Kalo te lënda

Loro Boriçi, simboli i futbollit shqiptar

by më 02/06/2019

Loro Boriçi mund të quhet me plot gojën simboli dhe sinonimi i futbollit shqiptar, por duke lënë gjurmët e tij edhe jashtë Shqipërisë, që nga Italia e afërt e deri në Kinën e largët.

Loro Boriçi ka lindur në Shkodër në 4 gusht të vitit 1922. Bashkë me vëllain e vet më të madh, Markun, ndoqën kolegjin saverian në Shkodër, në fushën sportive të të cilit që të dy ushtronin për orë të tëra pasionin e tyre, futbollin. Pa mbushur ende 15 vjeç, yllin e ardhshëm të futbollit shqiptar e kërkon për të luajtur në radhët e saj “Vllaznia” e Shkodrës. Sipas rregullit të atëhershëm, një nxënës nuk mund të luante në një ndeshje zyrtare, prandaj Loro Boriçi e pati debutimin me “Vllazninë” në një miqësore ndaj “Dragoit” të Pogradecit në 6 qershor 1937.

Por edhe kjo nuk pjesëmarrje e parë nuk kaloi pa peripeci. Pasditen kur luhej ndeshja djaloshi kishte mësim dhe për nënën e tij arsimdashëse, Marien, shkolla ishte mbi gjithçka tjetër. Por me këmbënguljen e drejtuesve të “Vllaznisë”, më në fund ajo e lejoi të birin të luante, gjë që mund të thuhet se shënon edhe fillimin e karrierës së tij të shkëlqyer si futbollist. Dhe ishte një fillim shumë i mirë, pasi djaloshi shtatlartë arriti të shënonte në atë ndeshje plot katër gola, njëri më i bukur se tjetri sipas kujtimeve të atyre që e kanë ndjekur atë ndeshje.

Pas disa ndeshjeve të tjera miqësore të luajtura për “Vllazninë”, në vitin 1941 Loro Boriçi nis studimet për drejtësi në Universitetin “La Sapienza” të Romës. Edhe gjatë viteve studentore ai nuk e harroi pasionin e vet, futbollin. Falë këtij pasioni shkon në zyrat e klubit të futbollit të “Lazio”-s, ku i japin mundësinë të provohet duke luajtur me ekipin e rezervave. Debutimin do ta bëjë në ndeshjen me “Novara”-n. Ja se çfarë shkruante shtypi italian përpara ndeshjes: “‘Lazio’ ka shumë të ngjarë që t’i paraqesë publikut blerjen e vet të re: qendërsulmuesin shqiptar Boriçi, një element që ka shfaqur tashmë në stërvitje se zotëron dhunti të cilësisë së parë. Bëhet fjalë për një lojtar të ri tepër të shpejtë e mjaft të fuqishëm, që do të jetë shumë i dobishëm për skuadrën romane.”

Falë këtyre cilësive, Loro Boriçi do të kalojë në skuadrën e parë të “Lazios”, ku luajti për dy sezone, duke u bërë lojtari i parë nga Ballkani që ka luajtur për këtë klub dhe duke iu bashkuar një numri futbollistësh shqiptarë që luanin në kampionatin italian, si Riza Lushta i “Barit”, e më pas i “Juventusit”, Naim Kryeziu i “Romës” dhe Sllave Llambi i “Interit”. Dhe një nga ndeshjet më të mira të Loro Boriçit do të ishte pikërisht ajo e shtatorit 1942 kundër “Juventusit” për një të tetat e Kupës së Italisë, ku ai do të kishte përballë Lushtën. “Lazio” e fitoi këtë ndeshje 3-2, dhe goli i dytë për bardhekaltrit u shënua pikërisht nga shtatlarti shkodran.

Loro Boriçi luajti gjithsej 18 ndeshje me “Lazio”-n, duke shënuar katër gola. Po më pas, ndryshe nga bashkatdhetarët e tij, që vazhduan karrierën futbollistike në Itali, ai vendosi të kthehet në Shqipëri. Bëhet përsëri pjesë e “Vllaznisë” së Shkodrës, me të cilën fiton kampionatet e vitit 1945 dhe 1946.

Në vjeshtën e vitit 1946 është edhe arritja më e madhe e tij si futbollist. Ekipi kombëtar shqiptar fiton Kupën e Ballkanit, i pari turne futbolli në Europë pas Luftës së Dytë Botërore, dhe kapiteni i këtij ekipi, Loro Boriçi, shpallet lojtari më i mirë i turneut, duke qenë edhe një ndër golashënuesit më të mirë. Emri i Boriçit bëhet i njohur në qarqet futbollistike europiane e më gjerë.

Pas dy sezonesh të tjera me “Vllazninë”, në vitin 1949 Boriçi kalon me “Partizanin”. Si lojtar me të kuqtë ai do të fitojë dy tituj kampionë e një kupë Republike, duke u shpallur katër herë golashënuesi më i mirë.

Në vitin 1957 Loro Boriçi nis një kapitull të ri të karrierës së vet në futboll, duke u bërë trajner i “Partizanit” dhe më pas edhe i kombëtares. Nën drejtimin e tij “Partizani” fitoi tre kampionate kombëtare dhe katër kupa Republike. Të spikatura do të jenë edhe arritjet ndërkombëtare të të kuqve me trajner Loro Boriçin. Kështu, në vitin 1963, “Partizani” del nënkamion në Spartakiadën e Klubeve të Ushtrive të Vendeve Socialiste, të zhvilluar në Hanoi të Vietnamit, duke u mundur në finale pas kohës shtesë nga CSKA e Moskës. Ndërkohë në vitin 1970 “Partizani” fitoi Kupën e Ballkanit për klube.

Loro Boriçi ka qenë gjithashtu edhe trajneri i ekipit kombëtar të Shpresave të Shqipërisë që ka fituar titullin kampion Ballkani në vitin 1977. Ndërsa për sa i përket kombëtares, arritja më mbresëlënëse nën drejtimin e tij mund të quhet ai barazim historik 0-0 me nënkampionët e botës, Gjermaninë Perëndimore në Tiranë, në vitin 1967, kur Shqipërisë nuk iu quajt edhe një gol i pastër.

Loro Boriçi ka hyrë në histori edhe për një fakt tjetër. Në vitin 1972 ai do të shkonte në Kinë për t’u bërë trajner i kombëtares kineze të futbollit. Ka shumë nga ata që mendojnë se, me aftësitë dhe njohuritë e tij, Loro Boriçi hodhi bazat e futbollit modern kinez. Vendasit e kujtojnë për pasionin dhe seriozitetin e tij në punë, duke e kthyer ekipin kinez në një rival të fortë.

Loro Boriçi u nda nga jeta në vitin 1984, në moshën 62-vjeçare. Mjeshtri i Madh i Sportit Sokol Morina ka thënë për të: “Sa më shumë kalon koha nga ndarja me Loron, aq më në dukje dalin dy nga vlerat e tij të rralla, njeriu i thjeshtë, futbollisti dhe trajneri më i mirë shqiptar i të gjitha kohërave. Loro Boriçi i përket atij brezi që gjatë gjithë jetës së tij iu përkushtua me pasion sportit dhe sa më shumë suksese arrinte në karrierën e tij, aq më modest tregohej… Loro Boriçi ka qenë dhe mbetet futbollist i madh, trajner i shquar dhe njeri shembullor, që gjithë jetën e tij e vuri në shërbim të sportit shqiptar. Për të gjitha këto ai do të kujtohet brez pas brezi.”

http://albanian.cri.cn/1661/2017/06/12/382s161956.htm

Reklama
Lini një Koment

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s