Kalo te lënda

Papa Gjon Pali II: “MOS KENI FRIKË !” — “NON ABBIATE PAURA !”

by më 19/04/2009

papa-gjon-pali-i-dyteNga Fritz RADOVANI:

Asnjëherë deri sot nuk kam pa një vlersim të drejtë dhe të saktë që i asht ba vizitës së Papës Gjon Pali II në Shqipni. Kanë me kalue vite e vite për me mërrijtë ma përpara me kuptue na kush ishte Ky Papë, mandej me dijtë rendësinë e vizitës së Tij në Shqipni apo, ma saktë, vlerën e asaj vizite historike në ekzistencën e Shqipnisë Demokratike…

Në zhvillimet e ngjarjeve të mëdha të Popullit dhe të Shtetit Shqiptar, roli që ka luejtë në gjithë historinë tonë, tue fillue që në kohën e Gjergj Kastriotit Skenderbeut e deri në ate moderne, ku çdo çast diskutohej kenja ose moskenja e tansisë sonë toksore si Shtet, roli i Vatikanit ka kenë gjithmonë vendimtar për fatin tonë. Unë nuk kam në mend me ba përsëritjen e atyne fakteve historike në lidhje me këte që thashë, as përsëritjen e atyne ngjarjeve ku diskutohej se kujt i përket Korça apo Gjinokastra, Kosova apo Çamëria, Hoti apo Gruda, Himara apo Vorio Epiri, por do të cilësoj se rishikimi dhe rivlersimi i të gjitha momenteve kyçe për fatin e Shqiptarve dhe i Tokës së Tyne që thirret Shqipni, asht i lidhun për Eshtnat e Klerit Katolik Shqiptar, i cili tek na asht kenë gjithmonë besnik ndaj Papës dhe Vatikanit që në ekzistencën e Katoliçizmit në Shekullin e Parë të Epokës së Re. Kjo besniki e Klerit dhe e ndjekësve të Besimit Katolik në Shqipni asht vlersue dhe vazhdon edhe sot me u vlersue nga të gjithë Papët e Kishës Katolike. Nëse ngjarjet historike në rrethana të veçanta dhe të vështira kur Shqipnia ishte e okupueme nga forca t’egra dhe shfarosëse të elementit katolik na duket sikur Papët kanë heshtë, jo, se, atëherë, kur duhej çue zani për rimëkamjen e Shteti Shqiptar, asht kenë i pari Vatikani që ka ngritë zanin dhe iu ka ndalue dorën atyne që me “shpatë” kërkonin coptimin e tokës sonë tue fillue nga shtetët fqinjë. Kjo nuk ka ndodhë për asnjë interes të Vatikanit në drejtim të shtrimjes së ndikimit të Tij, por vetëm e vetëm për hirë të sakrificave të mëdha të Popullit tonë, që tue kenë mjaft i vogël në numur ka lanë mbresa të mëdha për me e ruejt me dinjitet Fenë e Krishtit dhe identitetin e Tij në trojet e veta. Merita historike i përket Alpeve sëpse, Ata e kanë pague ma shtrenjtë se kushdo qendresën tue fjetë me armë në nënkrejsën shekullore të cungës apo të gurit palatuem, gja që e dëshmon gjaku i derdhun rrëkajë ndër ato vise.

Mbas ardhjes në pushtet të komunistëve në Shqipni, në muejn Maji 1945 u ba edhe shkëputja zyrtare e Shqipnisë nga Vatikani. Shqipnia hyni në rrjedhën e Evropës Lindore jo me dëshirën e saj, por e dhunueme nga vëndimet historike të shteteve të Mëdha. Fati i saj u vëndos në Jalta nga dy kokëkrisunit e shpartalluesit e Evropës Rusveltit dhe Stalinit, pasoja të cilat vazhdon me i pague edhe sot jo vetëm kontinenti plak por edhe vetë Amerika.

Një ndër shtetet që e ka pague shumë randë peshën e diktaturës komuniste dhe, që nuk e ka meritue për asnjë arësye atë dhunë e përsekucion asht kenë edhe Polonia. Për me u përjetsue okupacioni rus aty u pat vëndosë edhe qendra e forcave okupuese të “Traktatit të Varshavës” pikërisht, në Poloninë heroike të Luftës së Dytë Botnore kundër nazizmit.

Tokat e përmbytuna me gjakun e Martirve të Atdheut njëditë Ato do të shpërthejnë, do të plasin sikur t’ishin vullkane dhe, prej Tyne do të dalin frutet e sakrificës dhe të heroizmit që nuk humbin kurr, nuk tretën as nuk shuhën por, gurzohen dhe ngrihën lartë tue ngritë ndër Ata vende Monumentët e Përparimit të njerzimit. Edhe Shqipnia, ndonse shumë e vogël por edhe Ajo si kokrra e grunit që thotë Shën Gjoni Apostull, kjoftë edhe një kokërr e vetme, kur bie në tokë dhe kalbët ban aq shumë frute sa të shtuemit nuk ka fund…kështu, edhe Martirët e këtij Populli kaq të vogël ranë me heroizëm të pashoq nën diktaturat e njëmbasnjëshme, por së fundi bijtën…dhe frutët e Martirizimit do të jenë të pafund…

Ardhja e Kardinalit Vojtila me 16 Tetor 1978 si Papë në Vatikan, nuk asht vetëm një akt i posaçem historik, por asht një akt i ndryshimit të rrugës së historisë në kohën moderne, ku njerzimi dhe kryesisht Evropa, e cila ishte plotësisht e zhytun në moçalin e diktaturave të njëmbasnjishme të Shekullit XX, apo shekullit të fluturimeve kozmike… kur Bota ndahej në disa klasifikime, tue mos hy me përsëritë se në cilën “botë” ishte atëherë dhe vazhdon me kenë edhe sot Polonia apo Shqipnia…na duhet të ndalohemi vetëm në një fakt: Në Vatikan Kardinali Vojtila vjen Papë mbas 445 vjetësh të kenjes së Tyne italian. Ai vjen nga Polonia kur endè zgjedha komuniste asht mbi Popullin Polak dhe, që në vitin 1980 Ai di se, karrshi tokave të lame me gjak shqiptarësh në Jugun e Italisë n’Otranto, ku u bane betejat e famëshme kundër pushtuesve turq, asht prap sot një popull i vogël që po vuen shumë nga diktatura tjetër.. “.asht Populli Shqiptar, për të cilin unë lutem përditë…”

Ardhja Papë e Gjon Palit II ka dy shpjegime me shumë vlerë për me u kuptue sësa i Madh qendron Portreti i Tij në Historinë Botnore: Ai vjen nga një vend ku vazhdon me kenë komunizmi stalinjan në pushtet dhe, pikërisht, një Kardinal Vojtila që e ka provue até mbi shpatullat e Tija, por vjen pikërisht në Selinë Botnore të Katoliçizmit, në Vatikanin Dymijvjeçar, kur atij komunizmi totalitar “Ai i zbuloi anën shpirtnore të Njeriut”, Ky dhe vetëm Ky asht misteri i Madhështisë së Tij, sëpse askush para Tij nuk ka mujtë me kuptue anën shpirtnore të Njeriut në sistemin totalitar dhe me e zhbërthye ate si Gjon Pali II.

Sistemi komunist që në lindje të tij asht sistem i mbërthyem ndër kriza ekonomike, sëpse lindë dhe zhvillohet në shtete të mbrapambetuna në ekonomi, por vazhdon me kenë “sundues” i pamëshirshëm për dekada të tana, sëpse klasa që pasunohet ushtron dhunën e diktaturës mbi masat e gjana të krejt një populli, tue e shfrytzue dhe vorfnue përditë dhe ma shumë dhe, njëkohësisht, tue e mbajtë nën frenin e terrorit. Frika, terrori dhe vorfnia vijnë e depersonalizojnë njeriun deri në shkallën ma të ultë të njohtun në rendin skllavopronar.

Pikërisht këtu, në këte moment historik të shoqnisë njerzore të Evropës Lindore, asht Kardinal Vojtila që zhbërthen prangat e tiranisë komuniste me tri fjalë të vetme:

“NON ABBIATE PAURA !”, “MOS KENI FRIKË !” sëpse, njeh parimin filozofik të Historisë: “Kur një Popullit i ikë frika, shpejt Atij i vjen LIRIA !” dhe, menjëherë mbas takimit me R.Regan në Qershor 1987, Vojtila shpartallon komunizmin me Kristjanizëm… pra, pa gjakderdhje dhe me paqë, por jo me paqë nën kamxhik dhe kallashnikov…

Kujtoni për një moment takimet dhe bisedat me Regan dhe Gorbaçov. Asnjë takim nuk asht ba në bazat e rraketave, bunkeret, nëndetëset apo zonat e fluturimeve kozmike, por në dhomën e pritjes së Papës Gjon Pali II, në një tavolinë kuadrate, të lëmutë, të bardhë, të pastër dhe të ndritëshme siç ishte Ai vetë, ku, mbështetëshin vetëm katër duer…që posa lidheshin Burrnisht njena me tjetrën: “nënshkruenin marrveshje paqe dhe dashnije të pakufi për mbarë Njerzimin!”, ja, pra, Ky ishte Papa Polak Karol Vojtila që ndryshoi Historinë!

Ky ishte Ai Burrë “që lutej çdo ditë për Popullin Shqiptar dhe për të Shqiptarët e të gjitha Besimeve…” Ky ishte Ai Burrë që do të thente akujt shekullor të Adriatikut dhe do të shpartallonte Perdën e Hekurt gjysëm shekullore të komunizmit, acari siberian i së cilës na kishte izolue nga krejt Bota Përparimtare!”…. Ky ishte Polaku Vojtila, që kur Bashkimi Sovjetik kërcënoi Poloninë për lëvizjet demokratike atje, deklaroi: “Nëse një ushtar sovjetik do të shkelin kufinin polak, unë do të çveshëm si Papë dhe do të shkoj me luftue për Lirinë e Atdheut tem!” …Ai dinte me çmue Lirinë dhe Pavarësinë e Popujve të të gjithë Botës dhe, jo, pa qellim tha në Kathedralën e Shkodres së dhunueme: “Historia endè nuk e ka njohtë atë që ka ngja në Shqipni. Pra, të dashtun Shqiptarë, drama e juej duhet me i interesue gjithë kontinentit evropjan! Asht e domosdoshme që Evropa mos të harrojë!”…

Ky, pra, ishte Ai Burrë që i kujton Evropës se çka duhet me dijtë por, edhe çka nuk duhet me harrue! Asnjëherë këto fjalë të Vojtilës nuk do të mund të quhen kujtesë, as në historinë e Shqipnisë dhe as në ate të Evropës, por asht një vërejtje e randë që Papa i ban Evropës, dhe Historisë së saj: “Historia endè nuk e ka njohtë ate që ka ngja në Shqipni..” Por, nuk mjaftohet me kaq, mbasi Ai e di se Evropa kjoftë edhe pjesërisht nuk asht aq e paditun për çka asht ba tek na, prandej, fati i Shqipnisë nuk duhet të mbesin në dorën e “një pjesës” së Evropës, por “drama e juej duhet me i interesue gjithë kontinentit evropjan!”,
pra “duhet”, asht detyrë, asht kusht dhe jo mundësi që mundet ose jo, por, madje, prap ma e theksueme “Asht domosdoshmeni që Evropa mos të harrojë!”…

E, çka mos të harrojë? Të mos harrojë të tashmen por, as të shkumen…sëpse, këtu, asht fjala pikërisht për vendin që mbrojti Ate Evropë nga invazioni turk, po, që Ajo, e “ka harrue” ose ma mirë me thanë se ban sikur e ka harrue…

Ja, pra, kjo asht “domosdoshmenia” e Shqipnisë së Lirë dhe Demokratike!

E në darkë asht po, Ai, Papa Gjon Pali II, që përballë Mikut të Vet Gjergj Kastriotit Skenderbeut, në sofren bujare e mikpritëse Shqiptare, me 25 Prill 1993 në Tiranë, tha:

“Shqipni qëndro në naltësinë e kësaj Beteje të Madhe!”…

Melbourne, Prill 2009

From → Uncategorized

Lini një Koment

Lini një koment

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.