Skip to content

FAMILJA KATRO ( ÇETIRI ) NGA OPARI (Pjesa e Pare)

by më 24/02/2008

johan-k.jpg Nga Apostol Bitraku

Shumë familje të mëdha, të vjetra e të dëgjuara që banojnë sot në Korçë, origjinën fillestare e kanë pasur nga fshatrat e Oparit. Ato fillimisht kanë zbritur në Voskopojë dhe pastaj, pas prishjeve të saj disa herë, janë vendosur në Korçë dhe në vende të tjera të Ballkanit e më tej.

Të tilla janë familjet që dhe sot e kësaj dite mbajnë mbiemrat Ballauri, Fundo, Samara, Strati, Xega, Koçi, Sofroni, Menkshi, Veshi, Denasi e mjaft të tjera. Një ndër këto familje me emër, e dëgjuar e me kontribut të dukshëm në disa drejtime është edhe familja Katro.
Tradita popullore emrat e këtyre familjeve dhe prejardhjen e tyre e lidh shpeshherë me disa dukuri të jashtme. Familja Ballauri p.sh. mbante këtë mbiemër se e kishte shtëpinë në ballë të urës. Dhe kënga popullore thotë:
Kjo e Taqo Ballaurit,
Hedhur cepat e lahurit,
Obobo ç’ma dredhka belë,
Si vaporr kur del në skelë.

Dhe kjo këngë nuk është kënduar as në Voskopojë, as në Korçë, po është kënduar në Opar, gjë që tregon origjinën fillestare të kësaj familjeje, pastaj ajo u vendos në Voskopojë e më vonë në Korçë. Familja Fundo quhej kështu se e kishte shtëpinë në fund të fshatit. Familja Koçi Opari ka qënë familje rrobaqepësish, terzi, në Voskopojë ndaj: “Pares kush ja preu fustanë ?/ Koçi Opari me të vëllanë”.
Samara, në fillim,në Marian, ishte Samarxhi ndaj… “Nuk e prishim fshanë/ Sa para të duhen/ Samarxhinjtë i kanë”.
Sado të rastit ose naive të jenë këto shpjegime, sipas tregimeve gojore, këto familje kanë banuar në fshatrat Marian, Lavdar, Opar, Punëmirë, Kucakë, Dushar, Denas etj.
Që këto familje dhe të tjera e kanë pasur origjinën nga fshatrat e Oparit , vërtetohet edhe me faktin se shumë prej tyre edhe tani, megjithëse kanë kaluar shumë vjet, disa breza që janë larguar prej andej, mbajnë për mbiemër emrin e fshatit të tyre, fenomen ky mjaft i përhapur kudo. Shumë familje sot në Korçë apo edhe në vende të tjera e kanë mbiemrin Opari, Dushari, Mariani, Denasi, Punëmira e tj.

(Pozicioni i Korçes ne Shqiperi)
Përsa i përket familjes Katro ka disa legjenda e gojëdhëna që flasin për lëvizjet e saj që prej dy ose tre shekuj më parë. Një nga këto gojëdhëna e ka evidentuar për herë të parë studiuesi i pasionuar dhe i palodhur Theofan Popa në një shkrim të botuar shumë vite më parë në një nga Buletinet e Universitetit Shtetëror të Tiranës. Kjo legjendë është ajo që ka treguar Nikollë Katro nga Lavdari i Oparit, i cili jetoi gjatë dhe ruante shumë kujtime nga paraardhësit e tij. Nga të dhënat gojore del se më parë familja Katro nga Lavdari, mbiemrin e kishte Strati, Strato. Edhe kjo familje banonte po aty, në krye të fshatit ku janë edhe sot gërmadhat e shtëpisë. Deri vitet e fundit thirreshin Shtëpitë e Stratit, Ara e Stratit, Arra e Stratit e tj. Këta Stratasit kishin një tokë të përbashkët me një familje tjetër po nga Lavdari. Siç ndodhte shpesh në raste të tilla dhe në kushtet e asaj kohe, kjo tokë ishte bërë burim sherri për të dy familjet. Një ditë sherri arriti kulmin dhe në zënie e sipër një nga Stratasit vret fshatarin tjetër duke e lënë të shtrirë në mes të arës. Prej këtij momenti, vrasësi, që ti shpëtonte ndjekjes nga pushtetarët turq, se Lavdari ishte qëndër administrative për zonën, nahije, mori familjen dhe mërgoi me shpejtësi në Grabovë. Në fshat ra zia dhe u dënua një veprim i tillë. Vrasësi nuk gëzonte respekt se edhe më parë kishte bërë sherre e zënie. Në një nga këto zënie dikush e kishte goditur, i kishte çarë buzët dhe ai dukej si me katër buzë dhe mjaft antipatik. E ëma e atij që ishte vrarë, nisur nga këto rrethana, kur e qante të birin i thoshte se nuk të vrau ndonjë më i mirë, po të vrau një buzë katro. Prej kësaj kohe dhe në këto rrethana, familjes Strati ju kthye mbiemri në Katro.
Pas disa vitesh, Katrot u kthyen nga Grabova dhe u vendosën përsëri në Lavdar se, sipas ligjit turk të asaj kohe, pas tre vjetësh nuk kërkohej më llogari për vrasjen e kryer. Po edhe pas kësaj nuk mbaruan shqetësimet. Kishin kaluar vite, mbase breza. Një ditë, një nga Katrot, me emrin Risto, kishte marrë mushkën dhe po shkonte në pyll për dru. Në rrugë i doli një zaptie dhe i kërkoi mushkën se do të vinte në mulli. Ristoja kundërshtoi dhe nuk donte t’ia jepte. Zaptia tentoi t’ja merrte me forcë mushkën, po Ristoja e goditi me sëpatë zaptien dhe e la të vdekur. Kthehet me vrap në shtëpi, merr njerëzit e familjes dhe shkojnë përsëri në Grabovë. Aty, për të humbur gjurmët dhe për tu shpëtuar ndjekjeve, e ndërron mbiemrin nga Katro në Çetiri. Siç dihet Çetiri në sllavisht do të thotë – katër – pra Katro. Pasi kaluan shumë vjet aty, një pjesë e mirë e kasaj familjeje të madhe, u kthye përsëri në Opar dhe disa u vendosën në Lavdar, disa pas vitesh në fshatin Opar. Më vonë ka pasur edhe migrime të tjera dhe pjestarë të familjes Katro janë vendosur edhe në fshatin Osojë. Deri vonë në këta fshatra kishte disa familje që e mbanin mbiemrin Katro. Prindërit, baballarët e gjyshërit e tyre janë varrosur aty. Ndërsa pjestarë të tjerë të kësaj familjeje që mbetën në Grabovë, vazhduan të mbanin mbiemrin Çetiri dhe disa prej tyre u shquan për një kohë të gjatë si piktorë ikonografë.
Pra nga këto dhe gojëdhëna të tjera të ruajtura deri kohët e fundit nga pleqtë oparakë dhe grabovarë del se familja Katro ka qënë nga fshati Lavdar i Oparit, më parë me mbiemrin Strato dhe se familja Çetiri, pavarësisht nga mbiemri sllav, është po prej kësaj familjeje dhe po prej këtij fshati. Këto familje janë nga i njëjti trung familiar, me kombësi shqiptare se Lavdari i Oparit është banuar tej e mbanë me popullsi puro shqiptare.

(Pozicioni i Oparit ndaj Korçes)
Familjet me mbiemrin Katro që banonin në fshatrat e Oparit, merreshin kryesisht me zejtari. Ata ishin marangozë e zdrukthëtarë të zotë. Si shumë të tjerë në Opar edhe Katrot ishin drugdhëndës të shquar e punonin në fshatra te ndryshëm si dhe në Berat, Vlorë dhe në Durrës. Ndërtonin aty jo vetëm shtëpi banimi, po edhe objekte të tjera si të ishte rasti duke lënë gjurmët e punës së tyre. Ata kanë ndërtuar edhe kisha në vëndin e tyre në Opar e gjetkë.
Një plak që banonte në Voskopojë, Gjergji Sofroni, po që ishte nga Punëmira e Oparit ka deklaruar se pjestarë të familjes Katro merreshin me mjeshtëri, sidomos me gdhendien e drurit. Punët prej druri të gdhëndur dhe dekoracione të tjera të kishave të Lavdarit, janë punuar prej tyre së bashku me mjeshtër të tjerë nga ky fshat. Po kështu katrollarët, bashkë me usta Mandushin nga Lavdari, kanë gdhëndur edhe ikonostasin e kishës së Punëmirës që ishtë shumë i bukur, po që më vonë u prish e u dogj. Si drugdhëndës e piktorë të dëgjuar që kanë punuar nëpër kishat, sipas traditës gojore nga kjo familje kanë qënë Nasi Katro, Petro Katro, Naumi dhe Ngjelo Katro.
Po katrollarët merreshin edhe me bujqësi e blegtori. Megjithëse Opari kishte terren malor të vështirë e toka të varfëra, kur punohej mirë e me kujdes, edhe gruri bëhej edhe misri bëhej. Tregojnë për Josif Katron nga Lavdari që kishte shumë bagëti e prodhonte grurë sa të ushqehej tërë Opari. Josifi kur ishte i ri, si shumë të tjerë të asaj kohe, mori udhën e kurbetit, shkoi në Stamboll. Punoi atje pak kohë si kalldrëmxhi dhe pa se puna ishte e rëndë, e vështirë e lodhëshme dhe trajtoheshin shumë keq. Punën e fillonin me natë dhe e linin me natë. Dhe Josifi u mendua: “Me një punë të tillë prej skllavi, edhe atje në Lavdarin tim të largët , një copë bukë do ta siguroj dhe do të jem të paktën në familjen time, me njerëzit e mi”. Dhe nuk priti më. Mblodhi plaçkat, u dha lamtumirën shokëve të tij dhe u nis me dhjetë mexhide në xhep. Arriti në Korçë dhe atë natë qëndroi tek një miku i tij. U ngrit në mëngjes, dhe ashtu siç ishte, i heshtur e i mërzitur shkoi te kovaci.
- Dua të bëj një kazmë të mirë dhe të fortë se do t’ju bie gurëve. Sa para bën ? – i tha kovacit.
– Dy mexhide,- u përgjegj ai.
– Do të jap dy e gjysëm, po vetëm e dua të mirë.
Të nesërmen, mori kazmën, e futi në torbë me rrobat e vjetra dhe u nis për në Lavdar të Oparit. Kaloi Voskopojën, Përroin e Frikës, Çezmën e Dembelit, të përpjetën e Xeries, plot tetë orë udhë dhe arriti në mbrëmje në fshat, i lodhur e i dërrmuar. Njerëzit e familjes u habitën me këtë ardhje të papritur. Në fshat u hap lajmi se erdhi Josifi nga Stambolli. Gratë e shtëpisë, kurioze, vrapuan të shihnin torbat se çfarë u kishte sjellë Josifi nga Stambolli. Po ç’të shihnin? Torbat ishin mbushur me ca rroba e këpucë të vjetra dhe më shumë nga të gjitha rëndonte kazma. Nuk kishte nge Josifi tu tregonte fshatarëve dhe kuriozëve se ç’ishte Stambolli, ç’pa e dëgjoi atje, pse u kthye kaq shpejt e tj. Ai mori kazmën, i vuri një bisht të mirë prej thane dhe filloi punën. Bleu një pendë qe të mirë, një mushkë, shtoi bagëtinë. Arat i bëri qilizmë, u hapi kanale për të kulluar ujin, i plehëroi. Kjo punë nuk vazhdoi më shumë se tre – katër vjet rresht dhe ajo që pritej, erdhi. Prodhimi u rrit, bagëtia u shtuan. Pas kësaj ai i shtoi yzmeqarët. I provonte më parë. Kur dikush donte të vinte për të punuar te Josifi ai në fillim u thoshte: “Eja mor djalë, eja!”. I vinte bukë dhe e vështronte. Po të hante shpejt e pa fjalë, e mbante. Se ai që ha shpejt, mendonte, edhe punën e bën shpejt. “Qëndo,-i thoshte-, ti je për mua”. Po të hante ngadalë e të tregonte meselera njërën pas tjetrës, i thoshte: “Të bëftë mirë buka që hëngre, po shko tek ndonjë tjetër për të punuar, nuk je për mua”. Dhe me kaq e mbyllte pazarin.

Marre nga http://korcanews.com/index.html

About these ads

From → Uncategorized

Lini një Koment

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Log Out / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Log Out / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Log Out / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Log Out / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

%d bloggers like this: