Skip to content

Prof.dr.Jahja DRANÇOLLI: Kontributi i klerit katolik Kongresit të Manastirit (pjesa e dyte)

by më 10/04/2013

Shkollat e moçme në Kosovë

Pas Paqes së Karllovacit në vitin 1699 ndikimi dhe patronati austriak hetohet fuqishëm mbi të gjithë të krishterët nën sundimin turk dhe sidomos ndaj popullsisë katolike shqiptare. Këtej, Austrisë iu lejua në vitin 1791 të hapte një konsullatë në Shkodër dhe një nën konsullatë në Durrës, qytete këto nën juridiksionin e kishës katolike. Të drejtat e Austrisë mbi katolikët shqiptarë i njihte edhe Selia e Shenjtë, ku si rezultat u realizua Konkordati në mes të Vatikanit dhe Austrisë të arritur në vitin 1855. Sipas këtij Konkordati, “Vjena pati në kujdes ndërtimin, rindërtimin dhe mirëmbajtjen e institucioneve fetare, përkrahjen e klerit ekzistues të urdhrave katolike si dhe përgatitjen e klerit të ri me anën e shkollave brenda dhe jashtë vendit”.
Numri më i madh i tyre u ndërtua në toka shqiptare. “Prej 240 themelatave katolike nën Perandorinë Turke, 220 ishin vetëm në Shqipëri [...], në shtatë dioqeza katolike: Shkodrës, Lezhës, Durrësit, Prizrenit, Sapës, Pultit dhe Mirditës. Shkodra si seli ipeshkvnore, ishte qendra e katoliçizmit shqiptar”.
Në këtë aspekt kontribut të rëndësishëm, krahas ndihmës së Austrisë dhe të Vatikanit, kanë dhënë edhe urdhrat kishtare, si jezuitët, françeskanët, salezianët, stigmatinet, servianet, Motrat e mëshirës, etj. Në mbështetje të burimeve të kohës, që dalin sidomos nga provenienca Perëndimore, kishte para vitit 1840 shkolla katolike për djem e vajza në Pejë, Gjakovë dhe Prizren. Mësimi në to deri në vitin 1876, zhvillohet në gjuhën italiane, me disa biseda e shpjegime në gjuhën shqipe. Në shkollën e Pejës, një godinë ngjitur me Kishën katolike të qytetit kryesisht mësohej për fenë, me qëtë gjithë mësuesit ishin priftërinj, si dom Mark Sopi, dom Tom Gusiqi, dom Nikollë Mazreku, dom Shtjefën Krasniqi, dom Zef Harapi etj.
Përveç librave në gjuhën latine, italiane, janë përdorur edhe libra shqipe. Në Gjakovë shkolla vepronte që nga vitit 1851 dhe ishte ngritur afër kishës katolike. Kjo shkollë “ishte në një gjendje mesatare, veç sa me i krye nevojat e mësimit”. Dhe këtu mësonte dom Pjetër Doda e dom Filip Kanxhxi, dom Pjeter Zara, dom Ndue Bytyqi, etj.
Në Prizren vepronte shkolla “për të gatue meshtarë”. Në këtë shkollë fillimisht punonin disa famullitarë, si dom Simon Lumezi, dom Mazreku, ndërkaq nga vitit1889 punonin mësuesit profesionist, si Mati Logoreci dhe Lazër Lumezi. U shqua edhe shkolla katolike e Janjevës, që vepronte nga mesi i shek. XVII, shkolla katolike e Stubllës (e hapur më1846),shkolla katolike në Shestan dhe Ljare (nga gjysma e parë e shek. XIX),shkolla e Tivarit e themeluar gjatë viteve 1863-1890. “Në to zhvillohej mësimi, në fillim në italisht, më vonë në italisht dhe shqip, e në fund vetëm në shqip”.

Shoqëria “Bashkimi”

(Ne foto anetart e Shoqnise “BASHKIMI”I tërë aktiviteti në zhvillimin e shkollave kërkonte jo vetëm përgatitje intelektuale, por edhe një alfabet për të gjithë shqiptarët. Ky nuk ishte lehtë të realizohet, duke pasur në mend argumentin se në Shqipëri vepronin disa alfabete, si alfabeti i “Bashkimit”, “Elbasanit”, “Stambollit”, “Agimit”, etj.
Me nismën e abatit të Mirditës, Prenk Doçi, në vitin 1899 ishte themeluar në Shkodër, Shoqëria “Bashkimi”.

Para kësaj kohe në tërë Shqipërinë, publikimet e çdo teksti në shqip ishin të ndaluara. Madje edhe publikimet e librave që nuk ishin thjesht me lutje fetare, nga ana e Qeverisë turke konsideroheshin porsi vegël politike me qëllime kryengritjeje dhe ligjërisht dënohet autori dhe shpërndarësi.

Abati, në formimin e shoqërisë letrare të re që u themelua në vitin 1899, mori iniciativën porsi një shoqëri fetare dhe pjesëtarët e saj ishin nga radhët e inteligjencies së klerit katolik.
(Ne kete foto te rralle: Dom Ndrè Mjeda, At Gjergj Fishta Fishta dhe Luigj Gurakuqi)
Qëllimi ishte hartimi i të parit alfabet shqip. Alfabeti i Shoqërisë “Bashkimi” më vonë pësoi ca ndryshime të konfirmuara edhe në Kongresine Manastirit. Është për të vënë re, se Atë Gjergj Fishta u shqua edhe për bashkëthemelues të shoqërisë në fjalë së bashku me një varg burrash të shquar, si Imzot J. Serreqi, L. Mjeda, ky i fundit u nda prej Shoqërisë “Bashkimi” për t’i përkrahur vëllanë dom N. Mjedën, Imzot Gj.Kolecin, L. Gurakuqin, Dom N.Nikajn, Dom D. Kolecin, Atë P.Bardhin, Dom N. Sheldijen dhe Dom M. Çunin. Kjo shoqëri, veç tjerash, hartoi edhe një alfabet të shqipes me shkronja latine, sipas traditës së shkrimtarëve të Veriut, duke përfshirë këtu edhe alfabetin e Pashko Vasës, botoi me dhjetëra libra shqip.
Gjatë dhjetëvjetëve të para (1899-1908), pra deri në kohën e mbajtjes së Kongresit të Manastirit, Shoqëria “Bashkimi” botoi 32 vepra, si: libra shkollore, abetare, libra këndimi, katekizëm, fjalorë dhe bëri përpilimin e teksteve profesionale. Por në realizimin e ndërmarrjeve të tilla u dolën edhe pengesa të natyrave të ndryshme etj. Sipas njoftimeve të dom Ndoc Nikajt po i përmendim disa nga këto botime:

“Oroe permbi Abetar shcyp”,
“Abetar”,
“Knnojtorjae pare”,
“Knnojtorja e dyte”,
“Knnojtorja e trete”,
“Msimét’Kshtêna”,
“T’nnollunat shêjté”,
“Dhéshkroja”,
“Grammatika”,
“Numertorja”;
Kaléndari “Shcyptari” i viteve 1904, 1905, 1906, 1907, dhe 1908;
“Historija e Shcypniis” (D. N. Nikaj),
“Historijae Turkiis” (D. N. Nikaj),
“Lahuta e Maltsiis” (pjesa e pare dhe pjesa e dyte),
“Anxat e Parnasit” (A. Gj. Fishta),
“Bulku”,“Vargenimi” (L. Gurakuqi);
“Mili e Haidhia”,
“Fjalorthi” (L. Gurakuqi),
“Fjalori i gjuhes shcype” (D. D. Kolétsi),
“Bléta e ree” (D. N. Nikaj),
“Vjersha e pershpirtshmé” (A. Gj. Fishta), dhe
“Komsia e Kléri katolik” (A.Gj. Fishta).

E para punë e Shoqërisë Bashkimi, qe caktimi i një alfabeti mbi bazën e shkronjave latine, çështje kjo që ishte vepruar më se një herë nga shkrimtarë te moçëm shqiptarë. Në të vërtetë shkrimtarët e moçëm kishin përdorur për tingujt e veçantë të shqipes shenja krejt të veçanta. “Bashkimi”, ndërkaq i zëvendësoi këto me grupe germash thjesht latine, shumicën me ndihmën e germës “h”.

Me këtë alfabet u shkruan librat e parë të këndimit, kur gjuha shqipe nisi të hynte zyrtarisht në shkollat e Gegnisë. Përdorimi i teksteve shkollore të Shoqërisë Bashkimi nuk pati jetë të gjatë. Pa u mbushur tri vjet, ndërroi situata dhe shkollat më 1901 nisën të punonin me alfabetin e Shoqërisë “Agimi”. Megjithëse, edhe më tej, jo vetëm shkrimtarët gegë, por edhe toskë, si Fishta, Gurakuqi, Nikaj, Xanoni, Çajupi, Skirò, Asdreni etj, alfabetin e “Bashkimit” e përdorën revista, fletore dhe libra, si

“Elçija”(1891-), “Albania” e Londrës nuk e ndërroi alfabetin deri në mbyllje (1897-1909);
“Albania e Vogël” (1899-1901, Bruksel);
“Kombi”;
“Shcyptari” i Bukureshtit;
“Perlindja e Shcypetarvét”;
“La Nazione Albanese” (në pjesën shqype Romë);
“Shcypenia e ree”; “Shpnes e Shcypeniis” (Ragusë);
“Toska”;
“Besa”;
“Albanija” (Belgrad);
Lajmtari i Scypniis (Romë);
“Pellazgu”;
Asdrén (“Réze Djelli”);
Chajup (“Baba Tomorri”);
Shoqnija “Dija” (Kalendari 1906 per gjys; Kalendari1907 krejt);
Karta dhé shkrimtare é Shqypniis;
G. Schirò; G. Jakova; Sotir Pétsi (Méthoda per temesuar anglishtén);
Fan Nolinë disa libra kishtare, dhe Atë Shtjefën Gjeçovi.

Me nismën e jezuitit Dom Ndre Mjedës në vitin 1901 u themelua në Shkodër Shoqëria “Agimi”. Me këtë alfabet u botuan dhe kalendari“Dija” (Vjenë më1906), fletorja “Dashamiri” në Trieste, etj. Alfabeti i “Agimit” ka vazhduar rrugën e përgjithshme, të cilën e ndiqnin një pjesë e albanologëve me rastin e transkribimeve të teksteve, si Brugmann, G. Mayer. Pedersen, etj.

Ne kete foto te rralle te Kel Marubit jane anetart e“Komisionit te Alfabetit te Manastirit” 1908:

1. Kryetari At Gjergj Fishta
2. Mehdi Frashri
3. Luigj Gurakuqi
4. D. Qiriazi
5. Dom Ndrè Mjeda
6. G. Cilka
7. Taqi Buda
8. Shahin Kolonja
9. Sotir Peçi
10. Bajo Topulli
11. Nuzihet Vrioni

Po përfundojmë duke konstatuar, se pjesëtarët e klerit katolik shqiptar, përveç traditës së bujshme në lëvrimin e gjuhës shqipe nga fillimet e saj në mesjetë, u shquan edhe me kontribut të rëndësishëm në Kongresin e Manastirit më 1908, ku u spikat sidomos erudicioni i Atë Gjergj Fishtës, dom Nikollë Kastorit, dom Ndre Mjedës, Luigj Gurakuqit e ndonjë tjetri, u arrit kompromisi ndërmjet alfabeteve të shoqërive shqiptare pa marrë parasysh orientimin fetar, ku si rezultat shpallet ky alfabet që është në përdorim edhe sot.

Marre nga Revista “DRITA” 
P r i z r e n • Q e r s h o r 2 0 0 8 • V i t i X X V • N r. 6 ( 1 6 5 )

http://www.famulliabinqes.com/kulture/KONTRIBUTI%20I%20KLERIT%20KATOLIK%20NE%20KONGRESIN%20E%20MANASTIRIT.pdf

About these ads

From → Uncategorized

Lini një Koment

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Log Out / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Log Out / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Log Out / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Log Out / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

%d bloggers like this: