Kalo te lënda

Ernest Perdoda – shembulli ideal i anti-komunistit dhe demokratit të pakorruptueshëm

by më 25/06/2019

Nga Anton Çefa

Që në moshë të re, kur ishte ende nxënës i shkollës së mesme, në vitet e para të ardhjes në pushtet të diktaturës komuniste, e arrestuan. U shqua për një qëndrim shembullor si gjatë procesit të torturave çnjerëzore të hetuesisë, ashtu edhe gjatë qendrimit në burg.
Bir i një familjeje fisnike shkodrane, mishërimi i psikolgjisë së një qyteti të lashtë me tradita qytetërimi perëndimor, siç është Shkodra. I urtë, i matur, fjalëpaktë, por i gatshëm me u vërsulë nëse dikush cënonte sadopak një të vertëtë. I vendosur në ideale humane e atdhetare, antikomunist, demokrat, një nga figurat më të nderuara të qytetit të Shkodrës për përkushtimin ndaj idealeve më të larta humane, shoqërore e atdhetare.
Gjithë jetën punoi me ngulm për t’u paisur me kulturë. Zotëronte mirë italishten dhe spanjishten. Përktheu poezi nga letërsia italiane, sidomos nga Ungaretti, të cilin e njihte mirë. Përktheu në spanjisht “Kanunin e Lekë Dukagjinit”, të cilin ia pati dërguar Akademisë së Shkencave për botim. Nuk dihet fati i këtij dorëshkrimi. Pati një talent të veçantë për poezi. Qe një ndër poetët e disidencës së heshtur shkodrane.

Menjëherë mbas rënies së diktaturës, u aktivizua me të gjitha forcat fizike e shpirtërore në përpjekjet për çrrënjosjen e komunizmit dhe ndërtimin e demokracisë. Qe një ndër themeluesit e Shoqatës së Ish-të Burgosurve Politikë, dhe një ndër themeluesit e gazetës demokratike “Shkodra”, e para gazetë lokale demokratike në Shqipëri, dhe anëtar i këshillit botues të saj. Me dëshirën e flaktë dhe vullnetin këmbëngulës për të ndihmuar në vendosjen e rendit demokratik, duke pasur besim se këtij qellimi do t’i shërbente me devocion e ndershmëri Partia Demokratike e porsa formuar, aderoi në radhët e saj dhe së shpejti u bë kryetar i Degës së Shkodrës të kësaj partie.
Kam qenë në mbledhjen e antikomunistëve demokratë, kur auditori i kërkoi me ngulm të pranonte të bëhej kryetar i Degës së P. D.-së për Shkodrën, dhe nuk i harroi fjalët e tij, pak a shumë kështu: “Pranoj të jem kryetar i kësaj Dege deri atë ditë që të bindem se po punohet për çrrënjosën e komunizmit dhe vendosjen e një demokracie të vërtetë”. I vuri gjoksin punës me besim dhe bindje të plotë se Partia Demokratike ishte një parti me të vërtetë anti-komuniste, që do t’i sillte popullit demokracinë, drejtësinë dhe mirëqenien.
Por fill pas 9 muajsh, kur u bind se në Partinë Demokratike shumicën e përbënin ish-komunistë, të cilët bënin gjithashtu edhe ligjin, dhe nuk e kishin aspak ndër mend të ndryshonin në esencë diçka për mirë në dobi të popullit, i zhgënjyer nga shumë veprime antidemokratike të udhëheqjes së P. D.-së, besnik si gjithnjë i idealeve të tij, në tetor të vitit 1993, dha dorëheqjen.
Në mbledhjen e aktivit të jashtëzakonshëm të Degës së PD – së Shkodër, më 15 tetor 1993, ku deklaroi dorëheqjen nga kryetar i Degës, (Deklaratën e plotë po e japim poshtë), duke argumentuar arsyet e këtij veprimi, ndër të tjera, theksoi se “PD-ja nuk zbatoi ndjekjen ligjore të kriminelëve, që gjatë diktaturës kishin dhunuar në mënyrat më mizore moralisht dhe fizikisht njerëzit e popullit. . . U sanksionua kështu pandjekshmëria ligjore e krimit dhe Shqipëria u kthye në një parajsë ideale për kriminelët e kuq. Me këtë qendrim u godit rëndë kërkesa e popullit për drejtësi nëpërmjet ligjit.” Në fushën e ekonomisë, “kriminelët dhe spekulatorët e djeshëm janë kthyer sot në bosa të padiskutueshëm të biznesit”, “Mos realizimi i reformës administrative i ka lënë mundësi ish-komunistëve që të përdorin organizmat dhe institucionet shtetërore në shërbim të qellimeve të tyre”, etj. Shkurt, “nuk është bërë një punë e mirëfilltë për çrrënjosjen e komunizmit dhe të pasojave të tij”.
Kohë më parë, Ernesti e kishte pasqyruar në mënyrë të hollësishme gjendjen e krijuar në raportet e dhëna në dy mbledhjet e aktivit te Degës, në maj të vitit 1993 dhe në gusht të po këtij viti. Po shënoj këtu, sa për ilustrim, disa nga masat më të domosdoshme që propozoi për t’u marrë me urgjencë në mbledhjen e aktivit të Degës, me datë 6 gusht 1993:
1. Të përgjigjen para drejtësisë të gjithë ata që qenë frymëzuesit, nxitësit dhe zbatuesit e krimeve të rënda, që u kryen kundër popullit nëpërmjet masakrave, burgosjeve, torturave gjatë gjithë diktaturës e deri te epilogu i tragjedisë shqiptare, 2 Prillit 1991.
2. Të spastrohet administrata shtetërore nga komunisto-socialistët, që me veprimet e tyre po dëmtojnë imazhin pozitiv të P.D-së.
3.  Të zbatohet dekreti i Presidentit për rishikimin e pasurive të vëna në mënyrë të jashtëligjshme këto vitet e fundit.
Në fund të fjalës së tij të dorëheqjes, Ernesti theksoi: “E kam thënë dhe e përsëris se demokracia nuk mund të shartohet në rrënjët e komunizmit. Në këto rrethana unë e vlerësoj si të papërligjur qendrimin tim si kryetar i P.D-së për Degën e Shkodrës, prandaj që nga ky çast unë deklaroj dorëheqjen time nga kjo detyrë.”
Gjithsesi, ai jo vetëm nuk hoqi dorë, por i shtoi edhe më shumë përpjekjet e tij në dobi të zhvillimeve demokratike, që ish-komunistët që kishin marrë në dorë frenat e partive i sabotonin me të gjitha mënyrët.
Në gusht të vitit 1994 qe anëtar i Shtabit të Grevës së Urisë të ish-të burgosurve politikë, dhe në kohën kur forcat policore të pushtetit “demokratik”, që nxorën jashtë me dhunën e shkopinjëve të gomës grevistët e urisë, Ernestin, që u kundërshtoi policëve, e plagosën rëndë dhe përfundoi në spital.
Plagët e asaj dhune të modelit komunist dhe zhgënjimet e njëpasnjëshme të shkaktuara nga “demokratët” në pushtet, e vranë shumë shpirtërisht dhe ndikuan në dobësimin e shpejtë të shëndetit të tij, duke e çuar drejt një vdekjeje të parakohshme, me 29 Janar të vitit 2001, në moshën 73-vjeçare.
Bashkia e Shkodrës e nderoi me titullin e lartë “Qytetar Nderi”, por nuk mund të them një fjalë të mirë për anëtarët e Degës, të cilët e kaluan pothuajse në heshtje qëndrimin e Ernestit, duke dëshmuar që “ideali” i tyre ishte “demokracia” për të përfituar sa më shumë nga ajo situatë e krijuar, që pohonte çdo ditë e më tepër se ish-komunistët, që ishin në krye të Partisë Demokratike, po luanin lojën e tyre në kurriz të popullit.

* * *
Deklaratë
Sot, me 15 tetor 1993, me rastin e thirrjes së aktivit të jashtëzakonshëm të Degës së PD-së Shkodër, bëj këtë Deklaratë:
Jam rreshtuar në radhët e PD-së duke vlerësuar këtë veprim si një detyrë imperative në luftën e popullit shqiptar për të shembur diktaturën komuniste dhe për të ndërtuar një shoqëri demokratike. Kisha besim se paqartësitë e fillimit në lidhje me përbërjen e grupeve udhëheqëse të PD-së si dhe ndikimin që kishin këto grupe në përcaktimin e e veprimtarisë së PD-së, do të sqaroheshin gjatë procesit për realizimin e pikave themelore të programit. Fatkeqësisht u konstatua se zhvillimet morën drejtime të papranueshme si nga pikëpamja parimore asht edhe në pikëpamje praktike.
Nuk u realizua akti i parë, që do të sanksiononte parimin bazë mbi të cilin PD-ja mbështeti që në fillim luftën e vet dhe që përmblidhej në parullën: “Mbi krimin nuk ndërtohet as demokracia dhe as shteti ligjor”.
PD-ja nuk zbatoi ndjekjen ligjore të kriminelëve, që gjatë diktaturës kishin dhunuar në mënyrat më mizore moralisht dhe fizikisht njerëzit e popullit. Maskrat, vrasjet, burgimet, internimet dhe përndjekjet e ndryshme u kapërcyen nga PD-ja vetëm me deklarata formale dënimi. U sanksionua kështu pandjekshmëria ligjore e krimit dhe Shqipëria u kthye në një parajsë ideale për kriminelët e kuq. Me këtë qëndrim u godit rëndë kërkesa e popullir për drejtësi nëpërmjet ligjit. Parulla e hapur nga disa liderë të P.D-së simbas së cilës në Shqipëri nuk do të kishte gjyqe politike, mbetet një demagogji e ulët, mbasi askush nuk ka kërkuar gjyqe politike, por thjesht ndjekje ligjore të krimeve të shëmtuara. Shqipëria qe kthyer në një varrezë të tërë, e megjithëkëtë drejtësia nuk veproi. Ky qëndrim mospërfillës i drejtësisë ka nxitur e gjallëruar elementët që i shërbyen diktaturës dhe që e çuan vendin drejt katastrofës. Këta elemetë sot më të fortë se kurrë, me një agresivitet provokues, po ndikojnë në shumë aspekte të jetës së vendit dhe duket sikur po realizojnë shumë qëllime të tyre pa qenë në pushtet. Kështu, ata po përfitojnë nga pushteti i sotëm maksimumin e mundshëm, duke ia lënë përgjegjësinë për çdo gjë shtetit demokratik. Është e qartë se kjo gjendje nuk duhej të lejohej. Krijohet përshtypja sikur pushtetarët e sotëm kanë më shumë shqetësime për klane të ndryshme, sesa për të luftuar këtë front unik të përbërë nga metastazat e diktaturës së përmbysur.
Dihet tanimë nga të gjithë se çfarë ka ndodhur dhe po ndodhë me ekonominë e vendit. Kriminelët e spekulatorët e djeshëm janë kthyer sot në bosë të padiskutueshëm të bisnesit në të gjitha nivelet. Me këtë situatë moszbatimi i dekretit të Presidentit për rishikimin e pasurive të vëna në rrugë të paligjshme, e kthen atë në demagogji.
Mosrealizimi i reformës administrative i ka lënë mundësi ish-komunistëve që të përdorin organizmat dhe institucionet shtetërore në shërbim të qëllimeve të tyre. Kjo po inkurajohet edhe më tepër nga deklaratat e disa liderëve të PD-së, të cilët po mbrojnë e po mburrin zyrtarisht të ashtuquaturen “pjesë të ndershme të socialistëve”. Këto të fundit, do të ishin të tillë sikur të vetëdenonconin krimet e diktaturës dhe të gjithë historinë e “mëmës” së tyre parti. Nuk mund të quhen socialistë ata që kontribuan aq shumë për diskreditimin e socializmit gjjatë disa dekadave.
Janë pikërisht shqetësimet e mësipërme, që kanë preokupuar Degën e PD-së në Shkodër dhe që janë pasqyruar në aktivet e vitit 1993. Për fat të keq, veprimtaria e Degës së PD-së në Shkodër jo vetëm nuk është mbështetur, por përkundrazi është kritikuar dhe sulmuar pa të drejtë.
Të gjitha këto, që u rreshtuan këtu, dëshmojnë se nuk është bërë një punë e mirëfilltë për çrrënjosjen e komunizmit dhe të pasojave të tij. E kam thënë dhe e përsëris se demokracia nuk mund të shartohet në rrënjët e komunizmit.
Në këto rrethana unë e vlerësoj si të papërligjur qendrimin tim si kryetar i PD-së për Degën e Shkodrës, prandaj që nga ky çast unë deklaroj dorëheqjen time nga kjo detyrë.
Ernest Perdoda
Firma
Shkodër, me 15 tetor 1993
Sqarim i autorit: Ernesti dha dorëheqjen edhe si anëtar i PD-së.

http://illyriapress.com/ernest-perdoda-shembulli-ideal-i-anti-komunistit-dhe-demokratit-te-pakorruptueshem/

Lini një Koment

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.