Hidhu te lënda

Lek Pervizi: SHKODRA KRYEQENDRA E KULTURES HISTORIKE SHQIPTARE

by më 01/12/2008

Në qofte se ka në Shqipni një qytet që të jetë përciellës i historisë ma të lashtë e ma heroike e lëgjendare të popullit shqiptar, patjetër se asht qyteti i Shkodrës. Por, mjerisht, prej disa rrethanave e ngjarjeve krejtësisht të përkunderta me historinë e shqiptarve, qyteti i Shkodrës pësoi një tronditje të madhe materiale, kulturore, morale e shpirtnore, kur ra nën sundimin e diktaturës sllavo-komuniste.

Ndër krimet e tjera, përveç atyne që ia sakatuen e gjymtuen shtresën e naltë intelektuale, ku përfshihëshin, profesorë, shkrimtarë e artistë, fetarë të besimeve të ndryshme, krimi me i madh ishte imponimi i gjuhës së diktatorit në kurriz të gegnishtes letrare, që përfaqësohej nga shkrimtarë e poetë të mëdhej, te kombit shqiptar, i pari ndër ta, “Homeri shqiptar” Gjergj Fishta, të cilit ia dhunuen vorrin, ia hodhën eshtnat e shenjta ne lumin Drin dhe ia ndaluen veprat rreptësisht. Në radhë pas tij vijnë Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Ndoc Nikaj, Filip Shiroka, Vinçenz Prenushi, Ndre Zadeja, Ernest Koliqi, Martin Camaj, Arshi Pipa, Migjeni, dhe perkthyesit e shquar, Pashko Gjeçi, Gjon Shllaku, Guljelm Deda, Henrik Lacaj, Mark Dema, etj., të ciliët lëvronin ne nivel te naltë gegnishten letrare. I këtij mendimi nuk ishte diktatori antishqiptar e antishkodran, dhe prandaj kurdisi kongresin famekeq më 1972 në Tiranë, për t’i dhanë goditjen e vdekjes gjuhës së Fishtës e të shkodranve te tjerë të shquem te letrave e dijeve. Në këtë rast ai tregonte injorancën e tij të madhe, sepse shkelte mbi trashëgimin gjuhësor historik të shqipës, që ishte gegenishtja, që niste me dorëshkrimet e para të Teodor Shkodranit (1200) e librat e parë shqip, me Buzukun, Budin, Bogdanin e Bardhin, katër shekuj më parë se të hapej shkolla e parë shqipe e të mbahej Kongresi gjuhësor i Manastirit, nën drejtimin e At Gjhergj Fishtës, i cili luejti rolin vendimtar me na dhanë alfabetin që ne përdorim të dy palët, gegë e toskë. Por jo fort krenar u paraqiten shkrimtarët e intelektualët shkodranë që e ulën kokën nën zgjedhen e dialektit të diktatorit kriminel, dhe qëndrojnë akoma kokë ulun e nën zgjedhë të atij dialekti edhe tashti që tirani merhum nuk ban ma hije mbi këtë dhe.

U shtyna pak gjatë, e sikur duket se nuk po ndjek fillin e bisedës që nisa me madhështi në fillim. Pikërish për të theksue atë traditë historike që ruen Shkodra, i nxora përpara atë anën e zymntë që kërkonte me ia errësue lavdinë e dikurshme. Prandaj po kthehemi ne brazdën që hapëm.
Ku qëndron madhështia e Shkodrës si qytet antik e si qendër shekullore e mija vjeçare e indetitetit historik të shqiptarve, së pari si shqiptarë dhe se dyti si europian ?

Antikiteti i Shkodrës nuk asht ai që kanë shkrue e shkruejnë shkruejnë e trumbetojnë disa historianë, të cilët u ushqyen me kulturë marksiste e nuk shohin përtej syve të partisë e të diktatorit sundues, mesimet e të cilëve ishin dogma të pathyeshme. Tabu.

Ç’don me thanë me këto fjalë do të thotë lexuesi i këtij shkrimi ? Asgja tjetër veçse me kthye historinë e Shkodrës në hullinë e vet.

Për te saktësue lashtësinë e qytetit, mjafton të hidhet një sy mbi themelet e para e ma të vjetra të kalasë Rozafat. Ato gurë aq të mëdhej ciklopikë të mureve të vjetër, janë pikërish muret pellasgjike, që njihen të tilla nga e gjithë bota, perveç se prej shqiptarve, e që u quejtën ciklopikë për nga madhësia dhe nga vendosja pa lidhje llaçi. Këto mure, janë nga ma të vjetrit që shënohen në ndërtimet e njerëzve të parë, dhe i përkasin pikërsht qytentnimit pellasgjik. Mure që e bashkërendisin Shkodrën me qytetet antike parahistorike, të Trojës, Mikenës, Tirintit, etj. Këto që po them nuk janë pralla, por janë si rrjedhim i zbulimeve të fundit, ku vërtetohet se i gjithë Ballkani, deri ne Europën qendrore dhe vendet baltike, por dhe pertej detit Adriatik, në Itali, Francë e deri në Spanjë, si dhe në trevat veriore deri ne Gjermani, Angli e vendet scandinave, kanë qenë përhapun ai qytetnim i parë që quhet qytetnimi pellasgjik. Sidomos në Ballkan e kryesisht në tokat shqiptare, Pellasgët zunë vend, dhe gjurmët e tyne shihen në rrenojat e murëve me gurë të mëdhej të pa gdhendun që shihen kudo në Shqipni, por që askush nuk i ka studiue, e nese i ka studiue u ka dhanë një moshën e shek. IV-VI para Krishtit, kur ato mure mund te jenë ndërtue mija vjet ma parë. Shumë ma përpara se lufta e Trojës, qytet edhe ky pellasgjik, por shumë ma i ri se nga pesë shtresat e qyteteve të tjera që gjendën nën të, një prej të cilëve, ma i lashti, quhej Dardania, themelue nga mbreti lëgjendar mitik Dardan (Dardanos, ku os asht prapashtesë greke).

Prandaj, themelimi i kalasë së Shkodës i kalon të 3000 vjetë para Krishtit, dhe lidhja me Pellasgët e motit del vetvetiu, sepse shqiptarët nuk levizën prej trojeve te tyne, dhe ngjarjet e mavonshme historike e vërtetojne këtë. Duke kapërcye disa shekuj, asht lufta iliro-romake, qe na vjen në ndihmë. Mbretnit ma të shquem ilirë ishin pikërisht ata që sunduan në Shkodër, dhe dominuen gjithë brigjet e Adriatikut, nga Dalmacia deri në Korfuz, me një radhë mbretnish, si Agroni, Teuta, Skerdilaida, Pineu dhe Mbreti Genc, që ishte mbreti i fundit ilir. Genci deshti me krijue konfederatën e madhe ilire, dhe kur Roma vendosi me pushtue me forcën e armëve Ilirinë, ai u orvat të bashkojë të tre ushtritë kryesore ilire, të Macedonisë, Epirit dhe të Shkodrës, ku ai sundonte. Por romakët me Konsullin e famshëm Paolo Emilio, nuk e lejuen këtë bashkim, dhe i shpartalluen ato ushtri veç e veç. Kështu mbreti Genc nuk pati mundësi të përballonte ushtrinë e fuqishme romake dhe pas tre muej qendrese u dorëzue. Romakët e çuen në Romë si rob i shquem lufte, dhe sipas disa të dhanave e caktuen me jetue ne një vend afër qytetit Gubio, duke e trajtue me respekt e ku gjendet edhe vorri ose mauzoleu i tij. Pushtimi romak shënoi edhe një far ramje të Shkodrës, sepse banorët e saj u strehuen në Malësinë përreth deri vonë, kur erdhën Venedikasit, qe e morën nën kujdesin e tyne, bashkë me Tivarin, Lezhën, Shëngjinin, deri te lumi Mat. Pas vdekjes së Skanderbeut, me 1478 qyteti i Shkodrës ra në dorë të turqëve, ku humbi nën erresinën e injorancës osmane, i kthyem pothuej në një fshat të madh. Kontaktet me botën e zhvillueme europiane ishin pre. Duhej te kalonin ma se 400 vjet që Shkodra të fillonte me marrë frymë, kur u shpall Pavarësia.

Por ne të gjithë këtë rrethana ajo mbeti qendra kulturore e historike e veriut ose me e thanë ma shqip e Gegnisë
Tashti kthehemi persëri nga fillimi. Qortova intelektualet e shkrimtarët shkodranë, ku përfshihen edhe gazetarët e disa gazeta, që pas shembjes së diktaturës vazhdojnë t’i mbajnë ison gjuhës së diktatorit, qe nuk la gja pa ba e krim pa krye në Shkodër gjatë 40 vjetëve të sundimit të tij si tiran e xhelat i shqiptarve e kryesisht i shkodranve.

Pas vitit 1990 Shkodra duhet të mbante qëndrim të premë ndaj gjuhës, tue mos me lejue që as organet e shtypit as shkrimtarët që e quenin veten shkodranë të vazhdonin të shkruenin në dilalektin e kriminelit gjirokastrit tue pasë gjuhën e tyne të bukur e historikisht ma e vjetra e themeluesja e kulturës dhe letërsisë shqiptare. Emnat e Buzukut, Budit, Bogdanit, Bardhir etj. deri te Fishta i Madh, përbajnë themelin e gjuhës shqipe.

Kohët e fundit po vërtetohet se asht pikërsisht gegnishtja që ruen lidhjen me gjuhën ma të lashtë që të jetë folun në Evropë, që asht pellasgjishtja. Afro 800 fjalë-rranjë të shqipes veriore, kryesisht të Mirditës dhe Malsisë së Shkodrës janë trashëgimi gjuhësor që vjen drejt nga pellasgjishtja dhe patjetër ilirishtja, kur dihet se Ilirët janë pasardhësit e radhës së parë të Pellasgëve, me Thrakët e Dakët për gadishullin ballkanik, dhe me Etruskët, Mesapët, Japigët, Liburnët, Siculët e të tjerë popuj italikë.

Si me i ra mohit shqiptarët e Gegnisë, e kryesisht intelektualët Shkodranë, këtij trashëgimi qe vjen nga mijavjeçarët e tingëllon aktual edhe sot me gjuhën shqipe ? Si me pranue që fëmija e shkodranit të shkojë ne shkollat e “partisë” (sepse vazhdon po ajo politikë në arsim) e të mësojë me i thanë s’amës “nënë” ndërsa në shpi e therret “nanë” ? e të mësojë me këndue “ Shqipëri moj nëna ime” kur duhej të këndonte “Moj Shqipni moj nana ime” ? Po pse kështu ruhet identiteti i shqiptarit duke vazhdue me iu nënshtrue ligjeve dhe rregullave të regjimit te diktaturës komuniste ? Po pse, duhen hedhë në koshin e plehut, Fishta me shokët e tij të shquem, për hatër të një paranoiaku antishqiptar e antigegë, haptas i deklaruem, jo me fjalë por me vendime e dekrete, i cili desh të zhdukte nga faqja e dheut Fishtën dhe gegnishten letrare, duke sajue kongresin e turpshëm të vitit 1972. Në këtë kongres, gjuhëtari dhe albanologu i shquem Maksimilian Lamberc, mbrojti Fishtën, e deklaroi haptasi, se e keni shkrimtarin e madh, ku duhet të mbeshtetëni për të vendosë mbi gjuhën zyrtare tuej, siç kanë veprue kombe te tjera, si Gjermania, me veprën e Martin Luterit, Italia me Dante Alighierin, Anglia me Shekspirin, Spanja me Cervantresin, Rusia me Tolstoin, Pushkinin, Dostojevski, etj. I shkreti Lamberc, u izolue e nuk guxonte kush me i ndejt afër, sepse kishte dalë kundër vijës së “partis” dhe vullnetit të diktatorit. Shkodranët rrinin kokë ulun e nuk ua mbante me thanë një fjalë të drejtë, përveç se me iu servilosë ndaj vendimeve të kreut të sllavo-komunizmit shqiptar. Me këto veprime e nxierr kokën antishqiptarizmi, që i bashkuem me antinjerëzorën u zbatuan në Shqipni me një terror te papamë në historinë tonë. Në qoftë se pushtimi turk na la në errësinën e i njorancës, sistemi komunist injorancën e bani sistem për të shkallmue kulturë e historinë e kombit shqiptar, e në këtë program djallëzor, për të shkallmue Shkodrën, si përfaqësuesja e padiskutueshme e kulturës ma të vjetër shqiptare, nga themelet e kalasë së Rozafatit e deri të pena e frymezume e Poetit të Madh Kombëtar, Gjergj Fishta. Shkodrës ia zhduku e ia vrau e ia burgosi bijt ma të mirë të saj, e Gjergj Fishtës “ Homerit Shqiptar” ia treti eshtnat ne lumejt e liqejt perreth qytetit dhe veprat ia ndaloi, duke i denue njerëzit të cilëve iu gjendeshin në shpi.

Me këto të dhana a asht e hijshme qe shkrimarët e intelektualët shkodrane, të vazhdojnë të shkruejnë me gjuhen e “nënës” ndjerkë, duke pasë gjuhën e “nanës” së tyne ? Nuk asht aspak i hishme, bile asht për të ardhun turp ! Aq ma keq që dhe fëmijët e tyne duen që t’i edukojnë nën kujdesin e “nënës” ndjerkë, duke ia hequn nga gjini i “nanës” së vërtetë. Ky asht paradoksi dhe absurditeti qe vazhdon të mbretnojë në kulturën shkodrane sot, sepse ka asish inetelktualë të marrosun pas udhëzimeve të “nënës parti”, ku ata vazhdojnë të thithin helmin e ideologjisë që e çoj Shkodrën me u katandisë, sa mos me mujtë me folë e me shkrue në gjuhën e vet, e mos me lexue e këndue kangët e “Lahutës së Malcisë, të kësaj vepre monumentale të letërsisë shqiptare, e cila arriti të paraqitet para botës në përkthimin anglisht nga Robert Elsie, i meritueshëm me u nderue e respektue nga shqiptarët, por veçanërsiht nga shkodranët.

Por çka po ndodh ? Nga ky kapitullim i intelektualve shkodranë, po u rriten veshët fansave të një lloj tjetër byqim shkrimtari që po ngrihet si gjeli mbi pleh e të cilin kanë pasë paturpësinë t’i ngjisin termin “Homeri Shqiptar” kur s’ka asgja homerike, as nga forma, as nga stili as nga përmbajtja, për të marrë kët epitet të pameritueshëm. Por ja që kjo vjen, dhe bretkoca don me u krahasue me bullin. Pse ? Por ashiqare kuptohet, sepse disa bij të palavdishëm të Shkodrës e pasardhës të padenjë të Fishtës, të indoktrinuem ose të paindoktrinuem, por të pa taban të mirëfilltë kulturor, janë ma të gatshëm të fundosin Fishtën, se sa ta himnizojnë, dhe në të kundërtën mezi presin t’i ngrejnë lavdi e deri dhe monument një figure letrare që të përfaqësojë ata që në Shkodër banë kërdinë mbi qyetarët e ndërshëm e mbi intelektualët e shquem, duke e lanë qytetin jetim e në mëshirë të lubisë ose kulshedrës që po gllabëronte jo vetëm Shkodrën por gjithë Shqipninë.
Nëse ky shkrim mund t’i duket dikujt se i ka kapërcye disa caqe, dhe se tingëllon tepër i rreptë e dënoncues, për mos me thanë denigrues, ndaj atyne që e kanë mizën në kësulë, këtë përgjegjësi e marr mbi vete. Fola e shkrova me një mllef të tillë, sa nuk asht vonë me i vu në binarë vlerat kulturore e gjuhësore të atij qyteti shqiptar, të asaj Shkodre, që ndrit mbi të gjithë qytetet e tjera të shqipnisë, për nga lashtësia dhe lavdia e historisë dhe e kulturës vërtet shqiptare e kombëtare që ajo përçoj ndër shekujt. Kaq.

About these ads

From → Uncategorized

Lini një Koment

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Log Out / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Log Out / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Log Out / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Log Out / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

%d bloggers like this: