Hidhu te lënda

Pushkatohet 61 vjet ma pare atedhetari AT ÇIPRIAN NIKA O.F.M.

by më 25/07/2009

(Ne foto At Çiprian Nika)

Nga Fritz RADOVANI:

AT ÇIPRIAN NIKA OFM, USHTAR E PISHTAR I FES’ E I ATDHEUT…

Sa ma shumë të mundohemi me dijtë për jetën, veprat, studimet, arritjet dhe si e mbyllin jetën Këta vigaj të Fesë dhe t’Atdheut, ké me vërejtë në vedi sa i padijshëm jam. Ka disa vjet që jam marrë mjaft në detaje me At Çiprian Nikën OFM., por as nuk mundem me kuptue kurr “misterin” që ndrynë përsonaliteti i Tij. Ka lé në Shosh..me 19 Korrik 1900, nga prindët Mëhill e Prenda Nika dhe, 5 vjeç mbeti jetim… Emni i pagëzimit i Tij ishte Dedë Nika.

Një frat bamirës e merr jetimin e vogël dhe e bjen në Kuvendin e Françeskanve të Shkodres, ku, edhe vazhdon shkollen. Dallohet prej të gjithë moshatarve për vullnet studimi dhe përkushtim të “thirrjes” shpirtnore, aqsa, malësori i rinj mërrinë me krye studimet e larta filozofike dhe teologjike në Grac të Austrisë dhe, me datë 26 Korrik 1924, Shugurohet Meshtar në Romë, tue marrë emnin Çiprian dhe tue u betue në rreshtin e pafund të Françeskanve t’Asizit, Ushtar i fes’e i Atdheut të vet. Qyshë i vogël ka pasion muzikën dhe asht ndër të paharrueshmit nxanës të At Martin Gjokës, si flautist. Asht zotnues i përkryem i gjuhve të hueja gjermanisht, frengjisht, italisht dhe i greqishtës së vjetër, të cilat i ven në punë në artikujt e Tij me vlerë të veçantë në revistat e kohës, ku, njihët si bashpuntor i “Hyllit të Dritës”, “Leka” etj. Në vitin 1938 asht edhe Provinçiali ma i ri i Provinces Françeskane të Shqipnisë. Në mendimet politike asht i kjartë dhe i vëndosun aqsa, në vitin 1926 merr pjesë në kryengritjen kundër monarkisë me fshatarët e krahinës së vet, tue u rreshtue ndër male me malësorë. Asht anti italian edhe pse kur u okupue Atdheu, si Provinçial u detyrue me pranue okupacionin me të cilin nuk gjeti rrugë pajtimi asnjëherë ashtu si, edhe me okupacionin komunist sllav në vitin 1944.

Posa komunistët vijnë në pushtet i drejtohen Kuvendit Françeskan me terroristin e luftës civile të Spanjës, komandantin e brigadës së I – sulmuese, Mehmet Shehun, në muejn janar 1945. Pak ditë para tij kishte vizitue muzeun me grumbullimet arkeologjike dhe me shumë vlerë të Gjeçovit, një tjetër katil i njohtun Sheuqet Peçi. Sigurisht, këtyne “shokve” të PKSH nuk i mungonin informacionet për këte qendër kulturore dhe fetare të Shkodres dhe pa mëdyshje ajo ishte tashma edhe vatra Atdhetare e mbarë Shqipnisë. Kjo asht edhe piknisja e këtyne vizitave të njëmbasnjëshme, mbasi duhëj pregatitë terreni për çdo vëprim të mavonshëm. At Mati Prennushi vjen Provinçial mbas At Anton Harapit, tue marrë këte detyrë me paramendim që mos të sakrifikohet At Çipriani, mbasi jo vetëm asht ma i ri, por asht edhe shumë i vlefshëm për ma vonë.. “.e, komunistat punën e parë që kanë me ba, kanë me pushkatue Provinçialin..”, kështu, e shpjegon At Konrrad Gjolaj në librin e Tij “Çinarët” (fq. 66 – 68), atë kohë aq të vështirë që po kalonte Provinca Françeskane e Shqipnisë, ku, At Çipriani asht Rektor i Kuvendit Gjuhadolit, në Shkoder.

Flamuri i Shqipnisë i zhigatun me “yllin e kuq” u pat vëndosë me 29 Nandor 1944 në kompanjelin e Kishës së Fretenve nga disa partizan, pikërisht në hallkat e hekurta që ka pasë vetë kompanjeli…Ishin hallkat ku At Fishta vuni Flamurin e Skenderbeut me datën 13 Qershor 1914…atëherë, kur u pat kercnue ulja e Tij me top…Tashti, jugosllavët kishin një rast shumë të favorshëm që me dorën e komunistave trathtarë shqiptar, me ulë Flamurin pa futë duert e veta në zjarrin e ndezun të luftës civile nacional-çlirimtare “shqiptare”… dhe me këta sherbëtorë të shitun arritën jo vetëm me përdhosë Flamurin tonë të lamë me gjak, por edhe me këthye në germadhë Kështjellen e Atdhetarizmit të Shqipnisë, shkollë, Kishë e Kuvend Françeskan, tue çvarrosë edhe të vdekunit e para 100 vjetve n’ato vorre të Asaj Kishë, dhe tue e zhdukë edhe rrasën përkujtimore të Atdhetarit Dedë Gjo’Luli…

Po At Çiprian Nika çfarë qendrimit mbajti para këtij rrëbeshi, kur me 17 nandor 1946, komunistët e drejtuem nga Zoji Thëmeli, Hulusi Hako, Dilaver Sadikaj, Pjerin Kçira e sa bedela e vagabonda të tjerë, arritën me futë armë e municione në Kishën e Frentve dhe me akuzue Klerin për “kryengritje të armatosun”, ashtu si u veprue në shumë vende të tjera Lindore komuniste, me porosi nga Moska stalinjane?

At Çiprin Nika tashti asht para trathtarve shqiptar komunist, specialistave jugosllav të dërguem nga “shoku” Tito dhe urdhnave të KGB- së sovjetike, që drejtohej nga xhelati e diktatori i shekullit XX, “miku dhe shpëtimtari i popujve të shtypun” J.V. Stalin. Këte akt të pabesisë dhe të trathtisë së Enver Hoxhës e vërteton ma mirë se çdo fakt, filmi i gjiruem nga vetë jugosllavët në Kishën Françeskane të Shkodres, ku, asht edhe At Çiprian Nika.

Dosja nr. 1248 (Arkivi i Min. Mbrendshme Tiranë (1998) shpjegon: I arrestuemi At Çiprian Nika, vjeç 45, asht përballë kafshës së terbueme të Sigurimit të Shtetit në Shkoder, kapiten I Nesti Kopali, me datën 22 nandor 1946, dhe deklaron: “…Përhapjen e komunizmit në Shqipni e konsideroj ateiste, prandej jam kenë dhe jam kundër tij. Si konseguencë fatale kam konsiderue mohimin e egzistencës së Zotit. Nga ky kam mendue dhe mendoj se mohohen të gjithë ligjët morale, si ndera, dashtnija, drejtësia etj. dhe si përfundim kam nxjerrë me vehtën teme, se me përhapjen e komunizmit ateist do të shkatrrohet shoqnia njerzore…Direktivat janë dhanë me anën e librave të teologjisë dhe filozofisë… Qendrimi i ynë kundrejt komunizmit ateist asht kenë armiqësor…nuk dishroja që ushtria e kuqe të përhapej në Përëndim, mbasi me përhapjen e komunizmit rus ndihet edhe rreziku serb…

Në votime nuk dola fare. Këto nuk ishin të lira, se nuk doli asnjë parti opozitare. Na kujtuem se nuk kishte arkë boshe, se, po ta kishe dijtë se ka, do të kishe shkue për t’a hjedhë votën kundër…Të gjithë bashkë me At Mati Prennushin, s’kemi dalë fare ndër votime…Nuk kam mëshef asnjë armë në kuvend…Në Elterët e Shenjtë nuk dij se u gjet gja, tash kujtohem se u gjetën disa libra, po nuk di se u gjetën armë…
Dëshira e eme dhe e shokve të mij ka kenë me e shue farën e komunizmit në Shqipni!”.

Avokati mbrojtes i At Çiprian Nikës, Dr.jur.Emid Tedeschini, hodhi poshte akuzen e prokurorit, sepse ai nuk kishte paraqite ne seancen gjyqesore asnji prove per akuzen qe ai i bante te pandehunit Çiprian Nika dhe per kete arsye avokati kerkoi deklarimin e pafajsise te pandehunit Çiprian Nika.

Me gjithe ate me datën 28 dhetor 1947, trupi gjykues me Kryetar Misto Bllaci, anëtar Bastri Beqiri dhe Anastas Koroveshi, sekretar Tish Tukja, dha vendimin për At Çiprian Nikën “me vdekje me pushkatim”.

Vendimi u ekzekutue me 11 Mars 1948, ora 05.00 në mëngjez pranë vorreve të Rëmajit, në Zallin e Kirit në Shkoder.

Dëshmi, tregime, vuejtje, tortura, hetime, shpifje, trillime, hamendje, deklarata… por gjurmët e së vërtetës asnjëherë nuk humbin edhe, kur u shkruen e u vulosën këto mijra e mijra faqe procesesh shumica false, asnjëherë komunistave nuk i ka shkue ndër mend as nuk e kanë pa në andërr se, një ditë e drejta do të dalin haptas në shesh… Kushedi sa vetë që ishin dëshmitar të rremë kanë vdekë me idenë se “nuk e mori vesh kush dëshminë e rreme të temen…”, por ja, sot, realiteti i asaj historie të mjerueshme dihet nga të gjithë… e, ma e randa gja në jetë asht se edhe mbas sa vitësh një kalimtar i thjeshtë pranë vorrit të një spijuni apo hetuesi, ka me thanë me vehte: “Këtu kenka vorri i këtij qenit!…”, ose ma keq kur ndonjë kalimtar ka me ia true edhe shpirtin e tij…

Nuk do të hyj fare në torturat e masakrat e bame mbi trupin e At Çiprianit, po do të tregoj se kush ishte Ky Frat i Asizit prej bashvuejtësit me Té në qelitë e sigurimit, sot e gjithmonë dëshmitar i gjallë i së vërtetës, Prof. Sami Repishti:

“…Shikojshe në fëtyrën e tij atë madhështi të pashkallë që përvujtnia falë vetem për njerzit e kushtuem, atë qetësi që buron nga shpirti i njeriut pa kërkesa, atë hir që lëshojnë vetëm ata që kanë idenë një afsh zemre, e përpjekjen për tek një mision. Shikoj fratin që për shumë ditë me rradhë po më lehtëson me frymën e shpresës e, më mbushë me shpirtin e qindresës. Ka çaste kur ai asht i vehtës, krejt i vehtës… Sepse ç’jeton ai, janë pikërisht këta çaste kushtrimi kur shpirti dhe ndërgjegja lëshohen pa kushte në altarin e Krijuesit,…

“Ky qendrim po të kushton shumë, At Çiprian. Ti e di se ata e bajnë për t’u tallë. Më duket se duhet evitue e keqja ku ka mundësi me u evitue!…”.

“Ke të drejtë, biri em, ashtu asht. Por, unë kam një mision në këte mes ma shumë se të tjerët: Më duhet me ndezë dritën kudo që ajo asht shue. Vuejtja sigurisht që nuk asht e lehtë, por – e, tue më shikue drejtë në sy, me atë fëtyrë të qeshun, e vetmja e mirë që i kishte mbetë – por vuejtja o bir, e ban ma fisnike fitorën…”.

(Buletini Katolik Shqiptar, Nr. XIV, fq. 180, viti 1993, San Francisco, USA).

Ja pra, “misteri” i madh i Këtyne Burrave të Betuem mbi Elter…

Premtimi ishte vendim i padiskutueshem:

“Që, po kjé nevoja do të flijojmë edhe jetën për Fé e Atdhé!”

Melbourne, 2009.

Advertisements

From → Uncategorized

Lini një Koment

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s