Kalo te lënda

Alma Mile: Qerim Vrioni shkruan të parin libër historik për fotografinë

by më 27/07/2009

qerim-vrioni
Fotografia, 150 vjet nga poza e kaçakut

Është i vetmi art, të cilit i dihet ditëlindja e saktë, në Shqipëri. Daton 150 vjet më parë e megjithatë, duket si e lënë në hije. Ishte viti 1858, kur italiani i shqiptarizuar Pjetër Marubi, fiksoi në pllakat e tij fotografike, të parën fotografi në Shqipëri. Nuk ishte ndonjë femër e pashme, por një burrë me një pëllëmbë mustaqe e armatosur gjer në dhëmbë. Falë kësaj fotoje, Hamz Kazazi mbeti në histori, më shumë se për bëmat e tij si luftëtar shkodran. Prej asaj shkrepjeje mori udhë fotografia shqiptare. Këtë rrugëtim, studiuesi i fotografisë, Qerim Vrioni e ka përmbledhur në një libër, të titulluar “150 vjet fotografi shqiptare”, si aktiviteti që organizoi një vit më parë në Galerinë Kombëtare të Arteve. Është një libër prej 120 faqesh, ku në mënyrë të thukët autori Qerim Vrioni pasqyron gjithë jetën e fotografisë shqiptare, qysh prej shkrepjes së parë deri në ditët tona. Por jo vetëm histori, por edhe jetë njerëzore. Shkurtimisht mund të mësosh mbi fotografët e parë, fatet e tyre. Libri shoqërohet përveçse nga një album i vogël fotografish, disa prej të cilave botohen për herë të parë, por edhe nga një fjalorth me terma nga fusha e fotografisë.

Historinë e fotografisë Vrioni e ka ndarë në tre periudha, në atë që fillon me portretin e Hamz Kazazit, deri në 1944, për të vijuar me periudhën 1944-1990, që përkon me vitet e regjimit komunist dhe ajo post diktaturë, pas viteve ’90, ku fotografia, nga e mbyllur në kornizat e propagandës, fitoi të gjitha liritë e shprehjes, në tematikë dhe teknika. Historia fillon me Pjetër Marubin, i cili themeloi edhe dinastinë “Marubi”, me pasardhësit e tij Kel (Kodheli) dhe Geg Marubi. Fotografitë që ai realizonte ishin nga më të ndryshmet, që nga fotografitë familjare, tek ato me temë sociale, historike madje ka realizuar edhe foto-peizazhin e parë. Gati në të njëjtën kohë, u shfaq në jug të vendit një tjetër fotograf, një prift ikonograf nga Dardha, Jani Zengo. Sipas Vrionit, është interesant fakti, që fotografia shfaqet në një fshat të Shqipërisë, që do të thotë se terreni ka qenë i favorshëm, për zhvillimin e këtij arti. E vijuan më tej Kol Idromeno, i cili edhe pse njihet më shumë si piktor dhe si realizuesi i Pikturës “Motra Tone”, ka qenë edhe një fotograf shumë i mirë, i cili ka fiksuar momente të rralla, si “Pendimi i një mëkatari”, “Shitësi i qymyrit”, apo portrete atdhetarësh, si Mjeda, apo Hil Mosi. Për të vijuar me Kristo Shulin, i cili i la historisë fotot e Mësonjëtores së parë shqipe, apo Petro Dhimitri, i cili përjetësoi Çerçiz Topullin e Mihal Gramenon. Një tjetër fotograf i fundshekullit XIX, fillim i XX, është edhe Vani Burda, i cili ka realizuar fotografitë e vëllezërve Frashëri, por edhe fotoportretin e famshëm të Ismail Qemalit, që ilustron gjithë librat historik, por fatkeqësisht pak dihet për autorin e saj. Kristal Sotiri renditet ndër emrat e nderuar të fotografisë për portretet e tij, të cilat nuk ishin thjesht pozime, por edhe një pasqyrë psikologjike. Ka realizuar portretin e këngëtares Tefta Tashko Koço, por edhe personazheve të rrugës, si “kurbatka”, “gajdexhiu”, “prostitutka”, etj. Vëllezërit Manaqi e çuan më tej artin e fotografisë dhe kanë mbetur në histori edhe si kineastët e parë të Ballkanit. Të tjerë janë Shan Pici, Ded Jakova, Ymer Bali e Jani Ristani, të cilët realizuan albumet e para me fotografi e morën të parat çmime ndërkombëtare. Në historinë e fotografisë, nuk mund të mos përmenden mjeshtërit Mehmet Kallfa, Petrit Kumi, Refik Veseli, etj, të cilët arritën të bënin art edhe gjatë viteve të diktaturës, ku fotografia i shërbente më së shumti politikës, si mjet propagandues. Për të vijuar me fotografët që gjetën më shumë hapësira pas diktaturës, si Roland Tasho e Gani Xhengo, deri tek më të rinjtë që me artin e tyre kanë bërë emër jashtë vendit, si Lala Meredith Vula, Anri Sala e Mimoza Veliu. Një vend të veçantë zënë korifenjtë e fotografisë Gjon Mili dhe Dhimitër Mborja, që e zhvilluan karrierën e tyre në Amerikë. I pari me fotografi të rralla nga fusha e artit, kryesisht baleti e xhazi. Të famshme, fotot realizuar Pikasos, Edit Piafit, apo “Nudo duke zbritur shkallët”. Ndërsa Mborja shquhet më shumë për fotografitë nga lufta. Në qendrën muzeale “Douglas MacArthur” në Norfolk, janë grumbulluar rreth 45 mijë foto e diapozitiva të Mborjes, ndërsa në Japoni janë botuar dy albume fotografike me punët e tij.

Historiku i parë i fotografisë
Titullohet “150 vjet fotografi shqiptare” dhe është i pari në llojin e vet. Për autorin, Qerim Vrioni, fotograf dhe studiues i apasionuar, është vepra e dytë mbi fotografinë, ndërsa po përgatitet për një të tretë. Libri paraprihet nga një hyrje e shkurtër, ku autori shpjegon arsyet pse e botoi këtë libër, si dhe një parathënie e studiueses Suzana Varvarica Kuka, e cila e vlerëson këtë libër, jo vetëm sepse është i pari në llojin e vet, por edhe për sasinë e informacionit që përcjell dhe mënyrën se si ai ofrohet. Më tej një informacion të shkurtër për lindjen e fotografisë në botë, në 19 gusht të vitit 1839 nga Niepse dhe Daguerre në Francë, për të ardhur edhe në Shqipëri, vetëm 20 vjet më vonë. Libri është botuar nga shtëpia botuese “Milosao” dhe kushton 500 lekë.

Fotoreporteri i parë
Fotografi i parë, ka qenë edhe fotoreporteri i parë. Përveçse bënte fotografi me porosi, Pjetër Marubi, fiksoi edhe ngjarjet historike të kohës, të cilat i botoi në shtypin botëror. Ka bashkëpunuar me revista si “L’illustration”, “la Guerra d’oriente”, “The illustrated London news”.

Histori e hidhur
Ndër mjeshtërit që fotografuan para dhe pas Luftës së Dytë Botërore është Mandi Koçi, apo Maku, i cili fiksoi lëvizjet e para komuniste si “Greva e bukës”, apo “Demonstrata kundër pushtimit fashist”. U internua në ishullin Ventotene si antifashist. Më vonë pasqyroi veprimtarinë e Shtabit të përgjithshëm të ushtrisë nacionalçlirimtare. Pavarësisht veprimtarisë së tij gjatë luftës, arrestohet në vitin 1961 dhe kryen 20 vjet burg për agjitacion dhe propagandë.

Publikue ne PANORAMA

Reklama

From → Uncategorized

Lini një Koment

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s