Hidhu te lënda

Shkumbin B. Kajtzi: E kaluara katolike e Mitrovicës (disa foto)

by më 04/02/2018


Të parët e shqiptarëve që tani luten nëpër xhami, dikur përkuleshin në kisha katolike. Kështu thonë gojëdhënat e të dhënat historike, të cilat tregojnë se gjurmë kishash janë gjetur në çdo fshat të Mitrovicës.

‘Muret e Kishës’, ‘Kroni i Kishës’, ‘Birat e Kishës’, janë vetëm disa nga emrat e vendeve, të cilat sjellin një pasqyrë të ekzistencës së kishave në gjithë rajonin e Mitrovicës.

“Nga rezultatet e terrenit, në çdo fshat (është fjala për fshatrat e Shalës së Bajgorës, Mitrovicë), ku shkon është pothuajse e pamundur mos të takosh toponime dhe mikrotoponime që lidhen me besimin e kultit katolik në një të kaluar historike”, thotë doktori Pajazit Hajzeri për gazetametro.net.

Siç edhe thuhet, shqiptarët ishin romanizuar në kohën e Perandorisë Romake, dhe si dëshmi e këtij qytetërimi të skalitur në gurë të fortë, qëndrojnë në këmbë disa kisha në Mitrovicë. Nga to, më të njohurat dhe më të vjetrat janë Kisha e Vinarcit, Kisha e Shën Pjetrit që ndodhet në Trepçë e po ashtu edhe Kisha e Koprivës.

Për këto kisha ka shumë fakte historike, e madje edhe shumë gojëdhëna. Disa i tregojnë si më të vjetra se 700 vjet e disa më pak. Por, cila është historia dhe gjendja e tanishme e këtyre objekteve të kultit?

Kisha e Vinarcit

Në rrëpirën e një kodre vështirë të ngjitshme, por që sheh nga tri fshatrat që shtrihen buzë Ibrit, gjendet kisha katolike e ndërtuar me gurë. Muret e saj, të trashë aq sa trupi i njeriut, i kanë rezistuar kohës për më shumë se 700 vjet. Kjo ndërtesë, dikur faltore, mendohet të jetë ndërtuar rreth vitit 1300.

Ndonëse tani ka mbetur në një fshat me tërësi myslimane, ajo mbrohet me fanatizëm nga banorët. Familja Ademi, e cila jeton ngjitur me oborrin e kishës, tregon se e kanë mbrojtur edhe pas luftës së fundit, kur serbët tentonin ta përvetësonin.

Por, ç’është më e dhimbshme, kisha e Vinarcit nuk mbeti pa u gjymtuar edhe nga vetë shqiptarët. Siç rrëfejnë banorët, kësaj kishe i është hequr kryqi mbi kulm në kohën e Titos, pas një mosmarrëveshje të vetë shqiptarëve të asaj kohe. Madje, kjo kishë kishte edhe një kryq mbi derë, për fatin e të cilit nuk thuhet gjë.

Nën pushtimin serb, kisha e Vinarcit ka rrezikuar të tjetërsohet, duke u munduar të paraqitet si kishë ortodokse serbe, ndonëse serbët datojnë të kenë ardhur në këto treva shumë vite pas ndërtimit të kësaj godine.
Por, tjetërsimit kjo kishë i ka shpëtuar falë orientimit të saj. Hyrja qëështë nga perëndimi, ka bërë që kjo kishë të mos mundet të quhet ortodokse, duke ditur se kishat ortodokse kanë hyrjet nga lindja.

Tani kjo gërmadhë, dikur faltore, ka mbetur nën mëshirën e fatit, pasi përveç disa telave që rrethojnë hapësirën ku shtrihet trupi i gurtë i kësaj kishe, dorë njeriu nuk vërehet.

Çka bie në sy, akoma edhe në vitin 2017, Vinarci nuk ka xhami. Mungesa e xhamisë dhe ruajtja e objekteve fetare katolike, jep pasqyrën e një fanatizmi qëështë trashëguar ndër breza në këtë fshat.

Kisha e Shën Pjetrit në Trepçë

Nga kisha e Vinarcit duhet të bësh 15 kilometra për të mbërritur tek një kishë tjetër, sa e ngjashme nga historiku, aq e ndryshme nga ndërtimi.

Kur të marrësh rrugën gjarpërore nga Mitrovica për në Shalë të Bajgorës, pas rreth 7 kilometrash, ndodhet qyteza e Trepçës, që dikur banohej nga shqiptarë katolikë. Kjo qendër më pas, u shndërrua në vendbanim për qindra minatorë.

Sapo të afrohesh tek ndërtesa, tashmë gjysmake e kishës së Shën Pjetrit, vëren ngjashmëritë që ka me kishën e Vinarcit. Hyrja nga perëndimi e kupola lartë, e bën atë një pasqyrë të besimtarëve katolikë që jetonin asaj kohe në këtë pjesë.

Siç thotë historiani Pajazit Hajzeri, edhe kjo kishë është ndërtuar në periudhën e njejtë me atë të Vinarcit. Pra, edhe kjo daton rreth vitit 1300. Si të gjitha kishat katolike në Mitrovicë, edhe kjo është e ndërtuar nga gurë e gëlqere si material ngjitës.

Fatin gati të ngjashëm si kisha e Vinarcit, e ka edhe kisha e Shën Pjetrit. Madje, për dallim nga ajo, kjo kishë dikur e madhe ka mbetur në këmbë vetëm nga njëra anë. Në anët tjera të ndërtesës, kanë shpëtuar vetëm themelet.

Edhe faltorja e Shën Pjetrit, është ndërtuar si nevojë e banorëve për të kryer ritet fetare. Kjo tregon një përkushtim të besimtarëve të dikurshëm në ‘shtëpitë e Zotit”, përkushtim i cili edhe është trashëguar, pasi edhe tash këto ndërtesa ruhen nga qytetarët e atjeshëm.

Kisha e Shtërmcës, dikur e Koprivës

Nga kishat që kanë qenë më afër tjetërsimit, ka qenë kisha e Prekës në Shtërmcë. Në fakt, vetë emërimi i lokalitetit ku ndodhet tani, tregon tendencën e tëhuajzimit të saj. Ndonëse kjo kishë territorialisht ndodhej në Koprivë të Mitrovicës, pas Luftës së Dytë Botërore me anë të një lëvizje të kufijve të Zubin Potokut me atë të Mitrovicës, kjo kishë mbetet në Shtërmcë të Zvecanit.

Madje, kjo kishë i ishte ekspozuar tjetërsimit që më herët. Në fakt, kishte tendenca për tjetërsim, pasi mes dy luftërave Botërore, u sollën serbë në fshatin ngjitur me kishën, qëllim i të cilëve më pas, ishte tjetërsimi i kishës katolike në atë ortodokse.

Por, siç thuhet në gojëdhëna e të vërtetuara më pas, këtë kishë e mbrojtën shqiptarët. Dhe, falë tyre, kjo kishë akoma ka hyrjen nga perëndimi.
Siç tregon historiani Hajzeri, dëshmi për mbrojtjen e kishës ishte pikërisht hyrja e saj, e cila më pas u mbrojt edhe me dokumentet nga Beqir Hasani, e që tregonin se kjo kishë ishte në pronësi të shqiptarëve.

Edhe faltorja e vogël në Shtërmc, që dikur ishte në Koprivë, i takon periudhës së njejtë. Mendohet të jetë ndërtuar pas vitit 1300. Bile, njëlloj si të gjitha, edhe kjo është ngritur në këmbë me gurë e gëlqere. Por, për dallim nga ato që i përmendëm më lartë, kjo kishë ende është e dekoruar me qirinj e skulptura të vogëla të Krishtit, që duan të tregojnë se kjo faltore akoma vazhdon të jetë‘shtëpia e Zotit’.

Kisha në të katër anët e Mitrovicës

Jo vetëm kaq. Në Mitrovicë janë evidentuar edhe shumë kisha të tjera. Siç u tha më lartë, është e vështirë që të mos gjesh në çdo fshat të Mitrovicës gjurmë të ‘jetës katolike’.

Duke nisur nga kisha e Vinarcit, për të kaluar në kishën e Prekës në Koprivë;  duke nisur nga kisha e Shën Pjetrit dhe kisha e Mazhiqit, për dalë në ‘Manastirin e Sokolicës’ në Boletin; e në fund, duke nisur nga kisha e Banjës së Vushtrrisë e deri në kishën e Samadrexhës, po ashtu në Vushtrri, plotësojnë mozaikun e ndërtimit të faltoreve që tregojnë për të kaluarën katolike në Mitrovicë dhe rrethinë.

Katolikët e sotëm

Ndonëse dikur jetonin të shumtë në numër, shqiptarët e sotëm katolikë nuk kanë mbetur as një dyzinë sosh.

Kur ekipi i Gazetës Metro shkoi në qendër të Mitrovicës për të vizituar komunitetin e atyshëm, gjurmët më të fundit ishin të qershorit të vitit të kaluar. Aty, nuk ndihej frymë njeriu.
Përveç një kryqi të hekurt dhe një këmbane të vogël të kapur në një platformë hekuri të vjetruar, nuk kishte gjë tjetër. Dyert ishin të mbyllura.

………………………..

Këto ditë, në Mitrovicë nuk jetojnë më shumë se 13 familje që i takojnë besimit katolik. Më saktë, siç Ipeshkvia e Kosovës i ka treguar Metros, në Mitrovicë jetojnë rreth 100 katolikë.

***

E më gjithë se e kaluara tregon një përhapje të madhe të katolicizmit në këtë pjesë, tash ata janë pak. Por, mbi gjithë besimet e atyshme, si ogur i bashkëjetesës qëndron diversiteti i banorëve shqiptarë./gazetametro.net
(Foto: Agron Beqiri)

http://gazetametro.net/e-kaluara-katolike-e-mitrovices-foto/

Advertisements
Lini një Koment

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s