Hidhu te lënda

Robert Prennushi: Violinisti i mirënjohun Ndoc Shllaku dhe shkolla që ai themeloi

by më 31/01/2018


Tue marrë shkas nga nji përvjetori randësishëm, siç asht 50 vjetori i Shkollës së Muzikës në Shkodër, institucion që në pak ma shumë se në nji dekadë do ta vinte përsëri Shkodrën në nivelet e para kombëtare ndër rrethe, siç kishte qenë edhe para lufte, gjejmë rastin të vlerësojmë e nderojmë gjithë muzikantët e parë të Akademisë së pashpallun muzikore shkodrane, që përgaditen me përkushtim brezin tonëtë pedagogëve të kësaj shkolle.
Në mes tyne shquhet mësuesi, kolegu e miku i paharruem Ndoc Shllaku, violinisti i mirënjohun, themeluesii asaj shkolle, që sot mban emnin e kompozitorit të shquem Prenkë Jakova e që i dha përsëri za e nam Shkodrës në fushën e muzikës.

Kur flasim për zhvillimet në fushën e muzikës në Shkodër mbas Luftës së Dytë Botnore, nuk duhet harrue boshlleku i menjiherëshem që u krijue mbas “thithjes” nga Tirana të ajkës së kompozitorëve, instrumentistëve dhe kangëtarëve ma të mirë shkodranë si Ç. Zadeja, T. Dija, S. Gjoni, A. Mula, Z. Gruda, A. Grimci, I. Tukiqi, L. Kaçaj e mjaft instrumentistë e kangëtarë të tjerë (shumica e tyne ish nxanës të kompozitorit At M. Gjoka) të cilët, siç thotë studiuesi dr. Eno Koço “të gjithë e dimë, që kanë qenë në pararojë të artit muzikor shqiptar”.

Shkodra, që ishte mësue të kishte nji jetë muzikore të gjallë, me disa orkestra frymore e disa formacione orkestrale, duhet të fillonte përsëringa e para, duhet të mendonte për vete…

Në fushen e letrave goditja që kishte psue qyteti, ma shumë se i gjithëvendi i marrun së bashku, ishte
katastrofale, tragjike.

Edhe muzika nuk i shpetoi këti rrebeshi. “Humbi”nga fshati në fshat, fatmirësisht pa u burgosë, për të përfundue punëtor në bujqësi, muzikanti At Filip Mazrreku. U pushkatuen figurat e mëdhaja të kulturës sonë, por që ishin edhe muzikantë si Don Lazër Shantoja e At Benardin Palaj, kurse muzikanti Dom Mikel Koliqi, Gac Çuni, Tonin Zadeja e ndonji tjetër u burgosen. Kompozitori Dom Zef Shestani mundi të largohej nga Shqipnia.

Tue qenë nji art ma abstrakt, muzika nuk e shqetësonte aq shumë rregjimin. Kalemxhijtë e kishte ma të lehtë t’i gjente, muzikantët ma me vështirësi… Duhej “aheng”, për të tregue “sa i lumtun” ishte populli.

 

Por mungonte kompozitori! Kjo ishte dhe arsyeja pse Prenkë Jakova u lirue shpejt e shpejt nga burgu, kjo ishte arsyeja që muzikantë të tjerë të tillë “të prekun” si R. Sokoli, T. Zadeja, T. Harapi, Gj. Kapidani, K. Gjinaj, Ç. Jakova, Z. Leka, Z. Gruda e disa të tjerë u lejuen të aktivizohen.

 

Shkodër locja që e kishte në gene kangen, mbas përgjakjes së maleve të trimave të P. Calit dhe shtypjes me gjak e pushkatime të Kryengritjes së Postribës, u bind se fjalët që ndigjoheshin se vendimet e Jaltës na kishin lanë përfundimisht nënrregjimin komunist, ishin mjerisht të verteta. Ndaj shkodranët, pa e humbë dinjitetin, secili në mënyren e vet, kërkuen të formonin rrethin, mikroambjentin e vet, sepse jasht tij, ishte e rrezikshme edhe të shfaqje ndonji mendim.

Shkodra, si e gjithë Shqipnia donte edhe të jetonte, të andrronte, të harronte… Dhe tek muzika e me muziken edhe Shkodra filloi të jetojë përsëri… Ndër të parët që Shkodra ja ndjeu zanin ishte edhe Ndoc Shllaku me violinën e vet në emisionet e para muzikore të Radio Shkodres. Nji brez i ri po rritej dhe ne, fëmijë, jo vetëm e ndigjonim ate në radio, por edhe kishim fatin ta kishim mësues muzike në shkollën unike, siç quhej atëherë shkolla 7 vjeçare. Për ne, që kishim fillue mësimet e para të violinës në Shtëpi të Pionerit, ma vonë me të pakursyemin, violinistin  Z.Alimhilli, ato melodi që ndigjonim prej tij, na banin me andrrue se edhe ne do të luenim në atë instrument; ajo andërr bahej konkrete, e arritshme, sepse mësuesi ynë Nd. Shllaku luente me nji nartyrshmeni e thjeshtësi të madhe.

Si shoku ma i ngushtë i kompozitorit, organizatorit e dirigjentit P. Jakova, Nd. Shllaku si spala e orkestres, që rritej në numër e cilësi, shoqnoi me kontributin e vet, edhe si krijues, të gjitha ngjarjet ma të randësishme muzikore të qytetit, nga “Dasma shkodrane”, opera “Mrika”, Koncerti i parë sinfonik etj. Por nga aktiviteti i këtij artisti të lindun do të veçoja edhe nji dukuri disi folklorike.

Kushdo që ka shkue në Shkodër, ka pa, si në nji rit të vendosun me kohë, se nga “Dugajt e Reja” deri tek Prefektura, qytetarët, sidomos të rijtë, bajnë disa xhiro tue shetitë. E pikrisht kjo lëvizje “rituale” ngadalsohej disi kur i afrohej Kafes se Madhe ose Parkut për karshi, simbas stinës, për të ndigjue formacionin ma të mirë që ka pasë Shkodra ndonjiherë, me Nd. Shllakun violinist, Gjon Kapidani në piano, Kolë Gjinaj në fizarmonikë, Gjon Halili me trombë, Palokë Kurti në bateri, që luente repertorin ma të mirë modern të kohës, shqiptar e të huej. Deri sa u lejue…

Por Ndoc Shllaku e Prenkë Jakova (të dy nxanës të kompoziotrit At . M. Gjoka), që kishin nderpre studimet në konservatorin e Santa Çeçiljes në Romë nga shkaku i luftës, nuk ishin të knaqun vetëm me kurset që zhvilloheshin në Shtëpinë e Pionierit e në ate të Kulturës. Lëvizja diletante do të mbeste gjithnji e tillë nëse nuk do të ngrihej në baza profesionale.

Duhej nji shkollë muzike. Liceu Artistik në Tiranë kishte vite që ishte ngritë. Në Korçë, bile edhe Elbasan kishin fillue të hapeshin klasë muzike e Ndoc Shllaku, që ishte profesionist, nuk la derë pa trokitë për të hapë edhe në Shkodër nji shkollë të tillë. Ishte hera e parë që Ndoci shfrytëzonte “autoritetin” që i jepte fakti që kishte qenë në internim në Prishtinë… Ma në fund në janar të vitit 1961 edhe në Shkodër drejtuesi Ndoc Shllaku (violinë), Gjon Kapidani  (piano e solfezh) dhe mësuesja Lajde Banushi, paten nderin e fatin të nisin nji udhëtim që e bani Shkodren e fëmijët e saj të andrronin t’i binin violinës si zotni Ndoci e pianfortës, si i riu i talentuem Gjon Kapidani (ma vonë kompozitor njohun).

Filluen të vijnë vocrrakë e vocrrake nga të gjitha lagjet e qytetit kaq të hapun të Shkodres. Në sytë e prindve, me kluturë e profesione të ndryshme, ishte lehtë të dalloje gëzimin që fëmijtë e tyne kishin gjetë prind të dytë ndër mësuesit e tyne. Harmonia e madhe që kultivoi Nd. Shllaku edhe me kolegët e vet, tue dhanë vetë shembullin “si i barabartë” me ta (edhe pse mjaft prej tyne, tashma, kishin qenë nxanës të tij), mbetet ndoshta pasunia ma e madhe që i la këti institucioni të muzikës, që nuk mund të jetonte pa harmoni… Mjafton të përmendim “nji ves” të tij: ai nuk mund të ndigjonte pianofortë të pa akordueme.

Për katër dekada të gjithë pianofortet e qytetit (shumica e të cilave “jo të reja”, për të përdorë nji eufemizëm) janë akordue pa asnji shperblim nga Ndoc Shllaku.

Kam pasë fatin të luej me ate në orkestren sinfonike, për tre dekada dhe, në nji pult, për ma shumë se nji dekadë, dhe jam deshmitar i ndjeshmenisë së tij të veçantë në akordimin e orkestres. Edhe në pauza të vogla, gjatë provave, ai i terhiqte vemendjen me takt ndonji instrumentisti, tue i ba me shenjë që ta ngrinte ose ulte akordimin… Shkodra shpejt po rikuperonte vitet e humbuna në përgatitjen muzikantëve, falë edhe të punës së palodhun të mësuesve të saj, si Gj. Xhanxhafili, Gj. Kapidani e të tjerë. Por ishte nji rrugë e pashkelun ndonjiherë. Shkolla kishte vetem nji pianofortë, mbas nji viti dy, por kurrë aq sa duheshin. Këte mangësi Nd. Shllaku e kaloi tue krye nji reformë që i dha shkollës nji avantazh në krahasim me të gjitha shkollat e tjera të vendit, përfshi Liceun Artistik.

Ajo mungesë e theksueme sidomos e pianoforteve për studim, kishte ba që disa nxanës, edhe pse të talentuem, kishin mbetë relativisht mbrapa me programin mësimor. Kështu kishte ndodhë edhe me ndonji violinist që, për arsye thjeshtë fizioligjike, nuk kishte agjilitetin e domosdoshem, ndaj dhe vazhdimi i studimit në instrumentin që kishin nisë do të ishte i pafrutshem.

Ndoc Shllaku me inisiativë vendosë t’i japë atyne edhe në kl. VI e VII instrumentin e frymës. Në fakt, simbas praktikës, që ishte edhe rregull në atë kohë, studimi i instrumentit të frymës, fillonte vetem në shkollën e mesme. Kjo reformë e vertetë bani diferencen dhe rezultatet u panë shpejt, sepse ata nxanës ishin të përgatitun nga ana muzikore edhe në njohunitë e solfezhit.

Por në jeten e vendit ndodhnin shpesh furtuna të paprituna, të krijueme nga vetë regjimi, por që krijonin shqetësime të mëdha edhe ndër familje. E tillë ishte lufta e vitit 1967 me njerëzit ma të pafajshmit, ma të butit, klerikët e rrethin e tyne familjar. Me mbylljen e institucioneve fetare Ndoc Shllaku dhe grueja e tij Margarita, të dy arsimtarë, të dy njerëz të artit, edhe pse duhet të ishin në “radhë të parë kundër ideologjisë fetare” dhe kishin tre fëmijë që duhet t’i linin nji “biografi të pastër”, nuk hezituen të marrin në shtëpi xhaxhanë Don Nikoll Shllaku, deri sa vdiq, si duhet të vdesë çdo krijesë e jo rrugash si ndodhi me ndonji klerik.

Nëse nga ky gjest Ndoc Shllaku nuk psoi gja, kjo ndodhi pse ndër të tjera, ai gjeti mbështetjen e njeriu të mirë e drejtuesit të aftë të kulturës, Isa Alibali. Me këte rast edhe unë, autori i këtij shkrimi, gjej rastin të falënderojë miqtë I. Alibali e A. Kodraliu, të cilët “guxuen” të shkruejnë mirë për mue, pikrisht në organin ku më kishte kritikue vetë sekretari i partisë së rrethit.

Shkolla e muzikës rritej nga viti në vit e megjithate nuk kishte ende një “shtëpi” të veten. “Si gabelët me çadra”- që në Shkodër thuhet për dike që nuk rri në nji vend- shkolla ndërroi katër ambiente gjatë viteve 1961 deri në vitin 1972, deri sa u vendos të ndërtohej një shkollë e re.

Nuk di nëse e kam falenderue sa duhet, kur ishte mes nesh, Ndoc Shllakun, mësuesin, drejtorin e mikun tim, për ndihmën që ai më dha kur më emnuen drejtor të shkollës së mesme të muzikës. Ishte hera e parë që nxanësit e mësuesit shpresonin se do të banin mësimin e kulturës së përgjithëshme dhe ate artistike në të njajtin ambjent. Por shkolla, si ndertesë, nuk ishte ende. Korça e Elbasani e kishin shkollene tyne të muzikës, Shkodra jo(!)
Pra duhej mendue mirë se si do të ishte ajo shkollë.

Ishte Ndoc Shllaku vazhdimisht pranë meje, me shumë shokë e kolegë, në konsultimet e frytshme me ing. projektues Ruzhdi Dibra (të cilen gjej rastin ta falënderoj edhe tani) për punën e mrekullueshme, që së bashku me ing.e ndertimit I. Sinja i dhuruen qytetit nji shkollë me të vertetë funksionale.

Ishte me mue miku Ndoc Shllaku nëTiranë, si avokati ma i mirë, për të sigurue nji ngrohje qendrore me kaldajë (dhe kjo ndodhte për herë të parë për nji shkollë nëShkodër). Shkolla u plotësue me të gjithë sektorët edhe me ate të tunxhit, të kantos, bile edhe me sektorin e arteve figurative. Punohej serjozisht nga të gjthë. Shkodra tashma kishte orkestren e dytë sinfonike.

Në Nandor të vitit 1974, në konkursin e shpallun nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës për shkollat e muzikës, përfshi Liceun Artistik, Shkolla jonë (që ende nuk e kishte marrë emnin që meritonte, “P. Jakova”), fitoi flamurin.
Ishte nji sodisfaksion i madh për të gjithë ne, aq ma shumë për Ndoc Shllakun, mësuesin e drejtorin e parë të asaj andrre të bukur shkodrane që asht edhe sot ShkollaKombëtare Artistike “Prenkë Jakova”.

Autori i shkrimit ka qenë pedagog dhe drejtor i Shkollës së Mesme të Muzikës-Shkodër

Marre nga Gazeta 55

Advertisements
Lini një Koment

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s