimin e saj varet nga Ne.

Nëse Ne i ndërrojmë opcionet në atë mënyrë që sot kërkojmë të drejta të njeriut, nesër autonomi politiko-trritoriale, pasnesër autonomi substanciale apo ndonjë formë të republikës, atëherë Ne i shpërndajmë forcat tona, i shpenzojmë energjitë tona pozitive atdhetare e luftarake dhe në fund nuk realizojmë asnjërën nga këto synime, ose realizojmë një çerek të tyre.

Opcioni i Shqipërisë Etnike nuk ka dhe nuk duhet të ketë alternativë. Në çështje madhore si kjo e jona, në luftë frontale me armikun, nuk ka rrugëdalje tjetër, nuk ka kthim prapa, nuk ka opcion tjetër pos atij: Ja vdekje, ja liri! Në luftë për liri ose fitohet, ose humbet. Të mesme këtu nuk ka.

Nëse papritmas valët e detit të kanë marrë me vete në thellësi të tij, ti nuk ke zgjidhje tjetër përpos që të notosh, ose të mbytesh. Lufta për Shqipërinë Etnike i gjason detit të trazuar, ne ose do ta bëjmë atë, ose do të vdesim. Dhe vdekja në këtë rast nuk nënkupton vetëm vdekjen natyrore ose me plumb, por ajo nënkupton edhe vdekjen e ngadalshme: asimilimin e dhunshëm, vetëasimilimin, terrorin, gjenocidin dhe dëbimin me dhunë jashtë trojeve tona etnike nga ushtritë dhe policitë e armiqve tanë.

VENDIMI

Vendimi është qëndrim i prerë e përfundimtar që merret pas diskutimit, debateve, shqyrtimit dhe analizave të imëta për një çështje madhore, në rastin tonë konkret, për të jetësuar ëndërrën shekullore të Shqipërisë Etnike. Vendimi është urdhër i padiskutueshëm për zbatim.

Momenti kur ne, Shqiptarët, do ta marrim vendimin për bërjen e Shqipërisë Etnike dhe fillojmë të ecim përpara, është momenti kur çdo gjë do të jetë ndryshe dhe nuk do të ketë kthim prapa. Gjatë udhëtimit tonë drejt lirisë Ne vetëm mund të ndërrojmë shtigjet dhe drejtimin, po të jetë e nevojshme dhe e domosdoshme, por kurrë nuk duhet ta ndërrojmë apo ndryshojmë vendimin. Sekreti i bërjes së Shqipërisë Etnike qëndron te marrja e vendimit nga ana e popullit shqiptar, sepse ne jemi këtu ku jemi (nën sundim të huaj), jemi kështu siç jemi (robër e skllevër të kolonizatorëve sllavo-grekë), për shkak të vendimeve të gabueshme apo të mosvendimeve tona në të kaluarën dhe sot.

Ose Ne, Shqiptarët, duhet të vendosim për fatin tonë, ose fatkeqësia (robëria) do të vendosë mbi ne. Por, që ne të marrim një vendim, së pari duhet që ta dijmë se çka duam dhe ku duam të arrijmë. Duhet të kemi një ideal, një plan, një program, një vizion, pra, duhet ta kemi një ëndërr – Ëndrrën për Shqipërinë Etnike. Me vendimin, motivimin dhe luftën e tyre të vendosur, popujt kanë bërë realitet të pamundurën dhe të pabesueshmen.

ZOTIMI-BETIMI

Një tjetër sekret i suksesit të ëndrrës për Shqipërinë e Bashkuar është Zotimi dhe Betimi. Ne, Shqiptarët, duhet të zotohemi dhe të betohemi fuqishëm që nuk do ta braktisim ëndrrën tonë, që do ta çojmë atë deri në fund.

Ne duhet t’i premtojmë vetes sonë se do ta ndjekim pandërprerje ëndrrën tonë të bashkimit kombëtar. Ne duhet t’ia japim fjalën dhe besën popullit tonë se nuk do ta mashtrojmë, nuk do ta zhgënjejmë dhe nuk do ta braktisim ëndrrën popullore deri në fitore. Ne duhet të zotohemi dhe të betohemi se do ta zotërojmë Shqipërinë Etnike. Se do ta bëjmë zonjë atë. Ne duhet të zotohemi dhe të betohemi se kombin shqiptar do ta bëjmë zot të Atdheut të vet.

Ne, Shqiptarët, duhet të zotohemi e të betohemi dhe të jemi të gatshëm në çdo moment për të punuar, luftuar e sakrifikuar për realizimin e ëndrrës për Shqipërinë Etnike. Sfida dhe pengesa të panumërta do të na dalin në rrugëtimin tonë drejt lirisë, por me një vetëbesim të lartë tek forca jonë, tek përkrahja e aleatëve tanë natyrorë dhe me një besim të patundur tek ndihma e Zotit, ne do t’ia dalim që ta formojmë dhe jetësojmë çlirimin dhe bashkimin e trojeve pellazgo-ilire të Shqipërisë Etnike.

Kur Ne do të zotohemi dhe betohemi sinqerisht, me gjithë zemër e mendje, atëherë do të ndodhin ngjarje të mëdha e të jashtëzakonshme, të cilat në kushte normale nuk ndodhin. Këto ngjarje unike ndodhin, sepse zotimi dhe betimi i vërtetë dhe me gjithë shpirt kan në vetvete gjenialitetin, fuqinë mbinatyrore dhe magjinë misterioze të shndërrimit të ireales në reale.

Betimi është premtim solemn para vetvetes, familjes, shokëve dhe popullit se do t’u qëndrosh besnik deri në përmbushje të plotë idealeve dhe aspiratave shekullore të popullit tonë për një shtet të lirë, të bashkuar e sovran – Shqipërisë Etnike. Betimi është zotim për kryerjen e të gjitha detyrimeve dhe obligimeve të marra vullnetarisht mbi vete. Betimi është besë e burrëri, guxim e trimëri, vendim e vendosmëri, besim e besnikëri. Betimi është i shtrenjtë, i shenjtë, hyjnor dhe nuk guxon kurrsesi të shkelet mbi të, sepse është betim në gjakun e dëshmorëve dhe heronjve të të gjitha brezave, është premtim para popullit, është zotim para Zotit.

Betimi është llavë vullkani, forcë uragani, është lum rrëmbyes e zjarr përvëlues, është shpatë prej çeliku dhe vdekje armiku.

BESIMI

Asgjë nuk bëhet dhe nuk arrihet pa besim. Besimi është baza, themeli i fitores dhe i suksesit në jetë, në punë e në luftë. Besimi të jep forcë e kurajo për të bërë vepra të mëdha, për të bërë mrekullira, për të bërë vepra të përjetshme, për të bërë edhe Shqipërinë Etnike. Ne besojmë në vërtetësinë, ekzistimin dhe realitetin e Shqipërisë Etnike. Ne kemi besim në vetëvete, besim në popullin, besim në Zotin, besim në fitore.

Besimi është bindje e fuqishme në të vërtetën, në realen, në të drejtën dhe në atë që të takon: jetën, nderin, lirinë, pavarësinë. Besimi është qëndrim i patundur në përpjekjet tona për të bashkuar Atdheun tonë të copëtuar padrejtësisht dhe mizorisht nga shovenistët fqinjë.

Besimi është besim në vetëvete, besim në popullin, besim në Zotin. Dhe kur i posedon këto tri besime, atëherë ke besim edhe në fitore dhe në realizimin e ëndrrës për Shqipërinë Etnike.

Vetëm besimi i çiltër, i patundur dhe i ndërgjegjshëm i Shqiptarëve në idealin e tyre kombëtar, në drejtësinë e luftës së tyre, do ta zgjidhin përfundimisht çështjen kombëtare shqiptare. Besimi i vërtetë në ëndrrën për Shqipërinë Etnike të shton sigurinë, të forcon vetëdijen dhe të bën të pathyeshëm e të pandalshëm në marshimin historik për bërjen realitet të kësaj ëndërre madhore e madhështore.

SHPRESA

Ne shpresojmë, sepse besojmë. Ne shpresojmë në bërjen e Shqipërisë Etnike, sepse është mundësi, është dëshirë e madhe e Shqiptarëve dhe se është një realitet i realizueshëm. Shqiptarët nuk guxojnë ta humbin e ta lëshojnë ëndrrën për Shqipërinë Etnike, sepse kjo do të thotë ta humbasësh shpresën. Dhe gjithkush nga ne e di se shpresa vdes e fundit. Pa shpresë e pa ëndrra nuk jetohet. Prandaj të mbahemi fortë për ëndrrës dhe shpresës së jetës. Të shpresojmë e të besojmë në Shqipërinë tonë të lirë e të ribashkuar.

Shpresa dhe êndrra janë dhuratë e madhe hyjnore nga Zoti për njeriun, që ai të ketë ku të mbështetet në rrugëtimin e tij në këtë jetë. Ëndrra dhe shpresa janë arma më e sigurt e njeriut për fitore. Shpresa është fitorja më e madhe dhe më e vështirë që njeriu mund të korr mbi shpirtin e tij. Shpresa është forma më e lartë e dëshprimit të mposhtur, e kundërta e tij.

Njeriu pa ëndrra e pa shpresë jeton vetëm biologjikisht, por jo edhe shpirtërisht. Shqiptari pa ëndrra e pa shpresë do të ishte si një zog me krah të thyer dhe një zog i tillë nuk mund të fluturojë e as të jetojë. Flakja tej e ëndrrës dhe e shpresës për bërjen e Shqipërisë së Ribashkuar është dorëzim, kurse dorëzimi është vetëvrasje, është vdekje!

Prandaj, shqiptarët nuk duhet t’i lëshojnë ëndrrat dhe t’i humbasin shpresat për një jetë më të mirë, më të begatë, më dinjitoze në një Atdhe të lirë, të bashkuar e sovran – në Shqipërinë Etnike.

MENDJA

Përveç ëndrrës, shpresës dhe besimit, Perëndia na ka dhuruar edhe mendjen, e cila jo vetëm që mbanë mend, përmes kujtesës, të kaluarën tonë personale dhe kombëtare, jo vetëm që udhëheq me të tashmen, por mendja jonë është e aftë që ta parashikojë e projektojë edhe të ardhmen tonë, përmes imagjinatës dhe ëndërrimit.

Me anë të ëndrrës mendja jonë merr kontakt me të ardhmen tonë, të popullit tonë dhe hap horizonte të reja, shtron perspektiva, skicon dhe trason rrugën nëpër të cilën duhet të ecë kombi për të fituar lirinë, për të zhvilluar demokracinë dhe për të bërë Shqipërinë.

Mendja është logjikë, arsyetim, që studjon dhe analizon ligjet e mendimit, format e tij dhe na lidhë me ligjet e realitetit objektiv, me të vërtetën. Mendja është logjikë, kurse logjika është aftësi për të gjykuar drejt botën që na rrethon, për të zbuluar lidhjet ndërmjet sendeve e ngjarjeve, dukurive e rrethanave, si dhe përcakton gjendjen aktuale dhe rrugët e format për ndryshimin e saj. Logjika është arsyetim i luftës së një populli për të dalë nga gjendja e tij e vështirë ekonomike, nga padrejtësia politike dhe nga robëria neokolonialiste.

Mendja jonë është mendim, mençuri e zgjuarsi, është aftësi për të konceptuar drejt dhe saktë zhvillimet natyrore dhe shoqërore të botës që na rrethon. Është logjikë dhe arsye për të njohur ligjet e natyrës dhe njerëzimit dhe për të vepruar konform apo kundër tyre. Mendja (truri) është zotësia jonë për të gjykuar drejt, për ta njohur armikun e popullit tonë dhe për të marrë vendime konkrete për mposhtjen e tij.

Mendja jonë është urtësi, pjekuri, dituri, përvojë dhe mësim që përcillet brez pas brezi ndër shekuj e mijëvjeçarë për të mbrojtur vetveten dhe Atdheun, për të mbijetuar në çdo situatë e rrethanë historike. Mendja jonë kreative është këshilltari ynë më vizionar, udhërrëfyesi më i saktë që na tregon rrugën e vërtetë për të arritur qëllimin tonë – Shqipërinë Etnike.

Mendja jonë është mendësi, tërësia e pikëpamjeve tona për format, mënyrat dhe mjetet që duhen përdorur për të përmbushur synimet tona kombëtare e çlirimtare.

Mendo mirë, mirë do të bëhet. Mendo keq, keq do të bëhet. Mjeku thotë se shumica e sëmundjeve nga të cilat ne vuajmë janë psikomatike, që i krijon mendja jonë, pra, mënyra jonë e gabueshme e të menduarit. Ekziston një lidhje direkte midis trurit dhe trupit. Nëse ne mendojmë gjëra të trishtueshme në tru, truri e shpërndanë në trup dhe kështu trupi dëmtohet dhe sëmuret.

Nëse mendojmë për të grabitur, bëhemi grabitës. Nëse mendojmë për liri, bëhemi çlirimtarë. Nëse mendojmë për Atdhe, bëhemi atdhetarë. Të mirës duhet t’i prish për mbarë, me mendime të mira dhe pozitive. Nëse Shqiptarët mendojnë pandërprerje për Shqipërinë Etnike, nëse e kanë dhe e kultivojnë atë vazhdimisht në zemrat dhe mendjet e tyre, nuk ka arsye pse të mos realizohet një ditë prej ditëve.

Duke ecur me kohën, duke ndryshuar mënyrën e të menduarit, Ne do të ndryshojmë mënyrën e të vepruarit dhe në këtë mënyrë do të ndryshojmë edhe gjendjen tonë politiko-juridike prej skllavi.

Të mendojmë për Shqipëri, të punojmë për Shqipëri, që të bëjmë Shqipëri, që të kemi Shqipëri. Atë ditë që Ne do ta heqim nga zemra dhe mendja Shqipërinë Etnike, që nga ajo ditë Ne nuk do të jemi Shqiptarë, por krijesa të humbura, pa personalitet e dinjitet njerëzor. Ndaj, ta ruajmë si sytë e ballit, si vetveten tonë, Shqipërinë Etnike. Ajo është pasuria jonë më e çmueshme që na ka falur Natyra dhe Perëndia.

VETËDIJA-NDËRGJEGJJA

Vetëdija është aftësi e mendjes dhe shqisave të njeriut për të njohur dhe për të kuptuar botën që e rrethon. Zotësi për të njohur vetveten dhe të tjerët. Është aftësi për të gjykuar dhe vlerësuar situatën në të cilën jeton, punon dhe vepron. Aftësia për të përcaktuar se ti i takon jo vetëm vetvetes, por edhe një kombi, është vetëdije kombëtare. Vetëdija kombëtare është veprim i vullnetshëm i individëve dhe popullit për të ndërmarrë hapa konkretë për të ndryshuar gjendjen e vështirë në të cilën ndodhen. Është zotësi për të kuptuar vendin dhe detyrën e individit në shoqëri dhe të shoqërisë gjatë historisë. Kjo është vetëdije kombëtare.

Vetëdija kombëtare është dituri dhe njohuri se ti ekziston si individ, se i takon një populli të caktuar, se ky popull ka një atdhe dhe se ky atdhe është i robëruar dhe duhet çliruar. Është vetëdije kombëtare, kur ti e di se atdheu është në rrezik dhe duhet shpëtuar. Kur ti je i vetëdijshëm se Shqipëria Etnike është e ndarë dhe duhet bashkuar.

Ndërgjegjja është shkalla më e lartë dhe më e përsosur e vetëdijes. Ajo është nder e moral, është përsosmëri e mendjes dhe shpirtit të njeriut. Ndërgjegjja është forma më e lartë e pasqyrimit të realitetit objektiv. Është zotësia jonë për të njohur botën tonë të brendshme dhe të jashtme.

Ndërgjegjja është ndjenja më e pastër, më e përkryer e njeriut, lartësia e së cilës përcakton të gjitha sjelljet tona të përditëshme. Njeriu pa ndërgjegje i gjason shtazës. Personi që nuk ka ndërgjegje njerëzore, nuk mund të ketë as ndërgjegje kombëtare.

Ndërgjegjja është ajka, kulmi i vetëdijes sonë humane dhe shkencore. Vetëm punët e bëra me ndërgjegje të lartë kanë sukses. Nërgjegjja është përkushtim, devotshmëri dhe përgjegjësi ndaj detyrime të marra, ndaj premtimeve të bëra dhe ndaj betimit të dhënë para vetvetes, familjes, shokëve dhe popullit se do të punosh dhe luftosh gjatë gjithë jetës në të mirë të shoqërisë dhe të Atdheut.

OPTIMIZMI

Një faktor tjetër që e forcon ëndrrën për Shqipërinë Etnike është optimizmi. Optimizmi është energji pozitive, që reflekton gëzim e gjallëri në jetë dhe në punë. Ai shpreh siguri, vendosmëri dhe besim në vetvete dhe besim tek të tjerët. Optimizmi rrezaton guxim e mençuri, gatishmëri për sakrifica dhe vizion për të ardhmen e kombit dhe Atdheut tonë. Optimizmi është qëndrim në pritje për të ndodhur gjëra pozitive, ndryshime të mëdha dhe kthesa historike. Optimizmi është besim në fitore, besim në të ardhmen më të ndritur të popullit tonë. Optimizmi është ushqyes i shpresës për një të nesërme të lirë e të sigurt të Atdheut tonë.

Dielli shndrit vazhdimisht, si ditën ashtu edhe natën, si kur qielli është i kaltër, ashtu edhe kur retë e zeza e mbulojnë tokën. Kështu duhet që të shndrisin, pandërpreje, ëndrrat tona. Kështu duhet të shkëlqejnë sytë tanë nga ideali dhe frymëzimi, nga besimi dhe optimizmi i perspektivës së ndritur të çlirimit dhe të ribashkimit të Shqipërisë Etnike.

Politikani, lideri dhe luftëtari optimist është në gjendje që t’i shohë gjërat e padukshme, ta ndjejë të paprekshmen dhe ta arrijë të pamundshmen. Ai është në gjendje që ta bëjë edhe Shqipërinë Etnike, por,natyrisht, vetëm “në ballë të këtij populli dhe te këmbët e këtij populli,…”, siç ligjëronte heroi Jusuf Gërvalla.

Optimizmi është shëndet e vullnet, me të cilin Ne do të çajmë errësirën neokolonialiste dhe do të dalim në dritë të diellit e të lirisë kombëtare.

DASHURIA

Dashuria është ndjenjë e fuqishme dhe e thellë që e bën njeriun që ta duaj me gjithë zemër dikend apo diçka. Dashuria është miqësi e sinqertë dhe e çiltërt. Dashuria është adhurim, është art që nuk njeh kufinj. Dashuria është ndjenjë e zjarrtë, ndjenjë mbi ndjenja, është vetë mirësia, drita e brendshme që ndriçon njeriun dhe i dhuron atij ngrohtësi e forcë për të “tundur male”. Pra, ajo është vetëmohim, sepse kur e don dhe e dashuron dikend apo lirinë e Atdheun, ti je në gjendje të japësh jetën për atë dashuri.

Dashuria për njeriun dhe për Shqipërinë Etnike është sakrificë dhe flijim. Dashuria është vuajtje. Një popull i armatosur me dashurinë e fuqishme për lirinë dhe atdheun e tij është i pamposhtur, përballë gjithë armëve shkatërrimtare të botës.

Dashuria ka fuqinë për të krijuar, për të shpresuar, për të ndryshuar, për të ripërtrirë, për të duruar, për të besuar, për të qëndruar, për të luftuar, për të fituar,… Dashuria e vërtetë bën çudira, ajo kurrë nuk dështon.

Dashuria është e kundërta e urrejtjes. Urrejtja e paralizon jetën, dashuria e liron atë. Urrejtja e bën lëmsh jetën, dashuria e bën atë harmonike. Urrejtja e nxinë jetën, dashuria e ndriçon atë. Dashuria është ilaç, bar, melhem për plagë. Qoftë ajo plagë personale trupore, qoftë plagë robërie kombëtare. Dashuria e shëron dhe e gjallëron individin dhe popullin.

Dashuria rrënon mure dhe ndërton ura. Dashuria është dhuratë hyjnore për njerëzimin.

KALITJA-PROVA

Jo vetëm shqiptarët e dobët pa ëndrra e ideale kombëtare, por edhe idealistët dhe luftëtarët më të devotshëm të çështjes sonë kombëtare kanë nevojë që ta kalisin e forcojnë vazhdimisht veten e tyre që të mos dobësohen e ligështohen në veprimtarinë e tyre të përditëshme për bërjen e Shqipërisë Etnike. Kjo kalitje bëhet përmes stërvitjeve dhe ushtrimeve të vazhdueshme psiko-fizike, përmes kontaktit permanent me popullin dhe tokën amtare, si dhe me anë të leximit të vazhdueshëm.

Harresa është armiku më i madh i njeriut dhe nëna e përsëritjes së gabimeve. Duhet që pandërprerë të kalitemi ideologjikisht, politikisht dhe fizikisht që të jemi sa më të përgatitur për betejat vendimtare që na presin në rrugën tonë drejt Shqipërisë Etnike. Kalitja e përditshme sjellë qëndrueshmëri, fuqi dhe energji për të përballuar vështirësitë aktuale dhe të nesërme që janë të pashmangshme, por jo të pamposhtme, në luftën tonë politiko-revolucionare për bashkim kombëtar. Kalitja është edhe edukim dhe çelikosje e ëndrrës sonë të madhe kombëtare për Shqipërinë e Bashkuar.

Gabim është kur ne brenda vetes sonë i caktojmë barriera e pengesa vetëvetes, duke e bindur veten tonë, pa e provuar fare, se kjo apo ajo rrugë është e paarritshme, ky apo ai ideal është i parealizueshëm, etj. Asnjë qëllim nuk arrihet pa e provuar. Për asgjë nuk mund të thuhet se është e pamundshme dhe e paarritshme pa e provuar. Po të mos kishin luftuar me penë e pushkë të Parët tanë me shekuj të tërë, ne sot nuk do ta kishim as edhe këtë Shqipëri që e kemi sot, edhepse e vogël është. Ata provuan, ata u përpoqën dhe na lanë trashëgim këtë pjesë Shqipërie të lirë dhe një përvojë kolosale si orientim e busullë për të vazhduar punën dhe luftën e tyre për liri e pavarësi. Gjërat e vogla sjellin të mëdhat. Shqipëria e vogël me siguri do të sjellë Shqipërinë reale, natyrale, Etnike.

REÇETA

Reçeta është mënyra dhe forma se si duhet të zgjidhet një problem. Êshtë udhëzim konkret dhe detal se si kryhet një veprim, një aksion apo një luftë.

Jo të gjithë Ne, jo të gjithë veprimtarët kombëtar, jo të gjithë luftëtarët e lirisë, jo të gjithë udhëheqësit popullorë, jo të gjithë komandantët ushtarakë kanë sukses të njëjtë në veprimtarinë, përpjekjen dhe luftën e tyre për çlirim, liri e pavarësi kombëtare, sepse jo të gjithë e kanë, apo jo të gjithë e njohin tërësisht reçetën e suksesit e të fitores, jo të gjithë e zotërojnë plotësisht artin e bukur e të vështirë të luftës për liri dhe pavarësi.

Shumica e këtyre patriotëve dhe luftëtarëve duan të jenë të sukseshëm, por nuk arrijnë dot, sepse nuk e kanë, ose nuk e njohin reçetën, nuk posedojnë mënyrën dhe metodologjinë e veprimit të sukseshëm. Shumica e tyre e kalojnë gjithë veprimtarinë e tyre politike e atdhetare në një gjendje konstante të provave dhe gabimeve: ata provojnë dhe gabojnë, përpiqen dhe dështojnë,… përsëri ngriten dhe sërish rrëzohen, kështu riciklojnë përpjekjet dhe gabimet,… derisa më në fund heqin dorë nga qëllimi i tyre, nga ëndërrat e tyre kombëtare dhe pasivizohen.

“FARA”

Çdo gjë e gjallë mbi tokë e nëntokë që ekziston, lind, zhvillohet, rritet dhe jeton është rezultat i farës, i embrionit fillestar. Poashtu edhe ëndrra për Shqipërinë Etnike është një pikënisje, një fillim i suksesit, është fara e realitetit. Sa më shumë farë lirie që të mbjellim, aq më shumë fryte të fitores do të korrim.

Ashtu sikurse hedhë bujku farën me kujdes në arë, ashtu edhe ne duhet të hedhim farën e lirisë në popull. Kush mbjellë korrë, thotë populli. Të mbjellim kudo farën e lirisë, që të korrim fitoren.

Ashtu si fara e një bime që duhet mbjellë në tokë, duhet ujitur dhe kujdesur për të që të rritet e shëndetshme, ashtu edhe ëndrra për Shqipërinë Etnike duhet të mbillet në të gjitha zemrat e Shqiptarëve, duhet të ujitet me djersën dhe gjakun e bijave e bijve të këtij populli, me qëllim që të rritet e të lulëzojë e shëndetshme pema e bukur dhe me plotë fryte e Shqipërisë së lirë e të bashkuar.

Ashtu siç është fara riprodhim, ringjallje e jetës, poashtu edhe ëndrra, aspirata dhe ideali ynë kombëtar për Shqipërinë Etnike është ringjallje, është jetëzgjatje e Pellazgjisë dhe e Ilirisë. Është ripërsëritje e Arbërisë. Është pavdekësi e Shqipërisë.

ARMIKU I BRENDSHËM

Përveç armiqve dhe pseudomiqve, në rrugëtimin tonë drejt Shqipërisë Etnike, ne nuk duhet të harrojmë kurrsesi edhe armikun apo armiqtë e brendshëm të kësaj Shqipërie. Dhe ky armik (armiq), fatkeqësisht, janë disa shqiptarë, të cilët nuk e kanë ëndërr dhe ideal Shqipërinë e Bashkuar dhe si të tillë bëhen pengesë serioze për zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare. Dhe të tillët, mjerisht, nuk janë të paktë në numër. Shumë prej tyre janë nëpër vende udhëheqëse. Pra, armiku më i madh dhe më i rrezikshëm i Shqipërisë Etnike është brenda nesh, është në veten tonë, jemi vetë Ne, Shqiptarët!

Kemi shumë njerëz të dobët në mesin tonë, të cilët s’kanë ëndrra kombëtare, s’kanë ideale shqiptare! Duhet të përpiqemi që këta njerëz pa ëndërra t’i kthejmë në ëndrrimtarë dhe të gjithë ata shqiptarë që janë pa ideale t’i bëjmë idealistë, se kështu forcojmë veten tonë, rrisim unitetin, afrojmë realitetin dhe shpejtojmë fitoren mbi të huajtë. Duke luftuar armikun brenda nesh, ne luftojmë dyfish armikun jashtë nesh, armikun pushtues të vatrave tona, të Shqipërisë sonë Etnike. Në momentin kur ne do ta kemi mundur armikun tonë brenda nesh, po në atë çast ne do t’i kemi fituar edhe armiqtë pushtuesë jashtë nesh.

PESIMIZMI

Antipodi i optimizmit është pesimizmi. Ndër shqiptarë ka numër të konsiderueshëm të pesimistëve. Shqiptarë që shohin vetëm zi, errësirë edhe në pikë të ditës me diell. Ka shumë frikacakë e ndjellakëqinj, të cilët nuk kanë besim as në Zotin, as në vetëveten dhe as në forcën çudibërëse të sovranit popull, kur ky ngritet në këmbë, si një trup i vetëm, dhe marshon përpara drejt lirisë.

Pesimistët në rradhët e popullit tonë janë të pasigurt në çdo hap, shohin gjithkund pengesa dhe nuk kanë besim në të ardhmen e tyre, të vendit dhe të popullit të tyre. Janë njerëz që gjithmonë ankohen, janë të pakënaqur me realitetin, por që nuk kanë besim e guxim ta ndryshojnë atë. Për pesimistët nuk vlen deviza, se pas hidhërimit ka gëzim, se pas natës vjen dita, se pas humbjes vjen fitorja, se pas rënies do të ngritemi përsëri, etj. Ata për gjithëçka fillimisht kërkojnë garanci, por harrojnë se asgjë në jetë e mbi këtë tokë nuk është e garantuar. Asgjë nuk është absolute, çdo gjë është relative dhe art i të mundshmes.

Në mesin tonë ka njerëz të ngarkuar me energji negative. Ne ose duhet t’ua heqim atyre këtë energji dhe t’i mbushim me energji pozitive, ose duhet t’ua bllokojmë me çdo kusht këtë energji të dëmshme e antikombëtare, në mënyrë që ajo të mos përhapet në popull dhe të mos e pengojë rrezatimin e energjisë pozitive që shpërndajnë mbi kombin tonë patriotët, revolucionarët dhe luftëtarët e lirisë, të pavarësisë dhe të ribashkimit kombëtar.

NEUTRALITETI

Përveç optimistëve dhe pesimistëve në gjirin e popullit tonë ka edhe shumë neutralë. Njerëz që rrinë mënjanë dhe bëjnë sehir, vështrojnë nga anësh se ç’po ndodhë rretheqark, por nuk bëhen pjesëmarrës aktiv në ngjarjet politike. Ata janë asnjanës, nuk angazhohen në parti e grupe politike, nuk marrin pjesë nëpër protesta e demonstrata politike, bile nuk marrin pjesë aktive as në rast të luftës së armatosur. Ky grup i njerëzve, është pjesa dërrmuese e popullit tonë.

Neutralët e duan lirinë, bashkimin kombëtar dhe Shqipërinë Etnike, por nuk janë të gatshëm të veprojnë konkretisht për realizimin e kësaj aspirate shekullore kombëtare. Ata nuk kanë ëndrra kombëtare, por vetëm ëndrra personale. Nuk kanë ëndrra politike, por vetëm ëndrra ekonomike. Bërja për vete e këtyre neutralëve shqiptarë, angazhimi i tyre politik kombëtar dhe armatosja e tyre me ëndrrën për Shqipërinë Etnike, është proriteti më i madh i forcave të organizuara patriotiko-revolucionare e demokratike që kanë ëndërr, ideal dhe program çlirimin dhe bashkimin e Shqipërisë Etnike.

FRIKA

Një armik tjetër mjaft i rrezikshëm i ëndrrës për Shqipërinë Etnike është frika. Ajo është biologjike. Është fenomen njerëzor dhe logjik. Sipas studimeve të ndryshme ekzistojnë vetëm dy lloje biologjike të frikës, të cilat janë të lindura që në fëmijëri: frika nga rrëzimi (kur foshnja fillon të ecë) dhe frika nga zhurma e madhe (që nga momenti i lindjes kur foshnja fillon të qajë me rastin e daljes në jetë). Frikat tjera, sipas studimeve shkencore, janë frika të mësuara, janë rezultat i mënyrës së edukimit në familje, në shkollë e në shoqëri. Frika ngulitet në vetëdijen e njeriut edhe nga kushtet e rrethanat jetësore ku ai rritet dhe jeton.

Frika përhapet nga konfliktet e ashpra midis njerëzve, nga grindjet dhe përleshjet ndërmjet grupeve të ndryshme të interesit brenda shoqërisë, si dhe nga luftërat e pandërprera në mes të grupeve etnike dhe në mes të popujve. Frika mbillet tek njeriu edhe nga fenomenet shkatërrimtare të natyrës, siç janë vetëtimat e rrufetë, bubullimat e motit, vërshimat e përmbytjet, tërmetet, vullkanet, uraganet, etj.

Frika, mbi të gjitha, është pasiguri, pafuqi e njeriut për të mbrojtur veten para forcës natyrore apo njerëzore. Frika është ndjenjë e rrezikut dhe e kërcënimit permanent të jetës dhe pasurisë së njeriut nga e papritura, nga e panjohura, nga e keqja, nga e fuqishmja, nga njerëzorja dhe mbinjerëzorja.

Frika është e pashmangshme, është pjesë e jetës njerëzore, është rezultat logjik i analizave që bëjnë njerëzit e arsyeshëm. Është fryt i përfundimeve të faktuara që ata sjellin në fund. Por frika duhet të identifikohet e të kanalizohet drejt. Ajo nuk bën kurrsesi të zmadhohet dhe të lejohet që të marrë në dorë frenat drejtuese të jetës dhe veprimtarisë sonë personale apo kombëtare.

Ilaçi i vetëm i frikës është guximi dhe veprimi. Frikën duhet ta shikosh në sy dhe ajo dobësohet. Ndaj frikës duhet të kundërveprosh dhe ajo zhduket. Frika është e pafuqishme ndaj veprimit, ajo nuk mund t’i rezistojë hovit tonë luftarak. Ne kemi frikë nga dështimi, por harrojmë se ashtu siç mësojmë nga pësimet tona, poashtu ne fitojmë nga dështimet tona. Në luftën tonë çlirimtare, ne mund të humbasim disa beteja, mund të dështojmë disa herë, por në fund ne do ta fitojmë luftën. Dështimi është pjesë e suksesit, por vetëm atëherë kur ne mësojmë nga dështimet tona dhe në fund fitojmë. Kush punon edhe gabon. Kush vepron edhe dështon. Por kush nuk punon dhe nuk vepron ai kurrë nuk fiton.

Shqiptarë, frika është nëna e disfatës. Ndaj vriteni frikën, mposhteni atë me veprime konkrete, me aksione atdhetare, me sulme revolucionare. Frika i ngulfat dhe i prangos ëndrrat tona, shterron energjitë tona pozitive, frenon vrullin tonë drejt lirisë. Frika, e mbjellur në zemrat tona, është robëri, është nënshtrim, është poshtërim, është varfëri, është skllavëri. Mos u frikësoni dhe do të shihni se jeni të lirë. Dhe kur Ne, Shqiptarët, do të çlirohemi nga frika, atëherë edhe Atdheu ynë do të çlirohet nga pushtimi dhe kolonizimi i huaj. Pra, çlirojeni vetveten nga frika, që të çlironi edhe Shqipërinë Etnike.

GUXIMI

Guximi është antipod i frikës. Guximtari është ai që u del përballë rreziqeve e vështirësive dhe i kryen pa ngurrim të gjitha detyrat që ia shtron për zgjidhje koha dhe lufta popullore për liri e pavarësi kombëtare.

Nëse Shqiptarët e kanë aftësinë dhe vullnetin që të ëndërrojnë për Shqipërinë Etnike, atëherë ata do ta kenë edhe guximin për ta realizuar këtë ëndërr. Kjo do të thotë se, nëse guxojmë që të ëndërrojmë, atëherë do të guxojmë edhe të fitojmë. Sepse, nuk mund të zbehet e të hidhet poshtë një ëndërr kaq e madhe, një aspiratë historike, një ide që i ka ardhur koha.

Nëse ne dëshirojmë që të realizojmë ribashkimin kombëtar, atëherë ne duhet të guxojmë që të ngrisim zërin dhe ta njohtojmë kombin tonë dhe botën mbarë se çka duam, çka kërkojmë dhe për çka luftojmë.

Guximi është trimëri e burrëri, është vendosmëri e këmbëngulje, është gatishmëri e mosdorëzim, është qëndresë që e karakterizon ndër shekuj e mijëvjeçarë popullin shqiptar.

Prandaj, Shqiptarë, filloni të ëndërroni, vazhdoni të guxoni, që të fitoni!

DURIMI-KËMBËNGULJA-MOSDORËZIMI

E kemi thënë se ëndërrat janë fara e suksesit, por kush është sekreti i suksesit tonë? Ky është durimi, këmbëngulja e mosdorëzimi. Durimi është aftësi e njerëzve dhe popujve për të përballuar vështirësitë, shqetësimet, vuajtjet, fatkeqësitë, varfërinë, luftërat,…pa u ligështuar, pa u ankuar dhe pa u dorëzuar. Durimi është edhe cilësi e udhëheqësit popullor për t’u treguar i matur, i përmbajtur, i qetë e gjakftohtë, për të mos rënë në provokime të kundërshtarëve, për të mos u rrëmbyer në situata të paqarta dhe për të mos vendosur në këmbë, pa analizuar detajisht rrethanat.

Durimi sjellë gjithmonë suksesin. Nuk thotë kot urtësia popullore: “I duruari, i fituari”. Të durosh do të thotë të kesh vetëpërmbajtje, nerva të forta dhe, në të njëjtën kohë, të jesh këmbëngulës për ta çuar deri në fund luftën çlirimtare. Durim do të thotë papërkulshmëri dhe mosdorëzim. Durimi është gjithashtu vullnet i patundshëm për të realizuar kërkesat e popullit. Durimi është kokëfortësi pozitive, kur luftëtarët e lirisë dhe i mbarë kombi ngulin këmbë dhe nuk bëjnë kompromis me lirinë dhe Atdheun e tyre. Durimi është mosdorëzim edhe atëherë kur je në pozita më të vështira se kundërshtari politik apo ushtarak. Durimi është durim i të gjitha të zezave të kësaj bote, por mosheqje dorë nga ëndrrat, idealet dhe aspiratat shekullore të Shqiptarëve. Durim për mosnënshtrim. Durim për fitore.

Durimi është nështrim vetëm atëherë kur nuk ke ëndrra kombëtare, kur s’ke ideale të lirisë dhe kur nuk ke aspirata të bashkimit kombëtar. Durimi është disfatë, atëherë kur je disfatist e pacifist dhe i ke humbur shpresat dhe besimin në vetvete dhe në luftën e drejtë të popullit tënd. Durimi është robëri vetëm atëherë kur nuk vepron, kur je dorëzuar dhe pret që fati yt të ndryshojë spontanisht e rastësisht.

Durimi aktiv është blerje e kohës, organizim, mobilizim dhe rigrupim i forcave goditëse për të vazhduar luftën. Durimi në luftë është “pushim” ndërmjet dy betejave.

Ne kurrë nuk duhet të heqim dorë nga ëndrrat tona. T’i ndjekim ëndrrat tona përmes stuhishë, sfidash e rrebeshesh, duke duruar me stoicizëm të gjitha plagët e marra trupore e shpirtërore në përleshjet tona me armiqtë e Shqipërisë Etnike. Ne duhet ta gjejmë rrugën e drejtë të fitores, t’i krijojmë kushtet e luftës çlirimtare, t’i trasojmë shtigjet e lirisë dhe të marshojmë me durim e këmbëngulje deri në çlirim dhe bashkim kombëtar. Ne duhet të kemi besim në vetvete, të zotohemi për të duruar, për të këmbëngulur dhe për të mos u dorëzuar kurrë.

Nuk është aq e rëndësishme robëria, sa është e rëndësishme se çka bëjmë ne për ta hequr qafe atë robëri. Nëse ne ulemi e vajtojmë se jemi të pushtuar, të copëtuar, të robëruar, etj., atëherë ne jemi qaramanë e jo kapedanë. Atëherë ne jemi skllevër të përkulur e jo revolucionarë luftarakë.

Vetëm durimi i shoqëruar me veprim luftarak, rezistencë aktive dhe mosdorëzim do të na e heqë nga qafa zgjedhën e rëndë të robërisë. Do të na heqë nga duartë e këmbët prangat dhe zinxhirët e robërisë dhe të neokolonializmit modern. Edhe po të zihen e bllokohen të gjitha rrugët e shtigjet aktuale, Ne, me durim prej Sizifi, duhet të hapim rrugë e shtigje të reja, por sulmin dhe marshimin tonë drejt Shqipërisë së Ribashkuar nuk duhet ta ndalim kurrsesi. Për luftëtarët e vendosur, të durueshëm, këmbëngulës e atdhetarë gjithmon ka rrugë, gjinden shtigje për të ecur përpara drejt lirisë. Asgjë nuk është e pamundshme për patriotët dhe revolucionarët e devotshëm, të cilët Atdheun e duan më shumë se veten.

Fitimtarët kurrë nuk dorëzohen, kurse ata që dorëzohen kurrë nuk fitojnë. Nuk është fundi i botës humbja e disa betejave, është humbje e luftës dhe fundi i Shqipërisë Etnike mosluftimi fare, dorëzimi pa luftë. Shqiptarë, duroni dhe mos u dorëzoni! Qëndroni dhe luftoni, që të fitoni e të mbijetoni! Vetëm kështu Shqipërinë Etnike do ta çlironi dhe do ta bashkoni.

Këmbëngulja dhe mosdorëzimi e plotëson çdo disavantazh tonin përballë lukunisë së pafund të armiqëve tanë. Epërsia në njerëz, në potencial ekonomik dhe në armatim ushtarak e kundërshtarëve tanë mund të kompenzohet vetëm nga durimi, vendosmëria, këmbëngulja dhe mosdorëzimi ynë. Guri apo shkëmbi është shumë herë më i madh e më i fortë se pika e ujit, por këmbëngultësia dhe mosdorëzimi i pikës së ujit triumfon kundër shkëmbit, me goditjen e saj ritmike e të pandërprerë, derisa guri apo shkëmbi çahen më dysh. Ne duhet të veprojmë si pika e ujit kundër ushtrive e policive pushtuese të armiqve të Atdheut tonë dhe në fund do të jemi ne fitimtarët. Dhe në këtë rast nuk fiton forca, por këmbëngulja jonë permanente.

Vendosmëria është qëndrim, kurse këmbëngulja jonë është veprim, veprim për të goditur pandërprerje, veprim për të mos u dorëzuar. Këmbëngulja dhe goditja konstante e thyen rezistencën, qoftë të gurit, qoftë të ushtrisë armike. Asgjë nuk është e plotëfuqishme dhe e pathyeshme përballë durimit, këmbënguljes dhe mosdorëzimit.

SAKRIFICA-FLIJIMI

Sakrifica është vetëmohimi i vetvetes, heqje dorë nga disa dëshira të momentit, për të arritur një qëllim të lartë e të shenjtë, siç është liria e Atdheut. Sakrifica është mundim, vuajtje dhe dhimbje që i shkaktojmë vetvetes për të përmbushur ëndërrat tona kombëtare, për të realizuar idealin tonë kombëtar të Shqipërisë Etnike. Sakrifica është humbje, peripeti, shqetësim dhe dëmtim personal për hir të interesit të përgjithshë, për interesa të larta kombëtare e shtetërore. Sakrifica është gatishmëri për flijim.

Flijimi është sakrificë dhe sakrifikim i vetvetes për ideale dhe interesa të larta kombëtare. Flijimi është theror, martirizim i vetvetes për të mbrojtur popullin dhe atdheun. Flijimi është dhënje e jetës, rënie dëshmor në altarin e lirisë, në fushëbetejë për të çliruar dhe ribashkuar Shqipërinë Etnike. Pa sakrifica dhe flijim, s’ka liri as bashkim. Sakrifica dhe flijimi janë rezultati përfundimtar dhe më i saktë i vetëdijes dhe ndërgjegjes patriotike dhe kombëtare të luftëtarëve të lirisë, të dëshmorëve dhe heronjëve të një populli.

VEPRA

Vepra është materializim, vënie në jetë e ideve tona, është përmbushje, zbatim, kryerje, përfundim, plotësim, realizim. Ëndrra për Shqipërinë Etnike duhet patjetër që të materializohet, të vihet në jetë, të shndërrohet në vepër. Duhet të kalohet nga teoria në praktikë. Vepra është realitet, kurse realiteti është shndërrimi i diçkaje nga inekzistenca në ekzistencë. Realiteti është kalimi i së vërtetës në vërtetësi, në veprim praktik.

Êshtë e vërtetë, reale ekzistenca e Shqipërisë Etnike, por ajo ende nuk është bërë realitet, ende nuk është çliruar e bashkuar, ende nuk funksionon si shtet juridik, i pavarur e sovran. Shqipëria Etnike, aktualisht, është realitet vetëm në ëndrrat e Shqiptarëve, në zemrat dhe mendjet tona, në Programin tonë Kombëtar për bërjen e saj realitet dhe shtet. Që ëndrra të bëhet vepër, realitet, duhet që të ketë një fillim, një veprim dhe një përfundim. Duhet të ketë një program politiko-ushtarak, një luftë çlirimtare dhe një fitore.

Një ëndërr pa vepra është thjeshtë një dëshirë. Dhe dëshirat shpesh u përngjajnë tekave e huqeve, janë pa përmbajtje dhe në shumicën e rasteve janë të paarritshme. Dëshira shpeshherë është e ngjashme me fantazinë, kurse ëndrra ka përmbajtje, ajo mbështetet në realitetin objektiv e subjektiv dhe në artin e të mundshmes.

Në veprimtarinë tonë atdhetare e çlirimtare nuk duhet që t’i ngatërrojmë ëndrrat me dëshirat, sepse ka dallim të madh në mes asaj që ne duam që të bëhet Shqipëria Etnike (dëshirës) dhe asaj që ne bëjmë (veprojmë) që ajo të bëhet.

Një ëndërr e mbështetur në veprim, aksion, goditje, lëvizje, këmbëngulje dhe vendosmëri, është e destinuar të shndërrohet në vepër. Vepra është rezultati final i gjithë mozaikut të gjerë të veprimtarisë shoqërore, politike, ekonomike, organizative, propagandistike, kulturore, artistike, letrare, shkencore dhe luftarake të mbarë popullit.

Vepra për Shqipërinë Etnike është një punë kolosale dhe tepër e vështirë. Është një barrë e rëndë, të cilën vetëm një komb i tërë, i vendosur dhe i mobilizuar plotësisht mund ta bartë mbi supe dhe ta çojë përpara deri në realizimin e plotë të saj. Vepra është kurorëzimi i fitores, ngadhnjim mbi pushtuesët. Vepra e Shqipërisë Etnike mund të bëhet vetëm nga kombi shqiptar e jo nga individët, grupet, shoqatat, organizatat, partitë apo qeveritë e ndryshme.

POROSI BREZASH

Shqipëria Etnike është ëndërr brezash, amanet gjeneratash. Është vazhdimësi e punës dhe e përpjekjeve të të Parëve tanë. Shqipëria Etnike është kërkesë dhe dëshirë e paraardhësve tanë, që ne ta vazhdojmë luftën e tyre për çlirimin dhe ribashkimin e Atdheut. Êshtë ngarkim dhe detyrim për Ne që ta vazhdojmë veprimtarinë patriotike, revolucionare dhe luftarake të stërgjyshërve tanë, për ta çuar më tej veprën e tyre për ruajtjen dhe mbrojtjen e Shqipërisë Etnike.

Shqipëria Etnike është trashëgim për brezat që vijnë. Shqipëria Etnike është mësim, këshillë dhe udhëzim nga ana jonë për brezat që vijnë, se si të përpiqen dhe si të punojnë për bërjen e Shtetit tonë Kombëtar. Shqipëria Etnike është porosi dhe lënie në besë e besim nga ne tek gjeneratat e ardhshme që ta forcojnë e përparojnë më tej në të gjitha fushat: politike, ekonomike, ushtarake e kulturore.

Shqipëria Etnike është një Pishtar drite e lirie që përcillet nga pellazgo-iliro-shqiptarët dorë më dorë, zemër më zemër, brez pas brezi nga Parahistoria deri në ditët tona, dhe më tej deri në Ardhmëri e Përjetësi.

*****

Ëndrra për Shqipërinë Etnike është vetëm fillimi, kurse vendimi për ta ndjekur atë është vazhdimi. Por që ta ndjekim këtë ëndërr duhet që t’i besojmë asaj, duhet ta bëjmë pjesë të qenies sonë, të punës dhe të jetës sonë. Duhet që këtë ëndërr të lartë e fisnike ta ushqejmë çdo çast, që ajo të rritet e të lëshojë shtat në Ne e përreth nesh. Është një rrugë e gjatë, e vështirë, e mundimshme dhe madhe, por ne do ta bëjmë atë. Duket si rrugë e pafund, por çdo gjë që ka fillim, ka edhe fund. Dhe fundi i kësaj rruge të gjatë mijëravjeçare do të jetë Rilindja e Ilirisë, bërja e Shqipërisë Etnike.

Dhe mbi të gjitha, këtë ëndërr e ideal kombëtar duhet ta ruajmë e ta mbrojmë nga ëndërr-rrënuesit, nga pesimistët e disfatistët, nga egoistët e nihilistët, nga pakurrizorët e puthadorët e shumtë që i ka populli ynë. Sepse ata janë varrmihësit e ëndrrës sonë për Shqipërinë Etnike. Ata janë po aq të rrezikshëm e të dëmshëm sa edhe pushtuesit dhe sundimtarët sllavo-grekë.

Ta kultivojmë e ta ruajmë ëndrrën e Shqipërisë Etnike porsi sytë e ballit, si vetëveten nga armiqtë dhe miqtë e rrejshëm. Sepse ata synojnë që të na e rrënojnë ëndrrën tonë më të madhe, më jetike e vitale, që pastaj të na vrasin e tjetërsojnë më lehtë e më shpejt edhe neve dhe trojet tona stërgjyshore.

Ëndrra e cila mbështetet nga vendosmëria, këmbëngulja, durimi, qëndresa, mosdorëzimi, dhe besimi i madh e i patundshëm heret a vonë do të bëhet realitet. Sa më e madhe që të jetë ëndrra, aq më e madhe do të jetë fitorja. Dhe ëndrra e Shqiptarëve për Shqipërinë Etnike është një ëndërr vigane, një ëndërr antike, e lashtë qindra – mijëravjeçare, është epokale, një ëndërr brezash e gjeneratash të tëra popullore, prandaj edhe realizimi, përmbushja dhe fitorja e kësaj ëndrre do të jetë kolosale, do të jetë e pakrahasueshme për nga vlera dhe me përmasa mbarëkombëtare.

Ëndërra për Shqipërinë Etnike është ëndërr njerëzore, popullore dhe kombëtare e një kombi të stërlashtë, vendës, antik e heroik që punon, jeton e lufton për ruajtjen e atdheut të tij, për ribashkimin e trojeve pellazgo-ilire të Shqipërisë Etnike. Ëndrra kombëtare është gjakim, rrugëtim, është ëndërr për Shqipërinë Etnike. Lum ai shqiptar që e ka këtë ëndërr, që ëndërron për këtë ëndërr dhe që punon e lufton për realizimin e kësaj ëndrre.

REALITETI

Shqipëria Etnike është një realitet, sepse ekziston me të vërtetë, është një realitet natyror, objektiv, që ekziston jashtë vullnetit të miqve dhe armiqve të saj. Ajo është një realitet i gjallë, i prekshëm, që duket dhe që jeton në zemrat dhe mendjet e Shqiptarëve, në vetëdijen dhe ndërgjegjen e tyre kombëtare si pasardhës të Pellazgëve dhe të Ilirëve. Por ajo, aktualisht, është një realitet pasiv, jofunksional. Është ende një realitet i parealizuar, sepse ende nuk është e çliruar nga barbarët dhe se ende nuk është e bashkuar nga shqiptarët. Ajo ende nuk është bërë shtet me kufinj, me integritet, me sovranitet, me një qeveri dhe me një kryeqytet.

Shqipëria Etnike është reale, sepse ekziston, është faktike, ka territorin dhe të kaluarën e saj historike, ka banorët e saj – Kombin Shqiptar, si pronar të parë dhe të vetëm të këtij territori, i cili ka pastaj historinë, gjuhën, artin dhe kulturën e tij mijëravjeçare të ngritur e të ngulitur mbi këto troje antike të Shqipërisë Etnike. Është reale sepse i plotëson të gjitha vetitë, kriteret, parametrat dhe parakushtet që nevojiten për një shtet, prandaj edhe ka mundësi reale për tu bërë shtet.

Shqipëria Etnike është një aspiratë realiste e një populli të tërë, të stërlashtë, legjitim dhe autokton në trojet e tij pellazgo-ilire – e Kombit Shqiptar. Është një kërkesë realiste, e cila merr parasysh gjendjen, kushtet dhe rrethanat e vërteta të realitetit objektiv e subjektiv dhe që vepron në përputhje me to.

Shqipëria Etnike është një ideal, një dëshirë dhe një ëndërr e realizueshme, e cila mund të përmbushet, mund të plotësohet, mund të realizohet dhe mund të bëhet realitet nga përpjekja, veprimtaria dhe përkushtimi i përhershëm dhe i vendosur i kombit shqiptar.

Shqipëria Etnike është realitet, reale, realiste dhe e realizueshme.

HISTORIA NA MËSON

Ai popull që nuk ka të kaluar, nuk ka as të ardhme. Ai popull që e harron të djeshmen, nuk e kupton as të sotmen dhe e saboton edhe të nesërmen e tij. Ai komb që nuk e rrespekton të djeshmen, nuk e çmon të sotmen dhe nuk e meriton as të nesërmen. Ai popull që nuk mëson nga dështimet e kaluara, do të gabojë sot dhe do të dështojë edhe nesër.

Historia nuk është një seri përrallash të bukura apo të trishtueshme, ajo është një thesar vigan njohurishë, diturishë, përvojash e mësimesh të paçmueshme për njerëzit, popujt dhe për mbarë njerëzimin.

Ai popull që e çmon historinë, e kupton drejt atë dhe i zbaton në jetën dhe në luftën e tij të përditëshme mësimet e historisë, ai popull është i zgjuar dhe ka ardhmëri të ndritur.

Historia është thesari i bëmave tona: dëshmuese e së kaluarës, shembëll e mësim për të tashmen dhe paralajmërim për të ardhshmen.

Çdo njeri, çdo popull e çdo shtet, si dhe mbarë bota, kalon nëpër tri faza të veçanta të jetës dhe të zhvillimit të saj:

1.e kaluara,

2.e tashmja dhe

3.e ardhshmja,

të cilat janë të lidhura pazgjidhshmërisht me njëra-tjetrën, plotësojnë njëra-tjetrën dhe përbëjnë një tërësi të vetme që quhet pastaj historia e njeriut, historia e shtetit, historia kombëtare dhe historia e njerëzimit apo botërore. Prandaj nuk duhet të injorohet asnjë fazë e historisë së një populli dhe historisë së njerëzimit.

Shqipëria Etnike nuk ra nga Qielli, ajo mbiu nga Dheu.

Shekulli i ri ka ardhur, kohë të reja kanë lindur.

NËNTOR 2007

About these ads

From → Uncategorized

Lini një Koment

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Log Out / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Log Out / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Log Out / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Log Out / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

%d bloggers like this: