Kalo te lënda

XHUBLETA – VESHJE KOMBËTARE SHQIPTARE

by më 09/08/2016

XHUBLETAXhubleta, e cila peshon rreth 15 kilogramë, është një element i rëndësishëm i kulturës materiale që trashëghohet nga shekujt. Përdoret si veshje për vajza e gra shqiptare të besimit fetar katolik. Studiuesit kanë arritur në përfundim se tipi i kostumit me xhubletë është përdorur heret në Ballkan e në brigjet e mesdheut, dhe se ka jetuar për shekuj në qytetërimin ilir. Arkeologë e etnografë të njohur janë të mendimit se xhubleta shqiptare ruan shumë tipare të ngjashme me një veshje të vjetër mesdhetare. Në ikonografinë etruske, Z. Majani (Z. Mayani) veçon figurën e një valltareje të shkathët etruske të cilën e krahason, sa i takon veshjes, me xhubletën si veshje komnbëtare shqiptare të ruajtur sot në Malësinë e Madhe. Edhe po ta marrim me rezervë një krahasim të tillë, nuk ka dyshim se xhubleta është ndër veshjet më të vjetra në Europë, e ruajtur me shekuj, në mënyrën më besnike e më autentike, në traditën e veshjeve popullore shqiptare. Me tiparet e ruajtura burimore e autentike, dëshmon se ishte besnike, e palëkunsdhme në rrugën e gjatë të shekujve dhe mileniumeve. Shtrirja e saj ndër shqiptarë përfshin Malësinë e Shkodrës deri në Gurrëz të Milotit, një pjesë të shqiptarëve në Mal të Zi që banon përreth Bjeshkëve të Nemuna, ajo është përdorur në Rugovë të Kosovës, në këlmenmdaset e shpërngulura gjatë shekullit XVII në Srem si dhe në pjesën lindore të rrethit të Pukës dhe në zonën e Shllakut të Shkodrës.

Xhubleta është tip i veçantë dhe shumë interesant për gra, i cili nuk ngjan me ndonjë veshje tjetër të kohës së re në vendet e Evropës Juglindore. Ajo ka strukturë të pasur artistike. Forma e papërsëritshme, ngjyrat, ornamentet dhe stili i zbukuruar i japin asaj karakteristika dalluese nga veshjet tjera tradicionale për gra. Tek kostumi me xhubletë bën përshttypje harmonizimi i veçant i strukturës tipologjike. Xhubleta ashtu si edhe veshjet tjera shqiptare për gra, paraqet larmi zbukuruese edhe  në varësi të moshës së bartësve, pra, të vajzave, të nuseve dhe të moshuarave.

Xhubleta e nuseve ka një inventar të gjatë e të pasur: këmisha, të linjat, kraholi, mëngëza, grykëza, kërdhokla, brezi (shoka), pështjellakët (paraniku e prapaniku), jeleku, shamia (ruba) e kokës e shamitë e mesit, çorapet, opingat dhe stolitë metalike (vjerrcat e flokëve e të brezit, vathët, „parja e qafës”, unazat prej sermi “gjerdani me pllakën e madhe midis”, “brezi me vargojtë për mjetet i kapur në maje të shokës”). Nga beli e poshtë xhubleta është e ndërtuar me rripa shajaku e spiku të kombinuar. Stolitë e kokës, të qafës e sidomos të kraharorit krijojnë efekt të veçantë artistik te kostumi me xhubletë. Zinxhirët prej argjendi spikatin mbi veshjen e errët dhe krijojnë unitet stilistik me qëndisjet lineare fijearta. Zbukurimi mbi kokë, gjoks dhe prehër ka lidhje me kultin e mëmësisë, por në aspektin artistik ai merr vlera të veçanta. Nusja malësore vendos mbi kokë shami të kuqe ose të bardhë, e cila spikat nga veshja e errët, mbi ballë vë “paret e kokës”, të cilat me ndriçime metalike e ftojnë shikimin drejt fytyrës, gjoksi rri disi hapur, mbi të spikat këmisha e bardhë. Prej qafës zbresin gjerdanët zbukurues prej argjendi plot copërina shndritëse metalike, të cilat lëvrijnë si guriçka lumi mbi kraharorin e nuses, mëngët lihen zakonisht të qeta pa zbukurime, çorapet e leshta qëndisen në pjesën e sipërme nga të dyja faqet anësore me nga një motiv tepër  origjinal. Ato janë mjaft të gjëra mbi kërçikët e këmbës dhe e tregojnë gruan këmbëtrashë e të fuqishme.

Xhubleta e vajzave është më e lehtësuar në pjesët përbërëse. Ajo është prej shajami të bardhë me iva të zeza. Deri në moshën 10-vjeçare vishnin “gujë” leshi, e punuar me shtiza dhe me rripa të bardhë e pak të zinj. Pas moshës 10-vjeçare vajza vishte xhubletën e bardhë, vinte në kokë shami të bardhë dhe mbathte çorape të bardha, më vonë bardhë e zi, nuk mbathte kërdhokël vetëm pështjellak e një formë jeleku (mitan).

Xhubleta e plakave sot paraqitet e errët dhe me pak zbukurime, pa aksesorë metalikë, me shami koke të bardhë, mbi të cilën lidhet rreth ballit një lidhce apo “shall” i zi. Të moshuarat tregojnë që plakat e hershme (kemi parasysh fundin e shekullit XIX) mbanin xhubleta tërësisht të bardha me një ivë të zezë përfundi. Sipas kallëzimtareve në ato kohëra, për zi nuk vihej rubë e zezë, por e bardhë, pse ishte “gjynah” me mbajt rubë të zezë, qoftë edhe për djalin e vdekur. Si tërë arti i zbatuar popullor edhe xhubleta komunikon me vizitorin përmes gjuhës artistike të zbukurimit. Së largu ajo duket e varfër në zbukurime e pa shumë ngjyra, por kur e shikon me kujdes, mund të vëresh një mori ornamentesh të qendisura në të, si p.sh. motive gjeometrike, kozmike, florale, antropomorfe e motive të ndryshme. Forma unikale e xhubletës, ornamentet e saja arkaike si dhe koloriti bazë thuajse grafik bardhë e zi, janë dëshmi e një kulture të hershme të trashëguar në këto treva. Kostumi me xhubletë në fushën e kulturës materiale dhe në fushën e artit të zbatuar, paraqitet sot ndër dëshmitë më të kompletuara e aktive që përbën një tërësi organike të trashëgimisë së popullit tonë në shekuj.

Dr. sc. Anton K. Berishaj

Marre nga Revista Buzuku (Ulqin)   
http://www.buzuku.info/index_aktual.htm

Ripublikue edhe ne http://shqiperia.njekomb.com/16127/

Reklama

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.