Hidhu te lënda

Prof. Ismet Elezi: Nderim kujtimit të avokatit Dr.jur. Emid Tedeschinit

by më 12/12/2012

Dr.jur.Emid TedeschiniDr.Prof.ismet Elezi-2Me ndenjën e detyrimit moral, si mik e si koleg, në këtë shkrim të shkurtër përkujtoj me nderim të madh 100 vjetorin e lindjes (1909) dhe 20 vjetorin e ndarjes nga jeta (1989) të av. dr. Emid Tedeskinit.
Të përkujtosh një figurë të tillë është jo vetëm detyrim moral ndaj kujtimit të emrit dhe veprës së tij, por edhe e dobishme për t’u bërë të njohur brezave të rinj të juristëve shqiptarë, një avokat të zotë, një shkencëtar të shquar të drejtësisë shqiptare dhe një intelektual të kompletuar me horizont të gjerë kulturor.
Kushdo që ka patur rastin ta njohë personalisht apo nëpërmjet botimeve të tij, nuk mund të mos e përkujtojë me respekt kujtimin e këtij njeriu të mirë e juristi të dalluar.
Unë kam patur nderin e kënaqësinë ta njihja personalisht në Shkodër që në vitet 50-të të shekullit të kaluar, kur ai ushtronte profesionin e avokatit dhe vazhduam të kemi me të miqësi e lidhje deri në fund të jetës së tij. Ishte interesi i studimeve shkencore për të drejtën zakonore shqiptare që na bashkoi në një front të përbashkët të punës studimore shkencore. Ai merrej me Kanunin e Lekë Dukagjinit në planin krahasues, kurse unë sa kisha filluar kërkimet për nomrat me karakter real në Kanuni.
Gjatë gjithë viteve krijova bindjen e thellë se Emid Tedeskini ishte një njeri i mirë, me vyrtyte të larta njerëzore, me vlera të shumta morale e qytetare, një njeri me tiparet e malësorit të ndershëm e të drejtë, me karakter të fortë, parimor, i guximshëm, me dinjitet personal dhe mik sipas traditës kanunore.
Emid Tedeskini ishte jo vetëm një njeri i mirë, por edhe avokat i devotshëm në mbrojtjen e të drejtave të personave që merrte përsipër, objektiv dhe njëkohësisht mbrojtës fanatik i parimeve të drejtësisë dhe rregullave ligjore.
Në çdo çështje që merrte përsipër luante rolin e mbrojtësit, i hynte çështjes në themel, studionte me kujdes çdo detaj, analizonte çdo provë e fakt, ndërtonte mbrojtjen pa prekur rregullat procedurale dhe respektin për gjyqtarët e prokurorët dhe pjesëmarrësit e tjerë në proces e të pranishmit në sallë.
Për këto qëndrime serioze e dinjitoze në kryerjen e profesionit të avokatit, për aftësitë profesionale të dalluara, kishte fituar simpatinë dhe besimin e njerëzve. Figura e Emid Tedeskinit në rolin e avokatit do të mbetet brez pas brezi model i avokatit, simbol i avokatisë.
Emid Tedeskini nuk shquhej vetëm si njeri i mirë e si avokat i zoti, por edhe si shkencëtar i shquar, një erudit i madh në fushën e shkencave juridike shqiptare.
Veprimtaria e tij shkencor ishte e gjerë, e shumanshme dhe karakterizohej nga një punë e palodhur kërkimore shkencore, qëndrim skrupoloz, i pajisur me edukatën, kulturën e disiplinën gjermane, ku kishte kryer studimet e larta në fakultetin e drejtësisë Ludoviko Maksimilian të Mynihut, i diplomuar me “Carta Magna Laudem” në vitin 1935.
Emid Tedeskini ishte studiuesi i mirënjohur i së drejtës zakonore në planin e krahasuar me të drejtën zakonore gjermane e të drejtën romake.
Në artikullin e botuar “E drejta zakonore e Shqipërisë së Veriut” autori jep të dhëna për autorët e huaj austriakë, gjermanë, italianë etj. që janë marrë me këtë problem.
Me vullnet të çeliktë e aftësi krijuese bëri një sistemim të ri të Kanunit të Lekë Dukagjinit, në baza shkencore, dhe e përgatiti për botim, por nuk e botoi dot dhe u detyrua e ia shiti Universitetit të Tiranës, ku gjendet i depozituar në Bibliotekën e tij.
Në revistën “Drejtësia Popullore”, me ndihmën time, i pranuan t’i botonin disa artikuj për vrasjet sipas Kanunit në planin krahasues me të drejtën gjermane (1964 – 1965). Artikujt shkencore të tij paraqesin interes për studiuesit e rinj.
Po në këtë revistë tentoi të botonte artikuj të tjerë për të drejtën dokësore (zakonore), por nuk ia pranuan dhe e adresuan në Institutin e Kulturës Popullore, ku ndodhen edhe sot të pabotuara. Në qoftëse këto studime krahasuese do të ishin botuar do të kishim një vepër monumentale në fushën e shkencave juridike.
I pabotuar aty ndodhet edhe një recension me rreth 100 faqe për parathënien e botuar në Kanunin e Lekë Dukagjinit në Prishtinë nga dr.Syrja Pupovci, ku mban qëndrim kritik, duke vënë në dukje anët pozitive dhe negative të parathënies.
Të njëjtin fat pësoi punimi i tij për të drejtën romake, që paraqiti në Fakultetin e Drejtësisë dhe nuk e pranuan, ndonëse kjo lëndë jepej në fakultet.
Veç punimeve shkencore origjinale, Tedeskini, si poliglot i madh (zotëronte gjuhën gjermane, angleze, italiane, latine etj) kishte përkthyer Kodin Civil shqiptar në gjuhën italiane (1929) dhe Kodin Civil italian në gjuhën gjermane sipas kërkesës së Gjykatës së Lartë të Italisë, si dhe përkthime të tjera në fushën juridike. Këtu mund të përmendet fjalori i terminologjisë juridike latine me 5000 terma, që u përfshi në enciklopedinë gjermane Mayer Treccani, fjalori anglisht – shqip me 25000 fjalë dhe me mënyrën e shqiptimit, që nuk u botua dot.
Këto punime e të tjera, të pabotuara për pamundësi financiare dhe për mungesë mbështetjeje nga shteti, janë dëshmi e gjallë e krijimtarisë së këtij shkencëtari të shquar dhe intelektual në kuptimin e vërtetë të fjalës, por të pavlerësuar nga regjimi i mëparshëm.
Me veprat e tij Tedeskini ka dhënë kontribut të çmuar në thesarin e kulturës e të shkencës juridike shqiptare. Brezat e juristëve tanë kanë se çfarë të mësojnë nga jeta dhe veprimtaria e tij shkencore.
Respekt e nderim kujtimit të mikut tim të paharruar av. dr. Emid Tedeskinit në këto data përkujtimore.

Prof. Ismet Elezi, 19.12.2009

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s