Kalo te lënda

Ismet Kallaba: Përkujtohet koha e administrimit nga Austro-Hungaria në Ulqin

by më 24/05/2019


Ulqin – Me rastin e shënimit të 100- vjetorit të Luftës së Parë Botërore, Kuvendi i Komunës së Ulqinit organizoi më 10.11.2018, në hotelin “Mediteran”, tribunën shkencore me temë “Shqiptarët dhe Lufta e Parë Botërore”. Lidhur me këtë temë kanë kumtuar studiuesit dr. Elena Kocaqi dhe dr. Nail Draga. Në kumtesën e saj “Administrimi i Shqipërisë nga Austro-Hungaria (1916-1918)”, Kocaqi ka folur mbi rolin që ka luajtur Austro-Hungaria, fillimisht në krijimin e shtetit shqiptar, më pas për mbrojtjen e dhe administrimin e tij gjatë viteve 1916-1918. Ajo ka thënë se ne sot nuk do të kishim një shtet shqiptar politik nëse Austro-Hungaria në atë kohë nuk do të vinte veto për krijimin e tij.

“Edhe vendosja e kufijve veriorë, kufijve jugorë, statusit juridik të Shqipërisë më 1913 ka qenë një luftë e jashtëzakonshme e Austrisë, një luftë jo vetëm diplomatike, por edhe me mobilizim ushtarak dhe me kërcënim”, është shprehur Kocaqi. Sipas saj, duke pasur këtë rol në krijimin e shtetit shqiptar, AustroHungaria nuk është parë si armike në Shqipëri, por “është pritur pothuajse me lule”.
Studiuesja ka nënvizuar se pas hyrjes në Shqipëri në janar të vitit 1916, “AustroHungaria gjeti një vend në anarki dhe brenda gjashtë muajsh vendosi paqen në të gjithë vendin”. Kocaqi ka nënvizuar se AustroHungaria ka bërë një numër të madh investimesh në fusha të ndryshme në Shqipëri, përfshirë rrjetin rrugor, dhe se për dy-tre vite kanë arritur ta vendosin shtetin shqiptar në disa binarë. “Mendoj se ka qenë një fat shumë i madh për Shqipërinë që pati një mik të tillë. Nëse do të kishte zgjatur edhe pesë vjet, do të k is h t e q e n ë n j ë m o d e l i administrimit të Shqipërisë në anën politike, që do të kishte lënë gjurmë pozitive edhe sot”, ka theksuar ajo, duke përfunduar se në historinë e njerëzimit nuk njeh ndonjë pushtues i cili të kërkojë të rrisë ndërgjegjen kombëtare të popullit që ka pushtuar dhe për ta mbrojtur atë.
Ndërsa dr. Nail Draga në kumtesën e tij ka trajtuar rolin e AustroHungarisë në hapjen e shkollave shqipe në Mal të Zi (1916-1918). Ai ka thënë se pasi që Austro-Hungaria e pushtoi Malin e Zi në janar të vitit 1916 dhe pas vendosjes së pushtetit të tyre administrativ, shqiptarët njohën disa liri që i kishin të mohuara nga Mali i Zi, si: përdorimi i flamurit kombëtar, pjesëmarrja në administratën civile lokale, arsimimi në gjuhën shqipe. Sipas tij, “zhvillimet arsimore në periudhën 1916-1918 janë nga njëra anë shprehje e synimeve politike, ushtarake, fetare e kulturore të monarkisë austro-hungareze dhe nga ana tjetër, shprehje e dëshirave dhe kërkesave të popullit shqiptar që të shkollohet në gjuhën e vet amtare”.
Draga ka thënë se me kërkesë të popullatës shqiptare dhe me interesimin e komandave austrohungareze filluan të hapen shkollat në gjuhën shqipe në viset shqiptare, nga Ulqini në jug deri në Rozhajë në veri dhe se deri në fund të qershorit të vitit 1917 funksionuan 23 shkolla në gjuhën shqipe. “Komanda austro-hungareze urdhëron që të mësohet gjuha shqipe në të gjitha ato vende ku gjenden shqiptarët në mënyrë që, siç shkruante shtypi i kohës ‘që shqiptarët të mbesin shqiptarë e kurgja tjetër’”, ka theksuar ai, duke shtuar se “për të siguruar mësues, komanda austro-hungareze mobilizoi arbëreshët e Zarës, të cilët i vendosi para alternativës: o ushtarë në front, o mësues në shkollat shqipe në Mal të Zi”.
Studiuesi Draga ka thënë se ndonëse këto shkolla punuan një kohë të shkurtër, “pa dyshim ishte ky një kontribut me vlerë për arsimin e shqiptarëve dhe zgjimin e dashurisë për gjuhën shqipe, kulturën dhe historinë e popullit shqiptar”. Ai ka përfunduar duke thënë se për këto arsye, “koha e Austro-Hungarisë dhe e mësuesve të angazhuar në procesin mësimor, në shkollën në gjuhën shqipe, do të përkujtohen përherë me admirim sepse ata vunë gurthemelin e parë të mësimit në gjuhën shqipe në viset shqiptare në Mal të Zi”. Në emër të organizatorit, të pranishmit i ka përshëndetur kryetari i Kuvendit të Komunës së Ulqinit, dr. Ilir Çapuni, “Kontributi im në këtë mbrëmje është që kam ilustruar dy kumtesat, pa u koordinuar fare me të dy shkencëtarët… E kam bërë këtë qëllimisht. Unë kam një arkiv shumë të pasur fotografik, mirëpo i kam zgjedhur disa sekuenca nga hyrja e Austro-Hungarisë nga Mali i Zi, kalimi në Liqenin e Shkodrës, kalimi në Shkodër, deri në Durrës.
Sepse aty shihen edhe anijet ulqinake, shihen edhe disa ulqinakë në fotografi, dhe shihen edhe disa afishe të cilat kanë qenë të ndara nëpër qytet, edhe në Ulqin”, është shprehur ndër të tjera Çapuni. Ai ka thënë po ashtu se ky tubim shkencor na përgatit edhe për 100-vjetorët e ardhshëm që po vijnë. Gjatë aktivitetit, pianistja Merita Subashiq – Shabanoviq ka luajtur në piano disa pjesë të muzikës klasike. 100-vjetori i Luftës e Parë Botërore, si një ngjarje me përmasa ndërkombëtare, është shënuar në vende të ndryshme me veprimtari të shumta. Lufta e Parë Botërore përfshiu pothuajse të gjithë botën, nga viti 1914-1918, duke u marrë jetën mbi njëzet milionë njerëzve.

Botoi KOHAJAVORE nr 840, 15 nëntor 2018:18 –19

Marre nga http://www.buzuku.info/Arkivi/Pdf%20formatet/buzuku%2051%20web.pdf

Reklama
Lini një Koment

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s