Kalo te lënda

Fritz Radovani: Jeta e Shtjefën Mark Palushit (1943 – 1985) dhe humori i Tij.

by më 13/04/2016

Shtjefen PalushiRast i veçantë: Kam fillue punën në Fabrikën e Pelhurave, si piktor tekstili bashkë me Shtjefën Palushin (ose Tefa) me 18 Korrik 1969, dhe jemi nda përgjithmonë me Té, po me datën 18 Korrik 1985, plot 16 vjet… Sikur edhe vetëm 16 faqe me shkrue në një artikull prap do t’ishte pak me anekdota, kujtime, diskutime, probleme jete e pune…probleme që as nuk mund të mendohen nga njerzit të cilët nuk e kanë jetue atë kohë, kur Tefa, tue kenë edhe anëtar i Lidhjes së Artistave, punonte me një ish mësues të larguem nga arësimi për biografi të keqe…por, gjithmonë prej ditës së parë e deri tek e fundit: “shok e mik besnik”.

            Ishim në Shtëpi të Kulturës në Shkoder, kur Tefa djalë i vogël erdhi dhe mori një letër nga Prof.Vladimir Jani për sekretarin e Lidhjes në Tiranë, Foto Stamo, letër me anë të së cilës Prof. Vladimiri, i kërkonte me ndihmue Tefën për me u rregjistrue në Lice Artistik, tue pasë parasyshë se Tefa asht i talentuem dhe duhet ndihmue për konditat shëndetësore të tijat, sigurisht, piknisja ishte talenti i tij. Që në bankat e Liceut spikatë prirja e tij e veçantë për karikaturën, një gjini krejt e veçantë e grafikës por edhe pak e zhvillueme tek na.

Fritz RADOVANI: PËR ATA QË NUK DONË ME BESUE !...Piktori i njohtun Zef Bumçi e ndihmon pa rezerva talentin e ri Tefën, i cili për një kohë të shkurtë bahet i njohtun në Shqipni nëpërmjet faqeve të revistës “Hosteni”. Pa kalue pak vite merr pjesë edhe ndër ekspozita ndërkombëtare ku, fiton edhe çmime artistike.

Tefa krahas ilustrimeve për revistën merret edhe me ilustrime librash dhe me vepra karikature që i paraqet në ekspozitat lokale të Shkodres dhe ato nacionale në Tiranë, ku, pothuej vazhdimisht asht nderue me çmime për merita artistike.

Pa hy në analiza të veprave apo të ekspozitave personale të Tija, unë do të tregoj në këte shkrim dy aspekte: Tefa aplikues i parë në Shqipni i karikaturës në tekstil dhe, Tefa piktor i denjë si shok dhe mik i  vërtetë me u quejt “shkodranë”.

Deri në vitin 1993 ruejta me shumë kujdes arkivin e plotë të modeleve të tekstilit të punueme në atë fabrikë që nga hapja e repartit të stampimit në vitin 1959 nga piktori bullgar i cili, kishte ardhë në Shkoder për aplikimin e metodës së stampimit me serigrafi në Shqipni. Aty ishin të gjithë negativat e modeleve që ishin stampue në fabrikë që në fillim nga piktori Franc Ashiku. Ka pasë pak filma të damtuem nga një përmbytje e fabrikës, por me pak retushime nuk humbtë vizatimi origjinal, mbasi ata filma mujta me i tha nga ujë në ato ditë. Mund të tham se vlera e tyne ishte shumë e madhe për historikun e tekstilit në atë qytet ku, pëlhura e mëndafshit asht aq e vjetër sa vetë Shkodra… Posa dola në pension në vitin 1992, u zhduk edhe arkivi. Mbas vitit 1969 aty ishin të ndamë në vite edhe negativat, edhe mjaft vizatime në letër por, edhe mjaft nga kampjonet që pregatiteshin në pelhurë për me u aprovue nga entët tregtare të krejt vendit tonë. Duhet theksue se në konsultat për këto modele paraqiteshin rreth 75 – 80 modele vizatimi në vit të pregatituna kryesisht nga unë dhe Tefa, i cili mbulonte gjokset e bluzave të trikotazhit me karikaturat e Tija aq të dashtuna për fëmijët e të gjitha moshave, madje edhe shumë pelhura pambuku të vlefshme për me u përdorë edhe nga vajzat e reja të rritëshme. Ndër modelet e mija me vlerë ishin ata të cilat janë aplikue në mëndafshin natyral, shamijat e mëndafshta, perdet dekorative me motive popullore dhe bluzat e pambukta të trikotazhit për moshat e rrituna, të cilat janë dergue edhe ndër panaire ndërkombëtare jashta shteti dhe janë pelqye mjaft, por sigurisht na si piktor asnjëherë nuk kemi marrë asnjë shpërblim përveç rrogës, ndërsa unë disa herë edhe kam kenë në pragun e largimit nga puna për arësye të biografisë seme. Këte e verteton edhe dosja e punës, ku edhe pse pata përfundue Liceun Artistik me korespondencë, që ishte i mjaftueshëm për me u quejt piktor, unë vazhdimisht jam kenë fuqi puntore e repartit të stampimit, por kurr “piktor modelesh”…dhe si pasojë edhe Tefa ishte “disenjator”, mbasi emni “piktor” nuk mund të na përkiste ne, kjo ma shumë nga fanatizmi i theksuem i asaj drejtoreshe të quejtun Liri Ymeri, që nuk mund të pajtohej me mentalitetin tonë asnjëherë. Vuna në dukje këte gja për të tregue se edhe Tefa ishte nën një presion të vazhdueshëm nga prania e eme në një dhomë pune me Té. Koha në të cilën u njohtëm afër vërtetoi se shpesh atij edhe i drejtonin pyetje rreth meje, për këte Ai mbas vitëve 1975 edhe më ka tregue sesi ndonjë spijun në fabrikë dhe jashta saj u mundonte me nxjerrë ndonjë “fjalë” nga Tefa.

Jam kenë dhe do të jem mirënjohës deri në vdekje ndaj Tefës, për qendrimin e Tij të palëkundun burrnor, si shok, mik dhe qytetar i Shkodres, ndaj meje, mbasi po të ishte pak i dobët në karakter mund të më damtonte deri me zhdukje nga faqja e dheut ndër burgje, ku Ai edhe mund të përfitonte kredi nga Sigurimi i shtetit, jo me shpifje, por tue tregue ate të vërtetë që edhe kishte ndodhë mes nesh, jo nga pakujdesia por nga besimi që kishim fitue tek njenitjetri tue punue për një kohë aq të gjatë bashkë… Pra, kishte raste ku shpërthente ndonjë moment humori, bie fjala kur, në Shkoder qarkullonte anekdota e Tefës, që ishte me shumë domethanje për etiketat e vume në dyert e shtëpijave muze:

“Vllaznia asht monument kulture, ndërsa Dinamo mbrohet nga Shteti”!…

“Sahati em punon mirë se e kam kurdisë kur ishe në Kavajë, me sahatin e Kishës së Fretenve të Shkodres”…(kur, Shkodra mbas 1967 mbeti pa sahata me prishjen e të gjithë kompanjelave të qytetit…).

Kur e pyeti ish drejtori i kinamas “Rozafat” Dilaveri, pse je tifoz i gjermanve Tefë ?

– Po me ke me u ba tifoz, me ty? Ti sa kje drejtor  dogje kinema “Rozafat” ndërsa, gjermanët kanë kalue nëpër Shkoder, e nuk kanë djegë një jerevi!…”

Një puntore Lumi (K)… do të operonte veshtë në Tiranë, mbasi gati humbi krejtë ndigjimin…erdhi me na përshëndetë mue dhe Tefën…I dhashë dorën dhe i urova shëndet!

Tefa e shikoi dhe e pyeti: Ku po shkon Lumi?

  • Do të shkoj në Tiranë për me operue veshtë, se nuk po ndigjoj gati aspak!
  • Lene o Lum atë punë e mos shko, po çka po të duhen veshtë, e çka po don me ndigjue, ti shyqyr që nuk ndigjon…a ke sesi me na diftue edhe ne, si ia ke ba ti mos me ndigjue gja, jo ma me ba operacion me t’ardhë ndigjimi!?…

Një ditë në mengjez aty nga viti 1982..posa hyna në një repart pune në fabrikë, më thirri një puntore e quejtun Nezi. U afrova, por nuk e lente e qeshuna me fillue me folë… Fillova me qeshë edhe unë me Tè pa dijtë pse. Dikur, filloi me më tregue se kishte ndigjue nga një shoqe një barceletë, por nuk ia kishte tregue askujt prej frike. E kam mbajtë veten boll por, nuk mundem me ndejë pa ta tregue ty…Unë i thashë:

–   “Nezi, po kje me zarar mos e thuej!”..

  • Për të Madhin Zot o do ta tregoj ose po plasi!…
  • Hajt thueje pra, sa me plasë, i thashë, po as nuk më shkoj mendja aspak se kush mund ishin përsonazhet e asaj barceletë, veç e filloi:

            “Ma në fund, një ditë shoku Enver, vëndosi me ndertue një shtëpi të re me “kursimet” e të gjithë jetës, mbas sa e sa vuejtjesh i shkreti!…

            Kur përfundoi ndërtimin e saj, Enveri thirri kryearkitektin dhe i kerkoi mendim për të gjithë përsonat që kanë kontribue në ndërtimin e shtëpisë së re dhe, i caktoi një afat për listën emnore të atyne që mendonte me “dekorue”, të cilën dëshronte në fund me e pa ai vetë. Kryearkitekti e përfundoi në afat listën dhe ia solli. Kur Enveri po i hidhte një sy, vërejti se mungonte emni i elektriçistit. I dha urdhën me vue edhe emnin e tij, mbasi: “Më ka lënë mbresa mënyra sesi fikën e ndezën dritat automatikisht kur hapi e mbylli derën e WC. Me të vërtetë është një gjë e mbrekullueshme mënyra si e ka mënduar ay, pa qenë fare inxhenjer!…” Sigurisht u shtue edhe emni i tij….

            U mblodhën të gjithë tek Teatri Popullor me marrë dekoratat.

            Ingjenjeri i ndertimit pishinës po shihte me vërejtje elektriçistin dhe i drejtohet me çudi kryearkitektit: “Po elektriçistin kush e ka caktuar për t’ u dekoruar me ne?”

Ky iu përgjigjë shkurt: “Vetë shoku Enver, se i ka bërë përshtypje fikja e ndezja e dritave automatike kur shkon në WC.” Ingjenjeri i pishinës e shikoi pak me vërejtje kryearkitektin, dhe aty për aty i tha: “Lëre ore atë muhabet, me ke llafose, po e di ti që shoku Enver as nuk di ku bie dera e WC, ai ka tre vjet që urinon në frigorifer...”.

Nuk besoj se, mundet kush me e marrë me mend edhe të qeshunin edhe frikën…

Ika me të shpejtë në dhomën teme, po nuk mujshe me ndalue të qeshunin…

Tefa më shikoi, kuptoi një diçka po, jo, ku ishte mendimi i em…

Edhe unë, si Nezi, o me ia diftue Tefës ose po plasëshe së qeshuni!…

Vendosa e ia tregova….

Kur përfundova më tregoi, se kur ishte në Tiranë, kishte takue Ditero Agollin, i cili pak ditë përpara ishte kenë në Pogradec, se ishte atje edhe “shoku” Enver, në Volorek… me pushime dhe për me kalue një ditë “mes artistave” kishte thirrë tre shkrimtarë, Driteroin dhe dy të tjerë… mbas takimit disa orësh me te, tre shkrimtarët i kishin çue fjalë Lasgush Poradecit, se do ti shkojnë tek shtëpia për një vizitë të shkurtë meqë janë n’atë qytet… sigurisht, edhe tue i tregue se mund të vonohën pak se janë tek “shoku” Enver…

Posa kanë mërrijtë tek shtëpia e Lasgushit, sa kanë hy në dhomën e pritjes të tre, Lasgushi i ka pyet: “Hëëë ore, si e kaluat…e, ç’ju tha ai budallai?!”…

Po, kush mund ti jepte përgjigje…fillojnë me shikue sahatat ndër duer, sikur janë ba vonë me ikë Tiranë, tue ba të tre sikur nuk e ndigjuene pyetjen… çohën e dalin për dere dhe ikin…se, kishin frikë se mos Lasgushi po vazhdonte bisedën e fillueme prej Tij…

Kanë kalue 16 vjetët si ujë pa kuptue si ecë koha…

Por, nuk më shkonte kurr mendja se me aq shpejtësi po ecin edhe këta 24 vjet të tjera pa Tefën!…Shumë herë harroj se Tefa nuk asht ma!…

Jetoj edhe sot me shumë kujtime të bukura të asaj kohe që ishim me Té, ma shumë se shokë e miq! Ashtu, si mue: Shkodres, sot i mungon një e qeshun në ditë ma shumë!..

Melbourne, 2009

From → Humor, Shkodra

Lini një Koment

Lini një koment

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.