Kalo te lënda

Promovohet libri i Gjergj Gj. Gashit “Martirët shqiptarë gjatë viteve 1846-1848”

by më 23/01/2016

Gjilan – Pas hapjes së Panairit të 41 me radhë të librit, që u mbajt në hollin e Teatrit të Gjilanit, pas dite u bë edhe promovimi i librit të autorit Gjergj Gj. Gashi “Martirët shqiptarë gjatë viteve 1846-1848”.

Fillimisht, Xhymshit Osmani, drejtor i Bibliotekës Ndërkomunale të qytetit “Fan. S. Noli” tha se, sivjet bëra përzgjedhjen e veprës së Gjergj Gj. Gashit “Martirët shqiptarë…” e cila vepër flet shumë për golgotën e popullit shqiptar, i cili ka kaluar nëpër kohë të rënda të jetës së tij. “Mu për këtë, ia vlen të behët ky përurim i këtij libri që ka vlera të shumta jo vetëm si zhanër dokumentar, por edhe si një histori e një kohe të popullit tonë të përvuajtur”.

Isak Ahmeti, krijues dhe studiues i letërsisë nga Stublla e Vitisë tha se, vepra e Gjergj Gjergjit – Gashit, studiues dhe hulumtues i rrallë dhe i përkushtuar, ka për subjekt përvuajtjen e shqiptarëve (të besimit katolik) të katër katundeve të Malësisë së Karadakut, përkatësisht të Stubllës, Vërnakollës, Binçës dhe Terziajve. “Kjo vepër studimore, e rrallë në mjedisin kulturor shqiptar, e mbështetur mbi dokumentet të shumta të fakteve dhe ngjarjeve historike si dhe mbi dëshmi të gjalla të atyre që edhe ishin gjallë paraqet hap pas hapi golgotën e Malësisë së Karadakut, përkatësisht të Martirëve shqiptarë gjatë viteve 1846-1848.

Në këtë libër, si shtoi I. Ahmeti, studiues – që përbëhet prej dy pjesëve dhe shtatë kapitujve, tregohen konkretisht e me hollësi të gjitha barbaritë osmane kundër katër katundeve shqiptare, ku tregohen vuajtjet e tyre, vuajtjet e njerëzve të thjeshtë, por të pathyeshëm për idealet e tyre, edhe për idealin e shqiptarisë… Në këtë vepër vërehet e ndjekjet dukshëm akribia shkencore, ndjenja njerëzore, ndjenja qytetare dhe patriotike e dhembjes që ka autori për martirët shqiptarë.

Në këtë vepër shkencore fuqimisht jehon edhe kambana e atdhedashurisë së autorit, që buron nga zemra e derdhet në këtë vepër, gjë që e bën mjaft fisnik qëllimin e autorit dhe atë që e paraqet para lexuesit”. Sipas I. Ahmetit, autori i librit ka hulumtuar shumë arkiva ndërkombëtare si në “Vjenë, Pariz, Romë, Vatikan, Stamboll, Selanik, Raguzë, Mesburg etj, por dhe në arkivat e këtyre vendeve: Prizren, Letnicë, Stubëll etj. “Kështu, autori ka arritur të bëjë një vepër të një rëndësie të veçantë që shërben dhe vazhdon të shërbejë edhe si frymëzim për veprat letrare dhe artistike të autorëve tanë. Të frymëzuar nga vepra në fjalë, shkrimtarët tanë të njohur, si Anton N. Berisha, Ibrahim Kadriu etj, kanë shkruar disa nga faqet më të bukura të prozës së sotme shqipe. Po ashtu, janë shkruar edhe dy drama shqipe të frymëzuar nga ky libër.

Por, edhe poetët tanë, si: Mirko Gashi, Hida Halimi, Sabit Rrutemi, Mehmetali Rexhepi etj., kanë shkruar e vazhdojnë të shkruajnë edhe më për Martirët shqiptarë të Malësisë së Karadakut, si frymëzim nga libri i Gjergj Gjergjit – Gashit. Po kështu, nga ky libër që flet për golgotën e shqiptarëve, është frymëzuar piktori ynë i madh, Demir Behluli, i cili ka bërë pikturat murale në Kishën e Binçës”.

Ndërsa, Bilall Maliqi, krijues nga Presheva, në vështrimin e tij me titull “Një libër me shumë rëndësi për historinë shqiptare”, i cili vështrim ka të bëjë me librin e Gjergj Gj. Gashit “Martirët shqiptarë…”, pos tjerash, ka shtuar se, libri në fjalë është “një ngjarje, në shikim të parë, por që pati një ndikim jo të vogël në hapësirën kombëtare dhe që, më pas, vuri në lëvizje edhe diplomacinë ndërkombëtare.

Me fjalë të tjera, subjekti i këtij libri ka të bëjë me historinë e dhimbshme, por edhe shumë të lavdishme të popullatës së fshatrave të Malit të Zi të Shkupit: Stubëll, Binç, Vërnakollë e Terziaj”. Ai (B. Maliqi), duke folur për librin në fjalë, tha edhe këtë se, “Në një kohë kur po debatohet për ndryshimin e librave të historisë, me arsyetimin e mungesës së fakteve dhe shtrembërimet e ngjarjeve historike, libri që po e prezantojmë sot (e që është temë e disertacionit të mbrojtur në Universitetin mjaft prestigjioz Urbaniana të Romës), është dëshmia më e mirë e përkushtimit ndaj të së vërtetës shkencore e historike. Janë faktet që flasin, dokumentariteti i bollshëm dhe jo autori. Të kesh, ndërkaq, mbi tridhjetë faqe burime të shfrytëzuara (për ngjarje që kap një zonë gjeografike jo të madhe dhe një kohë prej tri vitesh), të nxjerra nga arkiva e biblioteka të ndryshme të qendrave më të njohura ndërkombëtare, kërkon përgatitje të mirë profesionale, durim e përkushtim në punë”.

Prandaj, si shtoi ai, – këto burime e këtë biografi, e konsiderojmë dhe cilësojmë si një ndihmesë shumë të mirë për studiues të historisë, edhe për faktin se ato reflektojnë e ngërthejnë në vete dhe konteste të tjera historike, libri si i tillë, një model të përkushtimit dhe të korrektësisë në shkencë, të shprehjes koncize të autorit, të ngritjes së vetëdijes kombëtare, të njohjes së identitetit e të ndërgjegjësimit e ripërtëritjes shpirtërore. Autori, si shton B. Maliqi, – nuk bën kompromise në argumentimin e ngjarjeve.

Ai tregohet i rreptë, rigoroz dhe tejet i mprehtë, sikundër që do ta shohim edhe në veprat tjera të këtij studiuesi, si janë: “Vatikani dhe Arbëria”, “ Kosova, altari i Arbërisë” (tre vëllime) dhe mëse 20 vepra të tjera që i ka në dorëshkrim. Ai (Gjergj Gjergji – Gashi, shquhet si autori i fushave të ndryshme, në pikturë, letërsi, poezi, roman, dramë, publicistikë etj.

Atij i janë referuar studiues të shumtë vendorë e ndërkombëtarë”. Pas përurimit të librit, në sallën e KK të Gjilanit u zhvillua në debat rreth veprës në fjalë. Demir Behluli, piktor gjilanas dhe njëri nga ata krijues që ka bërë më së shumti veprimtari pikturale në Kishën e Binçit, tha se, vepra e Gjergj Gjergjit – Gashit është një monument i rrallë i jetës jo vetëm dokumentare, por edhe i zhanrit të shkrimit shkencor. “Unë e kam lexuar, e kam përpunuar dhe e kam studiuar disa herë veprën e autorit në fjalë, për faktin se, më është dashur që Kishën e Biçit ta paraqes taman si e ka rrëfyer autori Gjegj Gjergji – Gashi golgotën e popullit shqiptar në këto vite të rënda të jetës së tij. Unë jam frymëzuesi më i mirë, ku me kolegun tim Zeqirja Rexhepin, piktor, i cili tash gjendet në Kanada, kemi bërë pikturat murale në kishën e Binçit, të cilat piktura flasin rrugën e mundimshme të popullit shqiptar, i cili është keqtrajtuar më së keqi duke e dëbuar nga trojet e veta stërgjyshore.

Sipas meje, nuk ka më bindshëm e më qartë se autori që ka përshkruar golgotën e banorëve të këtyre fshatrave që i përmendën më parë, ku, unë, duke lexuar veprën jam frymëzuar dhe këtë frymëzim e kam përjetësuar në artin e pikturimit mural. Me fjalë të tjera, rruga e rëndë e kësaj golgote, ishte me shumë sakrifica, ku njerëzit janë dërmuar dhe janë marrë njëherë 25 vetë, mandej 50 e më vonë 75, të cilët, prej tyre janë kthyer në vendlindjet e tyre vetëm 70 vetë. Të tjerët, si rrëfen autori, janë hedhur në ujëra të detit”.

Bile, Xhymshit Osmani rrëfeu se si këta njerëz që i kanë marrë t`i zhdukin, disa ditë e javë i kanë bartur nëpër qerre si të pajetë, vetëm e vetëm që të tjerët të frikësohen dhe të jenë të dëgjueshëm për pushtetin e Perandorisë Osmane. Fatmir Selimi pyeti, pse këta martirë presin qe 5 vjet dhe nuk janë shpallur të shenjtë? Isak Ahmeti iu përgjigj se, kjo punë është kah varritet dhe e kanë në dijeni edhe përfaqësuesit e Apostolisë Katolike. Se kur do të ndodhë, nuk dihet, por një ditë, edhe këta martirë shqiptarë të kësaj kohe do të shpallen të shenjtë aty ku e kanë vendin.

Për këta martirë kanë shkruar shumë poetë e autorë të tjerë të fushave të artit letrar. Në përurimin e librit morën pjesë: Ramadan Mehmeti, Sarë Gjergji, Hysen Këqiku, Sabit Rrustemi, Tahir Arifi, Nijazi Ramadani, Bilall Maliqi, Demir Behluli, Ibrahim Shabani, Reshat Ramadani e shumë të tjerë./Tefik Selimi/rajonipress/

Marre nga http://rajonipress.com/shfleto-artikujt.php?id=15319

Reklama
Lini një Koment

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s