Hidhu te lënda

Dom Gjon Gazulli, gjuhtar, martir e atdhetar, në pervjetorin e varjes nga Ahmet Zogolli më 5 mars 1927

by më 07/03/2017

Duke shfletuar kalendarin historik, sot më 5 mars, kujtojmë përvjetorin e varjes për vdekje të martirit të Krishtit e të Kombit, dom Gjon Gazullit, më 5 mars 1927, në periudhën e Zogut.
Dom Gjon Gazulli lindi në Dajç të Zadrimës (Lezhë), më 26 Mars 1893. Pas shkollës fillore në vendin e tij, filloi studimet në Seminarin Papnor të Shkodrës. Në vitin 1912 vazhdoi studimet në Romë, më vonë në Francë, e pastaj edhe në Austri, por jo gjithmonë vetëm për arsye studimi, por edhe për arsye shëndeti. U shugurua meshtar më 4 gusht 1919. Qe një kundërshtar i vendosur i qeverisë së mbretit Zog, që diskriminonte zonat e Dukagjinit, të Pukës dhe të Mirditës, zona tërësisht katolike. Insistimi i tij për të dënuar një regjim të tillë pati pasoja: më 26 dhjetor 1926 u arrestua. Mjaft shpejt, saktësisht më 2 janar 1927, u dënua me vdekje dhe u var më 5 mars 1927.

Mbi figurën e jashtëzakonshme të këtij martiri të Atdheut e të Fesë, dom Gjon Gàzullin, ka shkruan Daniel Gàzulli
MARTIRI I ATDHEUT DOM GJON GÀZULL- Në 85 vjetorin e varjes
Nga Daniel Gàzulli

I
Mbas vrasjes së atdhetarit opozitar, demokratit të madh Luigj Gurakuqi, të idhullit të rinisë shqiptare e liridashësit të zjarrtë Avni Rrustemi, të Plakut të Maleve, Lisit të paepun të Kosovës, Bajram Curri, nga mbeturinat antikombtare osmane haxhiqamiliste, rradha e eleminimit fizik i kishte ardhë deputetit të Opozitës, atdhetarit intelektual, Dom Gjon Gàzulli, të cilit anadollaku Ahmet Zogolli i zgjodhi, si prift katolik që ishte, mënyrën ma “spaciale” dhe ma çnjerëzore: “varjen”.
Në Vorrezat e Rrëmajit, atje ku prehen bijë të shquem të Shqipes, atje ku janë themelet prej graniti të një Kombi, asht vorr i tij i thjeshtë, ndreqë rishtas prej familjarëve pse ishte damtue shumë. Ka plot 84 vjet që besimtarë e jo besimtarë, të krishtenë e muslimanë, ndalen tek ai vorr, ndezin një qiri, lanë një tufë lule apo lëmoshë për të vorfnit. “Vorri i Dom Gjonit”, i thonë thjeshtë shkodranët, ndoshta edhe pa dijtë shumëçka për Të, por tashma me një bindje të trashëgueme nga brezi në brez se Ai asht
Vorr i Shejtë. Asht vorri i thjeshtë i Martirit Dom Gjon Gàzullit, varë në litar 84 vjet ma parë, me 5 Mars 1927. Dora gjakatare po ajo: Ahmet Zogolli.
Sot edhe Vatikani ka hapë procedurën për shejtnimin e tij. Dhe ja, dhjetorin që shkoi, në Katedralen e Shkodrës, u zhvillua seanca e fundit e Gjyqit Kishtar Kanonik për shpalljen Martirë të Kishës Katolike të 40 klerikëve e laikëve të mbytun gjatë shekullit XX, ndër ta edhe Martiri Dom Gjon Gàzulli.
Po a ishte Shejt Dom Gjoni?
Le t’i përgjigjen të tjerë kësaj pyetje.
Jeta e vepra e Tij janë dëshmi e ndritëshme se Ai ishte, po, Atdhetar dhe demokrat ndër ma të pastërtit që shkelen, jetuen, punuen e u flijuen për vendin dhe popullin e vet.
Kleri Katolik, sogje ndër shekuj në mbrojtje e në luftë për liri të Shqiptarisë e të Fesë, kishte provue mijra shëmtime mbi vete prej pushtuesëve otomanë. Mjaft të kujtojmë një prej tyne: Masakrimin e të madhit, madhështorit, Imzot Pjetër Bogdanit. Si Ai u masakruen sa e sa Meshtarë e besimtarë të tjerë katolikë!
Kujtuen shqiptarët se mbas Ditës së Madhe të 28 Nandorit 1912 nuk do të provonin ma shëmtime e masakrime si ato të turqëve. Po jo, çibanët që la mbrapa otomani, feudalët e agallarët atavikë, shartue shpirtin me urrejtje aziatike ndaj të krishtenëve, edhe pse bashkatdhetarë të tyne, shikonin po të njejtat andrra të kobshme:
“Me ambasadorin anglez Ahmet Zogu në 1927 u ankue për klerikët katolikë: “Ah sa shumë do të dëshroja t’i varja ashtu siç e meritojnë”…E që të kënaqte kërkesen e mbrendshme për t’i varë, ai çoi në trekambësh një klerik…( Dom Gjon Gàzullin).
Ky veprim bani që përfaqësuesi amerikan në Tiranë të komentonte, lidhun me këte ngjarje, se ndrysh nga përsonifikimi i Drejtësisë Përendimore, një Përendeshë me sy të lidhun, që mban në dorë peshoren e paanëshme të fajeve të të gjithë atyne që gjykohen prej saj, drejtësia shqiptare asht një zonjë muhamedane, që herë mbas here vështron tinzisht përmes perçes se cili ndodhet mbi pjatë, përpara se të rregullojë gurin e peshores.” (Bernd Fischer –
Re Zog e la lotta per stabilità in Albania, Monographs dell’Europa orientale, Boulder, 1984.)
Ky ishte Ahmet Zogolli i Matit, që dënonte me tre vjet burg atentatorin e tij Beqir Valteri, ndërsa çonte në litar meshtarin Dom Gjon Gàzulli, pa i provue asnjë faj, nëse faj nuk do të konsiderohen:
– Të duesh Atdheun deri në flijim për të;
– Të flijohesh për liri e drejtësi të popullit tand;
– Të shkrihesh për përparimin e tij;
– Të kesh miq toskë e gegë, të krishtenë e muslimanë, e me të gjithë tok të luftojsh për një Shqipni Etnike.
Ndoshta këto vepra për disa janë faje edhe sot, pse, ndërsa Dom Gjoni nëmos tjetër e ka një vorr, i vëllaj, gjuhëtari i shquem Dom Nikollë Gàzulli, pushkatue pa gjyq me 02 shkurt 1946, nuk dihet as ku i ka eshtnat, ashtu si nuk dihet ku kanë eshtnat shumë e shumë klerikë e atdhetarë të mirëfilltë masakrue prej bandës serbo-komuniste me në krye Mehmet Shehun, Shefqet Peçin, Koçi Xoxen etj., në Malësi të Mbishkodrës në vitet 1944-1946.
Ahmet Zogolli nuk e ndërpreu asnjëherë luftën kundër Klerit Katolik. Jo rastësisht ipeshkvijtë i drejtoheshin më 1933 (kur i paten zanë “dritën” shkollat katolike) se,
“Na jemi këtu prej dymijë vjetësh; katolikë atëherë edhe sot, shqiptarë atëherë shqiptarë edhe sot”.
Si mund të shpjegohet kjo?
Pëgjigjen na e jep qysh në vitin 1933 një njeri i çliruem nga çdo lloj trysnie, pse tashma gjendej i mërguem në Francë e mund të shprehej lirisht. Sundimtarët shqiptarë, që vinin nga administrata osmane, herë mbas here ktheheshin tek origjina, qoftë si mendësi, por sidomos në veprime. Ja si thotë, pra, At Frano Karma në 1933:
“Fara e keqe e sektarizmit kundër katolikëve, përhapë nga Turqit veçanarisht tek paria shqiptare muslimane, prodhoi përgjatë tre shekujve frytet e veta ma të këqija, dhe për fat të keq vazhdoi t’i prodhojë edhe ma të helmta qëkurse një pjesë e Shqipnisë u shpall e pavarun qysh para njëzet vjetëve. Për rrjedhojë, katolikët shqiptarë ndjejnë të randojë mbi ta një atmosferë e randë vdekjepruese.
Në të vërtetë, duhet thanë se shumica e muslimanëve shqiptarë ….. gjithmonë kanë dashtë të jetojnë në paqë vëllaznore me katolikët. Tue përfitue në të gjitha rastet për të nxitë ndër ta fanatizmin fetar musliman, janë gjithmonë krenët ata që kanë ushqye urrejtjen ndaj katolikëve”.
Natyrisht, mundet mos me qenë e këtij mendimi historiografia e sotme shqiptare. Jo që sigurisht nuk asht. Fatkeqësisht tek na shkenca i asht nënshtrue gjithmonë politikës. Kështu, në një kohë kur qeveritë tona me radhë i shesin për dy kacidhe pasunitë kombëtare Turqisë, prej Albtelekomit e deri te Minierat e Bakrit; kur shtetarët tanë heqin nga zyrat bustin e Kastriotit pse u vjen për vizitë “vëllau” turk, kur presidenti Topi quen Lekë Zogollin “Naltmadhni” (e na kujtonim se mbas kapitullimit të Italisë Fashiste nuk kishte ma mbretën në Shqipni), e nipi i Zogollit quhet Leka II, këshilltar i Ministrit të Jashtëm, kur …. Nuk do të kishin fund shëmtimet e fallsifikimet e titujve të pamoralshëm. Shqiptarët janë hutue: po baltosen përditë liberatori i madh, demokrati Luigj Gurakuqi (Ndoshta ndokush sot shfren me vete: “Ah, të kisha mundësi t’ia hiqja emnin e tij Universitetit të Shkodrës!”- ashtu si prishën Shtëpinë e tij Muze), i shkëlqyeshmi liridashës Avni Rrustemi, Plaku i Maleve Bajram Curri, atdhetari i urtë Hasan Prishtina … E nuk asht me u çuditë: A nuk po hedhin baltë deri mbi Gjergj Kastriotin “inglishmenët” e Tiranës e “jatullahët” e Prishtinës?
II
Në vitin 1961, kur u kthye në Atdhe mbas 35 vjetëve mërgim, tregonte vëllaj i Dom Gjonit, Stefani:
“Na e ndjenim thellë përgjegjësinë ndaj Atdheut. Lirinë e kishim në gjak, e kishim trashëgue, nuk na u desht shumë me e kërkue ”.
E të parët e tyne ishin Gjon Gàzulli i madh, astronomi, matematikani e ambasadori i Kastriotit në Shekullin e Madh, Pal Gàzulli, ambasador i Kastriotit pranë Republikëse së Raguzës në vitet 1452-1459 dhe Rektor i Shkollave të asaj Republike, Doktori i Filozofisë Imzot Ndue Gàzulli, Arqipeshkëv i Shkupit (1702-1753), Abati i Mirditës Ndrè Gàzulli (shek XVII), Andrea Gàzulli, komandant i Forcave të Veriut pranë Ali Pashë Tepelenës deri me sulmin e tij barbar mbi Kardhiq, e kështu me radhë, pse gjithmonë ndër shekuj ka qenë të paktën një pinjoll i familjes që do të shkonte për studime në Universitetet e Europës, e seicili prej tyne u shkri për Atdhe. Jo, nuk dijtën Ata të vdisnin me krye në jastek, sa kohë që Atdheu ishte nën thundrën e mnerëshme otomane apo të sllavit.
Po në fillim të shekullit XX, ishin tre vëllazën njëherësh, Gjoni (1893 – 1927), Nikolla (1895 – 1946) dhe Stefani (1896 – 1964), që vijuen studimet jashtë shteti.
Gjoni, ashtu siedhe Nikolla e Stefani, leu në Dajç të Sapës (Zadrimë) me 26 Mars 1893. Mësimet e para i bani në shkollën e fshatit, që e kishte çelë Dom Ndre Mjeda.
Si vijoi të mesmën në Shkodër, studimet e matejshme i ndoq në Itali dhe Austri, ku ishte edhe vëllaj tjetër, Nikolla.
Ai u Shugurue Meshtar me 4 Gusht 1919 në vendlindje, në Dajç. Mbas një shërbimi të shkurtë në Gjadër të Lezhës, e çuen në Qelëz të Pukës.
Famullia e Qelëzes ishte i përbame prej 9 katundesh. Kishte një organizim shembullor, gja jo e zakontë për atë kohë. Dom Gjoni dijti me i hy në zemër popullit, e të gjithë përendonin mbas tij. Ishte shëndetpakë, por me vullnet hekuri. Përherë buzëgaz, i rreptë me vete, poaq bujar, i çiltë e i dashtun me të tjerët.
Dom Gjoni u ishte përkushtue problemeve të vendit qysh kur ndiqte studimet në Romë, aqsa poeti arbëresh Agostino Ribecco (1867-1928) e cilëson më 1915 “Atdhetari i madh Gjon Gàzulli”.
Tue pa trazimet e Atdheut, ai u angazhue përkrah Luigj Gurakuqit, Avni Rrustemit, Fan Nolit, Bajram Currit, Gjergj Fishtës, Hasan Prishtinës, në atë krah që asht quejtë në histori “opozita”, pse i ishte kundërvu “popullores” së Ahmet Zogut, dhe në zgjedhjet politike të vitit 1923 Dom Gjoni u zgjodh deputet.
Po le të ndalemi pak këtu.
A ishin parti politike “opozita” dhe “popullorja”? Absolutisht jo! Ato ishin dy kahje të politikës shqiptare të kohës, që përfaqësonin dy mendësi. Ndërsa “opozita” kishte në përbamjen e saj atdhetarë të shquem, intelektualë të mirëfilltë, andërrues të pandreqshëm të një Shqipnia Etnike e të lirë, me vështrim nga Europa, “popullorja” e Ahmet Zogollit dhe vjehrrit të tij Shefqet Verlaci, donte të vendoste ligje aziatike, ndërkohë që edhe vetë Turqia e Ataturkut i kishte kthye sytë nga Europa, donte një popull
“raja”, që ta shkelte e ta shfrytëzonte njëlloj si kishte ba turku me ta e aty edhe ma keq. Të ndjekun prej mbetjeve ma të përçudnueme të Stambollit, ashtu si i ka pikturue At Fishta,
“Ky babën gjaks, gjyshin katil, stërgjyshin mizuer … hasëm të kulturës …”, ata nuk përfaqësonin asnjë interes të popullit shqiptar, po një interes të ngushtë bejlerësh që donin me ruejtë ato previlegje që i kishin sigurue tue i shërbue pushtuesit otoman, kryesisht në një rreth nepotik: Ahmet Zogu, nipi i Esat Pashë Toptanit, dhandrri i Shefqet Verlacit, kunati i Ceno bej Kryeziut, një qerthull mehmurësh anadollakë, atavizëm e kohës kobzezë të gjysëmhanës, të shitun te serbi deri në ditën e vdekjes.
Ndërkohë, tue qenë meshtar në Qelëz, meshtari-deputet Dom Gjon Gazulli kreu atë akt që për kohën ishte një veprim revolucionar i pashembullt: Hapi në qelë (shtëpinë ku banonte vetë, ashtu si banë edhe shumë klerikë të tjerë) shkollën e parë mikse në botë.
Po po, në botë. Asht diçka e vështirë për brezin e ri me kuptue disa gjana, por edhe në Europën e përparueme shkollat mikse (djelm e vajza bashkë) janë çelë për herë të parë mbas Luftës së Dytë Botnore, në Francë më 1948, kurse në Itali katër vjet ma vonë, më 1952.
Kurse ai, prift, hapi në qelë shkollë mikse me djelm e vajza bashkë, të krishtenë e muslimanë bashkë. Ja përse thash se ai ishte një revolucionar i vërtetë, në kuptimin ma të mirë, të saktë e ma modern të vetë konceptit të vërtetë të fjalës “revolucionar”.
Jo rastësisht një ndër votuesit e tij kryesorë, pse zgjedhjet në atë kohë baheshin me përfaqësim, ka qenë Myftiu i Hasit. Kur Musa Juka iu drejtue Myftiut:
“Po ti, si nuk pate turp që votove për priftin?!”, Myftiu, pa prishë terezinë, iu gjegj i qetë:
“Nuk votova për priftin, po për atë që po na mëson përditë çka do me thanë Shqipni, çka do me thanë Atdhe”.
Në një fletore kujtimesh me titull të përgjithëshëm që pat lanë, shkrue me dorën e Tij,“Njizet fytyrat ma në shej të kohës teme” (Njëzet figurat ma të shqueme të kohës time), trembëdhjetë ishin muslimanë: Bajram Curri, Hasan Pristina, Avni Rrustemi, Mehmet Vokshi etj; e Ai vetë ishte prift, po prift SHQIPTAR, me të gjitha shkronjat të mëdhaja.
Paraardhësit e tij, në kohë shumë ma pak të kthjellta, e kishin tregue se asnjëherë nuk i kishte vërbue ndasia, apo deri urrejtja, për motive fetare.
Ja ç’thotë Pouqueville tek
“Historia e Përlindjes greke”: “Andrea (Ndreka) u gjet si prijs i Mirditasve atë ditë që Ali Pasha (Tepelena) mblodhi popullin e Kardhiqit te Hani i Hormovës me u pajtue me ta, por në të vërtetë me mendimin me i grì. Alia, tue mendue se katolikët, për fanatizëm fetar, kishin me e zbatue urdhnin kundër një popullsie muslimane, sillet prej Taborrit të Zi, quejtë kështu prej xhurdinit të zi që mbanin, e u thotë me grì anmiqtë. Ndër ata trima katolikë u ndje një za i lehtë – Pasha kujton se duem me lypë pare për shpërblim; e Aliu i sillet: Lypni sa të doni, por m’i grini këta qafira! Atëherë duel komandanti i tyne Andrea Gàzulli e i thotë Ali Pashës: “Na nuk kemi ardhë këtu me u vra me njerëzit tanë! … “. Por u gjet një farë Athanas Vajo, grek i pashpirt, e atë ditë qenë pré në sakica 600 vetë në Han të Hormovës”.
Komandanti Andrea Gazulli mori taborrin e gegëve e u kthye në Veri.
Dom Gjon Gàzulli kishte një histori shembullore mbas vetes, që do t’i shërbente në jetën e tij të panjollë.
III
Të ndalemi sërishmi tek ai që asht quejtë dikur “Revolucioni i qershorit 1924”, kurse sot “inglishmenët” e Tiranës, lakejt e Lekë Zogollit e miqtë Lekës II (sic!) e quejnë me elegancë në frengjisht “Coup d’Êtat” (grusht shteti),kurse Fishta e quente “Trazimet e qershorit 1924”.
Nëse qé një “Coup d’Êtat” (grusht shteti), kush e bani atë?
Fan S. Noli! – Japin përgjigjen menjëherë “historianët” e papaguem të Tiranës. Se këtu qëndron e bukura tek na: historianët shiten edhe pa u pague.
Po e vërteta? Po dëshmitarët e kohës ç’thonë? Vallë akt i një të çmenduni të quejtun Selim Reçi ishte vrasja e Avni Rrustemit me 22 prill 1924?
Zgjedhjet e 27 Nandorit 1923, edhe pse i fitoi, nuk e patën kënaqë Ahmet Zogollin. Ato u zhvilluen në rrethana e kushte tejet të pafavorshme për opozitën demokratike, megjithate nuk u realizue gjithë ambicja e tij. Ja si shkruen Fishta pak muej ma vonë:
“Kalben gjindja në burg, tue pritë me vjetë e vjet gjygjin definitiv të gjykatoreve: por Nuz Vrijoni&Co, të gjykuem për jetë, lëshohen prej burgut kohën e eleksjoneve, pa kurrnji vendim t’autoritetit judicjar. Derdhen miljona e derdhet gjak për me çarmatisë popullin: por qé ministrat e kryeministri vetë, tinëz e nën dorë, armatisin boshibozukët e Shqipnisë së mesme e gjaksit e Dibrës e të Matit”. Kjo pra kishte qenë klima e atyne zgjedhjeve.
Praktikisht Asambleja e dalë nga ato zgjedhje ishte e pamundun të bante diçka për së mbari.
Atëherë Ahmet Zogolli mendoi ta shpërbante ate. Po si? Nuk kishte asnjë të drejtë kushtetuese ta bante këte.
“Prandaj – vijon Fishta –
duhej qi aj xhahili shqyptar të gjete shkakun e të gjete kohën, se kur me ba këtë Coup d’Êtat. Shkaku ma i mirë do të ishte: me krijue anarkin në Shqypni, për me mujtë me thanë, se Asambleja nuk ishte e zoja me ruejtë qetsin e vendit. Mbasandej, per modum facti, me marrë fuqinë në dorë nëpërmjet njasaj force ilegale e boshibozuke, qi tinzi ishte tue e mbëkamë në Mat e Dibër.Atëbotë me u deklarue diktator … “.
Ideja e shpërbamjes së Asamblesë Kombëtare iu përshpejtue mbas atentatit të Beqir Valterit. M’atë rast ai filloi shpërndamjen e armëve boshibozukëve të tij anë e kand, ndërsa përgjakte Malësitë e Veriut në mbledhjen e armëve.
(Në parantezë duhet thanë se e gjithë periudha e sundimit të tij ishte e mbushun me atentate kundër tij, e sidomos me vrasje me pagesë prej tij të lules së kombit. Ndër ata atentate që kanë mbetë në histori asht ai që i bani Ndokë Gjeloshi në Vjenë, por kalohet një fakt: Ç’desht Zogolli në Vjenë? Shkoi për mjekim, thonë. Apo në një prej orgjive të tij të zakonshme seksuale me zojushat e atjeshme Françeska Janko dhe e motra Maria? Deri sa paguente aq vrasës, përse të mos paguente edhe dy prostituta vieneze me taksat e shqiptarëve?)
Historianët ndërkohë duhet të shpjegojnë përse i organizuen atentate deri edhe bashkpunëtorët e tij ma të ngushtë, si Eshref Frashëri, kryetar i Senatit, Ceno bej Kreziu, kunati i tij, Shefqet Verlaci, vjehrri i tij, e vargu do të ishte i gjatë.
Po le të kthehemi në pranëverën e vitit 1924 kur një mullis, një i krisun i paguem e i strehuem prej tij: Selim Reçi që shtin mbi fatosin e kombit Avni Rrustemi. Pra anarkia u sigurue!
Po Zogolli dhe vjehrri i tij kryeminstër Shefqet Verlaci kësaj radhe nuk i kishin ba llogaritë mirë: Pë rreth trupit të Fatosit të Kombit u mblodh Shqipnia mbarë, prej Kosove, deri në Çamëri.
Ishte kjo gjendje tragjike që kishte krijue Zogolli e flama e tij në mbarë vendin që çoi në rrëzimin e qeverisë dhe ikjen e Zogollit në Beograd. Po po, në Beograd, ku tjetër? Vallë as ato fakte historike që i ka në dorë një Europë mbarë mbi tradhëtinë e Zogollit historianët tanë nuk i dinë?!
IV
Dom Gjoni nuk u largue kur në Shqipni u rikthye Zogu me hordhitë serbe e bjellogardistët e Wrangelit. Nuk iku as atëherë kur Zogu i vrau miqtë e tij ma të mirë, Luigj Gurakuqin e Bajram Currin.
Në tetor 1945 Eduard Kardeli, numri dy i Beogradit, porosiste Enver Hoxhën: Nëse do të mbajsh pushtetin, në radhë të parë duhet të zhdukish klerin katolik, dhe Enver Hoxha ashtu bani. Të njejtën porosi i pat dhanë edhe Pashiqi Ahmet Zogut e ky u lëshue mbi Mirditë, Zadrimë, Pukë e Dukagjin ma keq se serbi mbi Drenicë.
Dom Gjonin, mbasi iu desht të përballej në krye të pukjanëve të Qelzës me boshibozukët e Pëllumb Lleshit, që shkonin tue gjuejtë kudo ndeshnin Kryqat e tue vra edhe pukjanët e pafaj tek ktheheshin me bagëti a prej mullinit, në shkurt 1926 e transferuen dhe e çuen në Koman. E puna e parë që bani sa u vendue atje ishte me hapë edhe aty një shkollë.
Ahmet Zogu, para se me i shprehë dëshiren e zjarrë ambasadorit anglez me varë klerin katolik, po zbatonte politikën e tokës së djegun ndër krahinat e krishtena të Mirditës, Pukës, Zadrimës, Dukagjinit, Malësisë së Madhe me andërren e fshehtë që të ishte jo sundimtar i Shqipnisë, po i Arnautistanit anadollak. E për të realizue këte, duheshin zhdukë, ose ma e pakta, të mundoheshin, sa t’i detyronin me lëshue vendin, katolikët e maleve, kurrë të shtruem nga pushtuesit e tiranët, pse si thotë Imzot Noli, “Vetëm Malësorët e Veriut mbetën Katholikë me armë në dorë…”.
Kështu, në verën e vitit 1926, Ahmet Zogu i kishte dhanë letër të bardhë një katili si kapiten Ismajl Osmani, që shkretoi fshatrat e Pukës me njerëz e me pasuni. E njejta gja po ndodhte prej Fanit në Dukagjin. Ajo që asht quejtë Kryengritja e Veriut kundër Ahmet Zogollit, në të vërtetë nuk ka qenë tjetër veçse mbrojtje e lirisë e deri egzistencës fizike nga masakrat mbi popullin e pambrojtun të barbarit diktator të Matit.
Njerëzit u detyruen të merrnin malet: Në Pukë, Kolë Bibë Miraka me të vëllanë Pashukun e toger Spiro Kosovën; në Dukagjin një meshtar, Dom Loro Caka e dy oficera, togerat Ndokë Gjeloshi e Vasë Kiri (e bashkë me ta edhe At Çiprian Nika, At Mati Prennushi). Malet kishte marrë edhe Shqipnia e Jugut. Por edhe asaj here shqiptarët nuk dijtën të bashkoheshin e t’i banin ballë së keqes. E Puka e meshtarëve Dom Gjon Gàzulli, Dom Nikollë Gazulli e Dom Lekë Dredha, që u përpoqën të ndalnin masakren mbi popull, po bahej zhur. Postkomandanti i Pukës Dedë Sadrija kishte marrë urdhnin drejtpërdrejt nga Zogolli: Të digjet Puka, sikur edhe për shtatë vjet atje të mos mbijë ma bar!
Kështu kishte ba dikur edhe Turqia! Ahmet Zogolli po u dëshmonte shqiptarëve si ishte nip “i dejë” i Esat Pashë Toptanit!
Dom Gjon Gàzulli, në pamundësi me ndejë ma në Koman, pse rrezikohej jeta e tij, u strehue në Kalivare tek Dom Ndre Simoni. I thanë të largohej nga Shqipnia, nëse donte të shpëtonte kryet. Po jo: ai nuk do ta linte kurrë truellin amtar! Ai, në luftë me Nënprefektin anadollak të Pukës për çashtje të shkollës që mbante në Koman, Ai, që ishte i mbuluem me nder prej Hasit në Zadrimë, tashti ishte rrethue prej çakejsh e nuk mund të kthehej ma as deri në famullì. E Zogolli nxitoi t’i thurte të gjitha kurthet: së pari, një hoxhë fanatik, që rrejti një njeri qyqan e mendjeshterpë tue e nxitë t’i bante një padi; sekreatri i Prefekturës Ismaijl Axhemi (me origjinë turke), miku i ministrit Musa Juka, nënprefekti Abedin Sakiqi, komandanti i rajonit Rexhep Aliaj – të gjithë të angazhuem me provue “fajsinë” e tij.
Dom Gjon Gàzulli, Dom Nikollë Gàzulli, Dom Lekë Dredha u arrestuen në Kalivare me 28 dhjetor 1926, në muzg të mbramjes, nësa po niseshin për Reps. I çuen në Orosh ku i mbajten të burgosun deri me 5 janar, kur i kthyen në Pukë. Kapiteni katil Ismajl Osmani desht t’i vriste qysh aty tre meshtarët, po ia ndali dorën gjakatare, që kishte ba sa masakra anë e kand Pukës, një oficer tjetër trim, aspirant Ndue Pali.
Tre meshtarët u burgosën në një kthinë nën shkallë: 75 cm e gjanë, një meter e gjatë. Aty u dergjen ata për dy netë e tri ditë.
Gjyqi, një ndër farsat ma të neveritëshme të Zogollit, akuzoi Dom Gjonin dhe shokët e tij se: 1) kishte organizue kryengritjen; 2) kishte shpërnda armë ndër male; 3) kishte pre telin e telefonit. Po po, e akuzuen se kishte pré telin e telefonit!
Vendimi i gjyqit:
Dom Gjon Gàzulli, dënim me vdekje, varje në litar.
Dom Nikollë Gàzulli, me burg të përjetshëm …. (Mbas 4 vjetësh burg në Kala të Gjirokastres, me ndërhymjen e intelektualëve ma të shquem të kohës, e liruen. Sa duel prej burgut, iu dogj qela (shtëpia e banimit) “aksidentalisht” bashkë me dorëshkrimet. A nuk i ishte djegë 15 vjet ma parë biblioteka e pasun edhe të Madhit Imzot Kaçorri?! Haxhi Qamilët, që dogjën shërbëtorin, qelën e bibliotekën e Imzot Nikollë Kaçorrit, nuk i kanë mungue kurrë Shqipnisë, e, për fat të keq, nuk i mungojnë as sot).
Arsyeja e vërtetë: të masakroheshin priftënit, ashtu si ishin masakrue për pesë shekuj nga etnit e tij shpirtnorë, osmanët. Por jo si klerikë, pse atëherë do të mbeteshin Martirë të fesë, por si politikanë.
Ja pra: “Sa dëshirë do të kisha me i varë… “
Pjesa e pashkrueme e atij vendimi gjyqi kishte ma shumë randësi se dënimi me varje i Dom Gjon Gàzullit. Me atë varje barbare Zogolli u thonte të gjithëve, në radhë të parë popullsisë së Shqipnisë të Veriut, kryesisht Malësorëve trima, kundërshtarët ma të rreptë të tij: Ose rrini urtë, ose të gjithë në litar si prifti!
V
Kujtonin ata që u gjenden në burg pranë Tij, ndërsa ishte i dënuem me varje në litar, se si përpiqej t’i ngushllonte. Po, të ngushllonte ata, të dënuemit me burg! Ai, i dënuemi me varje në litar.
Po sjell këtu fragmente nga një intervistë dhanë të përkohëshmes gjermane “Korrespondez des Priestergebetsve” nga oficeri i ngarkuem me varjen e Dom Gjonit, një farë Xhemal Dibra:
“Ishte ora 11 para mesnate. Udhët e Shkodrës ishin ende të rrahuna prej njerëzish, pse ishte Bajram. Dhash urdhën të thirrej famullitari Gàzulli n’oborr, pse donte me folë me të Ipeshkvi. Gazulli zbriti poshtë. E kuptoj çfarë do të ndodhte. Një françeskan me Sakramend ndej para tij (At Martin Gjoka, shënim im). … Françeskani kishte mbetë pa gojë. Famullitarit Gàzulli nuk i ndrroi aspak ngjyra e fytyrës. Unë e vuna ore mirë. Ai i kapi dorën Atit e i tha: “Pater Martin, tash ke me më rrëfye”. Ati iu lut ushtarëve të mbledhun për rreth me u largue. Mbasi na nuk u larguem, Ati i tha: – “Dom Gjon, rrëfeju, pra, latinisht a italisht”. – “Jo, Pater, i përgjigjet Gàzulli, të mbramin rrëfim due me e ba në gjuhë të Nanës”. E kështu ai u rrëfye në sy tanë. Na, Muhamedanët, pak marrim vesht kësi sendesh, por mëkat nuk dëgjuem prej gojës së tij. Mandej i dha Ati një bukë të hollë, të bardhë, e rrumbullakët, që e kapërdini me një përshpirtnì të madhe. Ai u dukte se po shndritte krejt fytyret. Tash u çil dera e burgut, e u nismë. Ushtarët ishin para, mbrapa e në të dy anët, ma shumë se kurrë. Në mjedis ishte Ai dhe Ati. Gjithë udhën u luten te dy me za të naltë, por unë muejta me vu ore se zani i Atit dridhej, nësa zani i famullitarit tingëllonte i qetë e i qartë. Një trimni kaq të madhe kurrë s’e pash në jetë time. Unë e ushtarët e mi ishim krejt nën peshë të përshtypjes.
Kishim arrijtë te vendi i vdekjes, në Fushë të Druve. Aty ishte shtylla e vdekjes.
Magjypi ishte gati me litar në dorë. Një dritë elektrike e shndritte thektas famullitarin në fytyrë. Ai nuk dridhej aspak. Edhe mue më kishte kapë frika. Mue më ishte dashtë me përcjellë edhe të tjerë te ky vend i mjerë, por tash ishte tjetër. Unë kisha gati si nji frikë para qetësisë së këtij prifti. Ai ishte me të këputme i pafaj. Këte e dijshim të gjithë. Por, urdhni! Unë, sikur asht zakoni, i lash fjalën e lirë. Por ma mirë mos ta kisha ba këte gja! Ai nisi me folë me një za aq të fortë, e me fjalë të drejta e që të këputshin zemrën, sa që mue përnjimend më kapi frika. E ta kisha lanë me shkue gjatë me fjalë, kishte muejtë të gjithëve me na ba me u kthye prej vetit. Mue më duhej me mendue për përgjegjësinë teme. E i thash shkurt: Zotni, s’duem me ndje predke! Foli fjalët e mbrame. Mjaft! Atëherë ai çoi zanin edhe ma e tha:
Vetë po des i pafaj. Rroftë Krishti, Mbreti ynë! Rrënoftë Shqipnia dhe Shqiptarët e vërtetë”.
Na ishim të gjithë të përmalluem fort. Lexova vendimin e dekës. I qe veshë një këmishë e bardhë. Magjypi ia vuni vjekcën e konopit në fyt e i hoq shkambin nën kambë. Ai ishte i vdekun! – Kështu foli kapiteni.
Ishte dita e 5 marsit 1927.”
Katër orë mbas varjes, Zogolli, kjo mbeturinë atavike e me djallëzi orientale, dërgoi një telegram ku gjoja i falte jetën. Nuk kanë qenë të pakta veprat e shëmtueme të Zogollit: mjaft të kujtojmë vrasjet e Luigj Gurakuqit, Bajram Currit e Hasan Prishtinës, por varja e Dom Gjon Gàzullit asht pa dyshim një ndër aktet ma të shëmtueme të tij, që e ndoq si hije ndëshkimi, kudo që mërgoi.
Nuk e di nëse ishte Shejt apo jo. Di po, se edhe sot mbas 64 vjetësh Vorri i tij në “Fushë të Rrëmajit” në Shkodër asht qender pelegrinazhi e Shqiptarëve e se Ai ishte Atdhetar, aq sa në gjyq pat lanë ate thanjen e tij lapidare: “I vetmi faj që i njoh vetes, asht se e kam dashtë Atdheun deri në flijim për të”.
Pat shkrue më 1942 At Gjon Shllaku për Bajram Currin, Luigj Gurakuqin dhe Dom Gjon Gàzullin: “Fatosa të vramë dy herë, nji herë kur i mbyten, dhe nji herë kur i lanë në harresë”.
Tue parafrazue thanjen e At Shllakut, mund të them tashma për Dom Gjon Gàzullin:
I vramë tri herë: Një herë kur e varën e dy herë me harresë.
Po jo, nuk do të harrojë populli i Shkodrës, i krishten apo musliman qoftë. Do të jetë gjithmonë dikush që do të çojë lule tek ai vorr, dikush që do të ndezë një qiri, dikush që do t’i drejtohet në heshtje: Dom Gjon, lutu për ne, se përsëri sot po vazhdojmë me ju vra, Ju, nderi e krenaria e kombit. Nuk po dijmë çka bajmë, Dom Gjon, po rivrasim të vramët e po vritemi edhe mes të gjallëve !…

RADIO VATIKANI

Advertisements
Lini një Koment

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s