Skip to content

Dom Alfrons Tracki, Prifti gjerman që u vrà nga komunistët më 1946 (Pjesa e parë)

by më 12/08/2017

Nga Gjovalin Lazri


Ky tregim, i thjeshtë por mbresëlënës, e ka zanafillën në një lagje të qytetit të Shkodrës, që quhet Serreq. Në qendër të saj ashtë një kishë, që në Shkodër njihet me emrin “Kisha e Madhe”. Në oborrin e saj ishte një kinoteatër, ku shfaqeshin filma dhe zhvilloheshin aktivitete teatrale e artistike për mosha të ndryshme. Aty ishin dy ambiente edukative: kisha dhe kino-teatri. Në kishë përfshihej edukimi ynë i përgjithshëm fetar e muzikor. Në të parin zinin vend programet e mësimit të fesë, në mënyrë që këto mosha të rriteshin të edukuar me moral të shëndoshë, me sjellje të mira e korrekte në familje e në shoqëri. Paralelisht me këtë kishim dhe edukimin muzikor, mësimin e këngës, në mënyrë që ritet fetare t’i këndonim sa më të sakta dhe me intonacione të pastra. Në këto aktivitete artistike materialin muzikor në shumicën e rasteve e kishim nga muzika klasike, krijime të mjeshtërve të mëdhenj botëror si: Mozart, Hajden, Bethoven, që ne fëmijët i pëlqenim shumë. Mjeshtri i ynë akoma i parritur mirë, që na i mësonte me kaq pasion këto këngë në ato vite, ishte pianisti 16 vjeçar Tonin Harapi.

Nuk do ta harroj kurrë organizimin e përkryer që ky djalë i ri bënte në çdo provë me ne. Edhe pse ishim në mosha të vogla, 6 deri në 9 vjeç, ai insistonte që këngët t’i këndonim pastër e sa ma korrekt, madje, në disa raste arritëm t’i këndonim edhe me dy zëra. Provat na i bënte gjithnjë të shoqëruara me harmonium, në mënyrë që të na lehtësonte të mësuarit e këngëve, por dhe që të na fuste edhe më shumë dashurinë për këtë aktivitet. Duhet thënë që ky kor la një emër të mirë në këtë kishë duke marrë kështu vlerësime sidomos prej atyre që vinin në “Meshën e madhe” të ditës së dielë në orën 11.

Kurse në Kino-teatër kishim “shkollën e dytë”. Aty na priste mësuesi ynë i adhuruar që na hyri përjetësisht në shpirtin tonë, Dom Alfons Tracki, prift gjerman, i cili nga e ama, Marta, ishte me origjinë të largët shqiptare. I njohur në Shkodër si një nga figurat më të ndritura në rrethin fetar, por dhe me vlera formuese intelektuale të përkryera. Dom Alfons Trakci lindi në Breslau të Gjermanisë me 2 dhjetor të vitit 1896 (qytet që mbas mbarimit të Luftës II-të Botërore iu aneksua Polonisë). Në moshën 17 vjeç vjen në Shqipëri me ushtritë austro-hungareze në kuadrin e Luftës së Parë Botërore, me pikësynim dhe qëllim të prerë për t’iu përkushtuar shërbimit fetar. Kështu në vitin 1917 filloi studimet për teologji, fillimisht në seminarin papnuer e më vonë duke vazhduar në Akademinë fetare të Bosnjës, studime të cilat i përfundon me rezultate të shkëlqyera në vitin 1926, ku dhe shugurohet meshtar. Mbasi mbaron studimet fetare, kthehet përsëri në Shqipëri, ku emërohet në Kishën e Velipojës e më pas vendoset përfundimisht në Shkodër me shërbim fetar e kulturor deri në fund të vitit 1944.

Prifti Dom Alfonsi ishte i dashur dhe i përkushtuar shumë mbas edukimit të fëmijëve, i përgatitur dhe me një kulturë të gjerë fetare e artistike. Fliste shqipen në mënyrë të përkryer, qartë, e me një theks të këndshëm verior. Ishte dhe violinist, kishte një pasion të jashtëzakonshëm për artin në përgjithësi. Kishte raste që gjatë provave muzikore që ne bënim, luante edhe në violinë, gjithmonë në shoqërimin e pianistit Tonin Harapi. Aktivitetin teatral me grupin e fëmijëve të talentuar shkodranë të moshave 5 deri në 12 vjeç, Dom Alfonsi e filloi në këtë kinoteatër që nga viti 1942. Që të gjitha skenarët e shfaqjeve pa përjashtim ishin të marra nga fabulat e literaturës botërore të përrallave për fëmijë, shumica e të cilave mbështeteshin në jetën përrallore të xhuxhimaxhuxhave shumë të dashur e punëtorë, që prodhonin vetëm të mira materiale. Loja e përkryer e fëmijëve, e parë në kompleksitetin e përgatitjes së këtyre shfaqjeve, bënte atë që çdo premierë të jepej dy herë në javë, duke u cilësuar kështu si ngjarja më e spikatur artistike e qytetit të Shkodrës.

Suksesi i këtyre shfaqjeve fillimisht mbështetej te libreti i përkryer, te loja plot pasion e siguri e fëmijëve, në kostumet e jashtëzakonshme me ngjyra nga më të larmishmet, dhe e gjithë kjo e plotësuar me makijazhet e përkryera që u bëheshin aktorëve të vegjël, si dhe me skenat plot fantazi e përmbajtje të shëndoshë, të realizuara me kaq mjeshtri nga piktori i njohur shkodran Lec Fishta. Në gjithë këtë aktivitet dukej dora e ngrohtë dhe mendja e ndritur e mësuesit tonë të aftë, regjisorit, skenaristit, violinistit e organizatorit të përgjithshëm të shfaqjes, Dom Alfons Trackit. Duhet theksuar fakti se ky mësues, mbi te 50-at, nuk e njohu asnjëherë lodhjen, harrohej në prova, dhe që ishte gjithnjë i vëmendshëm në ndjekjen e të gjithë shfaqjes. Vazhdimisht i qeshur, i gëzuar dhe gjithnjë dhuronte vetëm dashuri e optimizëm gjatë lojës së aktorëve të vegjël. Në kujtesën tonë nuk do të shlyhet asnjëherë mënyra e organizimit të punës e Dom Alfonsit. Para se të fillonim provat, ky mësues i ndjeshëm, duke njohur mirë realitetin ekonomik, moshën e njomë tonën, por që kishte dhe raste (jo të rralla) që dilnim nga shtëpitë tona mbase dhe pa ngrënë, një orë përpara provave, në rresht me një organizim të përkryer na çonte te dyqani i ushqimeve. Ishin pikërisht dy dyqanet përbri Kishës sonë, (për shkodranët që i njohin këto dyqane, njeri quhej dyqani i Shyqos, tjetri i Frrok Ndrecës). Na ushqente vërtetë shumë mirë, shpesh bënte me ne dhe pak humor, duke i inkurajuar ato që nuk hanin mirë, apo dhe ndonjë shaka edhe me ato që harroheshin duke ngrënë. Të ngopur dhe të gëzuar shkonim për në prova.

Gjatë provave ishte kërkues dhe shumë serioz (për të mos thënë edhe pak i rreptë), por gjithmonë i dashur e shpirtmirë. Rregullisht edhe në intervalet e provave në skenë gjatë pushimit do të na sillte përsëri diçka të lehtë për të ngrënë e për të pirë. Kishte takt të përkryer pedagogjik, një mënyrë korrigjimi shumë origjinale, kurrë nuk nevrikosej, vërejtjen ta bënte në mënyrë të atillë që ta kthente në një vetëveprim që i merrje menjëherë rezultatin. Respektonte me përpikërinë më të madhe minutazhin e seancës, në të njëjtën kohë dhe minutazhin e pushimit. E thënë shkurt, nuk lodhej dhe nuk mërzitej në asnjë moment me ne, por edhe ne nuk ndjenim asnjë mërzi apo lodhje, edhe pse kishte raste të shpeshta që punonim me orë të zgjatura. E donim dhe e respektonim si një baba të mirë, por dhe ai na donte e na përkëdhelte si fëmijët e tij. Shfaqjen e organizonte në mënyrë të përkryer. Spektatorët që ftonte në çdo shfaqje, do të ishin ajka e intelektualëve shkodranë, në shumë raste edhe autoritete me konsiderata të larta nga Gjermania. Në fund të shfaqjes secilin nga ne e priste një surprizë me një ceremoni të veçantë, ku bënte shpërndarjen e dhuratave për çdo pjesëmarrës. Këto dhurata na i sillte me porosi të veçantë dhe me emër nga Gjermania.

Kështu vazhdoi kjo jetë e gëzuar më shumë se dy vjet si në mes të ëndrrave, në një realitet që nuk do të harrohet kurrë, kujtime këto që do të mbeten të ngulitura në mendjen dhe në shpirtin tonë për të gjithë jetën. Janë të pafund sjelljet e tij shembullore ndaj nesh. Episodi i fundit është sa i dhimbshëm e tragjik, aq mbresëlënës dhe i paharrueshëm. Sistemi diktatorial do të bënte të vetën. Klerikët pa përjashtim do të kishin një fund. Fundi i Dom Alfons Trackit ishte më se i qartë. Ai po dënohej vetëm se kishte edukuar e u kishte dhënë gëzim, jetë e lumturi fëmijëve të varfër të qytetit të Shkodrës. Dom Alfonsi e ndjeu erën dhe rrezikun e komunizmit, duke e parë nga afër fatin e klerikëve të tjerë, prandaj dhe së bashku me intelektualin Ndoc Jakova, vëllain e kompozitorit Prenk Jakova, vendosi të largohej, megjithëse jashtë dëshirës së tij. Në largim e sipër mbas një prite nga forcat e sigurimit të shtetit, Ndoci mbetet i vrarë, ndërsa Dom Alfonsi i plagosur lehtë.

(Vazhdon me pjesen e dytë)

Dërguar më: 14/02/2010 – 13:02 http://www.balkanweb.com/gazetav5/artikull.php?id=73345 

Advertisements
Lini një Koment

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s