Skip to content

Humanist i shquar shqiptar dhe bashkëpunëtor i afërt i Skënderbeut-arqipeshkvi Pal Engjëlli (Pjesa II)

by më 07/06/2008

mikeli2.jpg Nga (Klikò mbi figure)
Prof. Dr. Mikel Prennushi

Pal Engjëlli (1417 – 1470) diti të mbrojë drejt çështjen shqiptare dhe të bëjë përkrahës edhe në principata të tjera të Italisë. Nuk duhet të na habisë fakti që një kryepeshkop luan kaq mirë rolin e një diplomati. Në Mesjetë, klerikë, shkencëtarë, shkrimtarë kryenin këto detyra duke përfituar nga prestigji që gëzonin, gojëtaria dhe mençuria.

Kështu, në Mesjetë edhe Dante e Bokaçio qenë ambasadorë, po ashtu si matematikani e stronomi shqiptar, Gjon Gazulli, presbiter, (prift i nderuar) qe për disa vite sherbeu si i dërguar i posaçëm i Skënderbeut në Republikën e Raguzës, radhazi me vëllezërit e tij Pali dhe Andrea. Në dokumentet e kohës: “Johannes Gini Gazulo, artium doctor, astronomus praeclarissimus (Gjon Gjin Gazulli, doktor i shkencave dhe astronom shumë i çmuar) qe edhe profesor i Universitetit Al’Bo’ të Padovës. Pal Engjëlli qe diplomat i Skënderbeut edhe në marrëdhëniet komplekse e të vështira me Republikën e Venedikut. Këtë e dëshmon edhe një marrëveshje e datës 13 shtator 1465, në tëcilën Pal Engjëlli nënshkruan “në emër të madhnueshmit Skënderbe” si dhe konsultimet e shpeshta e të herë pashershme që bëri Skënderbeu me të lidhur me marrëdhëniet me Venedikun. Duke punuar me ngulm, mençuri e atdhetarizëm për një politkë të jashtme sa më aktive në dobi të çështjes kombëtare, Pal Engjëlli nuk harron asnjë çast se burimi kryesor i forcës shqiptare qëndronte në bashkimin e popullit të të gjitha krahinave nën udhëheqjen e Skënderbeut, nën një komandëtë vetme e të drejtë. Prandaj në fjalimet e tij para popullit ai mburri kurdoherë këtë figurë kryesore të qëndresës shqiptare. Në një nga fjalimet e tij para luftëtarëve shqiptarë, sipas Marin Barletit, Pal Engjëlli më 1641 tha këto fjalë për kryetrimin e atdheut tonë:

“Fatbardha dhe fort të lumtura janë ato republika, mbretëri e shtete, që qeverisen nga njerëzit më të mirë dhe më të ditur…Në kohën e sotme ne e shohim qartë si drita, se këtë fat e kanë pasur Arbërit tanë, të cilët qeverisen nga Skënderbeu, i vetmi princ aq i ditur, aq i mirë dhe kapidan i pathyeshëm…”

Këto fjalë tregojnë konsideratën e lartë të Pal Engjëllit për Skënderbeun. Ata ngjallën besimin e krenarinë e popullit për këtë figurë politike e ushtarake, për këtë njeri me virtyte të larta, simbol i popullit të vet. Me autoritetin e tij kishtar Pal Engjëlli u përpoq të realizojë dhe bashkimin e koherencën mes princërve shqiptarë nën udhëheqjen e Skënderbeut. Një vepër e mirë e tij është sidomos ajo që, me përpjekje e maturi, më 1459 pajtoi mes tyre princërit dukagjinë me Skënderbeun, duke shmangur një përçarje mes rradhëve të shqiptarëve apo një gjakderdhje të kotë.

Nuk ka dyshim se në politikën e jashtme të shtetit arbër, në shekullin XV, një rol të rëndësishëm ka luajtur Imzot Pal Engjëlli si një i ditur, i kulturuar dhe i besuar i Skënderbeut, si prelat kishtar që me autoritetin e prestigjin e tij ndikoi me atdhetarizëm në ngjarjet e kohës. Ai është figura e diplomacisë shqiptare së kësaj periudhe që shënoi një epokë dhe diplomati i parë shqiptar që njohim deri tani.

Pal Engjëlli, si figurë historike, atdhetare e humaniste i atribuohet dhe një meritë tjetër. Mendohet se ai është autori i një historie të Skënderbeut në gjuhën latine e botuar nëVenedik më 2 prill 1480, pra gati 30 vjet para veprës së Marin Barletit. Për herë të parë dhe i vetmi që e shfrytëzoi këtë vepër është historiani italian G. Biemmi i cili botoi më 1742 në Breshia (Brescia) “Istoria di Giorgio Scander’begh”. Ai pohon se historinë e Skënderbeut të vitit 1480 e gjeti në një bibliotekë dhe e shfrytëzoi gjërësisht për veprën e tij, ashtu si dhe vepra të tjera, si atë të Barletit dhe të shumë autorëve të huaj mbi Skënderbeun. Vetë Biemmi na e jep titullin e kësaj vepre, titull të cilin e gjeti në fund të librit, me qenë se fletët e para qenë të grisura: eksplicit Historia Scanderbeghi, EDITA PER QUONAMALBANENSES…” (Këtu merr fund Historia e Skënderbeut, botuar prej njëshqiptari…) Meqenëse autori mbeti anonim, Biemmi e quajti “Antivarino” apo në gjuhën shqipe “Tivaresi”. Biemmi na thotë edhe se Tivaresi e shkroi historinë e Skënderbeut edhe mbi bazën e dëshmive të vëllait të tij, i cili shërbeu si oficer në gardën e Skëndebeut. Duke marrë parasysh këto të dhëna si dhe të tjera, historiani ynë injohur Fan Noli, me të drejtë mendon se ky autor anonim nuk ka kush të jetë tjetër veçse Pal Engjëlli. Historiani gjerman Franz Babinger e ndonjë tjetër, pa u thelluar, e kanë menduar historinë e Skënderbeut të vitit 1480 një shpikje të Biemmit, po kjo kundërshtohet me të drejtë se kjo histori ka të dhëna e datime më tepër se ajo e Barletit dhe se më vonë këto të dhëna janë vërtetuar nga dokumentacioni, se kjo histori është një burim i pavarur, se ajo është më realiste e me një vështrim më kritik se veprat e tjera dhe së fundi, një gjë të tillë Biemmi nuk kishte arsye të bënte. Duke arsyetuar mbi këtë çështje, domethënë mbi autorësinë e veprës dhe mbi veprën, Fan Noli bie në konkluzion e arsyetuar se kjo vepër është shkruar nga Pal Engjëlli, sepse prej një njeriu të ditur si ky mund të pritej një vepër e tillë, se Engjëllorët vërtetë kanë qëndruar në Drisht, po në zotërimin e tyre ka qënë Tivari dhe se Pal Engjëlli, kryepeshkopi i Durrësit, kishte vërtetë një vëlla të tij, Pjetër Engjëllin, oficer të gardës së Skënderbeut dhe pikërisht ai duhet t’i ketë shërbyer me të dhëna të sakta për luftimet kundër osmane e ngjarje të tjera nga balli i përgatitjeve për luftë. Më në fund, duhet të themi se Pal Engjëlli, dhe i vëllai Pjetër Engjëlli, vdiqën në mërgim, në Itali dhe vepra ka mundësi të jetë shkruar në periudhën e mergimit dhe të jetë botuar në Venedik, pikërisht aty ku bashkëvëllazëria shqiptare (Confraternità albanese) e asaj periudhe kishte krijuar një vatër të kulturës shqiptare.

Të kujtojmë Barletin, Biçikemin, Karpaçin e viganë të tjerë të mendimit e të artit humanist shqiptar dhe të Rilindjes europiane. Dy studiues të huaj, të mirë informuar, të kësaj periudhe e që kanë shkruar vepra me vlerë si, Johann Fallmerayer dhe Hof (Hoph), kanë pohuar se Lukari, analisti mirënjohur raguzan, në veprën e tij “Analet e Raguzës”, shprehet qartë se kryepeshkopi i Durrësit ka lënë një vepër të shkruar për Skënderbeun. Është fakt se Pal Engjëlli ka vdekur më 1469 dhe se vepra mbi historinë e Skënderbeutu shtyp më 1480, po kjo nuk përjashton mundësinë që dorëshkrimi i tij të jetë botuar si vepër postume (pas vdekjes).

Pikëpyetja kryesore mbetet te vepra e Tivarasit (apo Pal Engjëllit), që nuk është gjetur deri sot. Në kohën kur u botua kjo vepër shtypshkrimi në Venedik, po dhe në mbarë botën, ishte në hapat e para. Kjo nuk është e para vepër incunabula (kështu quhen veprat e botuara nga fillimi i shtypshkrimit e deri në 1500) që ka humbur. Sidoqoftë ne mbështetemi tek studimet e thelluara të Fan Nolit dhe shpresojmë të vërtetohet një ditë vepra dhe autori. Të gjithë janë të mendimit se prej Imzot Pal Engjëllit pritej një vepër e tillë për Motin e Madh shqiptar dhe kryetrimin e arbërve, Skënderbeun, sepse ai qe një ndër bashkëpunëtorët e afërt të heroit, mik, shok e bashkëmoshatar me te. Ai më mirë se asnjë bashkëkohës i tij, me erudicionin, me atdhetarizmin, me idetë humaniste, mund të shkruante këtë vepër në kujtim të atyre ngjarjeve të mëdha që përjetoi Arbëria, një vepër për brezat që do vinin. Autor i dokumentit të parë të shkuar në gjuhën shqipe, diplomat, atdhetar, humanist i njohur, Imzot Pal Engjëlli si bashkëpunëtor e bashkëluftëtar i Skënderbeut për çështjen shqiptare ka një vend të merituar në historinë religjoze ekulturore të atdheut. Imzot Pal Engjëlli ka luajtur një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet e Shqipërisë së kohës së Skënderbeut me Papatin, dhe konkretisht me Papët, Nicola V (1447 – 1453) humanist i përmendur, Kalisti III (1453 – 1458), Pio II (1458 – 1464) dhePaolo II (1464 – 1471), gjatë pontifikateve të tyre.
Enea Silvio Piccolimini, humanist i shquar që më vonë u bë Papë, e çmoi shumë humanistin Pal Engjëlli si prelat fetar dhe humanist. Dihet historikisht se ky Papë (Pio II) qe nisur për Shqipëri për t’i ardhur në ndihmë Skënderbeut dhe kishte ndërmend të kurorëzonte Heroin Kombëtar mbret të Shqipërisë. Por dihet se Papa Pio II, gjatë rrugës për në Shqipëri, vdiq nëAnkonë më 15 gusht 1464.

Bibliografia

1. M. Barleti. “Historia e Skëndërbeut”, Tiranë, 1964 (përkth. prof. Stefan Prifti) fq. 395, 396, 397, 430, 467.
2. N. Jorga. “Notes et extraites per servir à l’histoire des croissades au XV siècle”, Bukuresht, 1915, fq. 195.
3. Fan S. Noli “Historia e Skënderbeut”, Tiranë, 1967, fq. 245, 251, 270, 120, 159, 170; George Castrioti Scanderbeg (1405-1468) by Bishop Fan Stylian Noli Ph.D., International Universities Press, New York, 1947.
4. Giammaria Biemmi. “Istoria di Giorgio Castrioto Scanderbegh, Brescia, Giam. Battista Bissimo, 1742 (Biblioteka e Muzeut Shkodër).
5. M. Barlezio “De vita et Gestis Scanderbeghi Principes, Romae 1508 – 1510. (Biblioteka e Universitetit Shkodër).
(Shënim i autorit: Në librin tim “Kontribut shqiptar në Rilindjen Europiane” Tiranë 1980, mungojnë humanistët Imzot Pal Engjëlli dhe prifti nga Drishti Dhimiter Frangu, historian i Skenderbeut. Me botimet që po i bën “Phoenix” këtyre dy figurave, plotësohet edhe kuadri i kësaj trajtese).

Marre nga http://www.arbitalia.it/cultura/interventi/pal_engjelli.htm

About these ads

From → Uncategorized

Lini një Koment

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Log Out / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Log Out / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Log Out / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Log Out / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Këtë e pëlqejnë %d bloguesa: