Kalo te lënda

Ledi Shamku-Shkreli: Për një sociolinguistikë funksionale – Shtrat evolutiv apo vijim i revolucionit gjuhësor?

by më 06/12/2019

13/04/2006 – KATEGORIA: Kulture  SHEKULLI

Nuk është e thjeshtë të arsyetohet mbi diçka që konsiderohet po aq e mirëqenë sa dhe vetë ekzistenca njerëzore. Kronologjia e zhvillimit të mendimit dëshmon se njeriu u mor me çështje të fizikës e të metafizikës para se të merrej me çështje të moralit. Kjo ngaqë vëmendja njerëzore priret më shumë të shpjegojë dukuri që i duken të rralla e të pazakonta përpara se të marrë në shqyrtim dukuri të vetat, më modeste, por gjithsesi jo më pak të ndërlikuara e të parrahura. Në radhën e dukurive që shëmbëllejnë të thjeshta e të zakonshme hyn edhe Gjuha, a më saktë Përdorimi Gjuhësor. Për njerëzit ky përdorim është kaq i natyrshëm e i vetvetishëm, sa merret si diçka instiktive; pra “të flasësh” ngjan thuajse njëlloj me “të marrësh frymë, të ecësh, të shikosh etj”. Në dallim nga përdorimi gjuhësor, arësyetimi mbi gjuhën nuk përbën më diçka kaq të thjeshtëzuar nga zinxhiri i evolucionit njerëzor.

Të arsyetosh mbi gjuhën do të thotë të ndalesh e të shqyrtosh aspektin teknik të meditimit. Kjo kërkon pikësëpari të mbash qëndrim kritik ndaj vetes, ta dyzosh vazhdimisht mendimin, duke u munduar të analizosh formën me të cilën e ke mveshur. Nevoja për të analizuar këtë formë shenjoi në një farë mase, edhe itinerarin që ndoqi mendimi dhe praktika filologjiko-gjuhësore derisa korpusi i njohurive mbi gjuhën u mëvetësua si shkencë me objektin dhe detyrat e saj. Çdo shkencë dallon për nga objekti studimor i saj, ndaj citojmë këtu frazën që përmbylli “Kursin” e leksioneve të Saussure-it dhe çeli sakaq epokën e strukturalizmit klasik, me të cilin u trupëzua më në fund edhe shkenca gjuhësore: Gjuhësia ka si objekt të vërtetë dhe të vetëm gjuhën, të shqyrtuar në vetvete dhe për vetveten. Pra objekti i gjuhësisë është gjuha, e cila pasqyron tiparet shpirtërore apo zhvillimet historike të bashkësisë që e përdor. Ky pohim, që nxori krye te Ëhitney, por u mëkëmb te “Kurs” i Saussure-it, qe tharmi i një disipline gjuhësore mjaft të frytshme, sociolinguistikës, që lindi nga ama-gjuhësi-e-përgjithshme në messhekullin e njëzetë. Më 1951 Vendryes shkroi: “Çdo ligjërim sundohet nga kushtet shoqërore dhe ky thelb social përcakton në lëmin studimor të ligjërimit një metodë të re shpjegimi dhe kërkimtarie”. Sipas një përkufizimi klasik sociolinguistika studion lidhjet e ndërsjella mes varianteve të një gjuhe dhe shtresëzimit shoqëror të bashkësisë që e përdor atë gjuhë.
Çfarë ofron sot sociolinguistika dhe parimet e saj? Duke qenë disiplinë shkencore e përbërë e që ushqehet sa nga hetimet mbi lëndën konkrete aq dhe nga përgjithësimet teorike, ajo ka shumë për t’u dhënë studiuesve të gjuhës dhe përdoruesve të saj. Le t’u kthehemi përdoruesve dhe më konkretisht shqipfolësve.

Ç’ndodh me edukimin e tyre gjuhësor nëse sociolinguistika aplikohet si procedurë pune?
Pas rënies së mureve ideologjike vihet re një kthesë në mënyrën se si dhe për çfarë shqiptarët po e përdorin gjuhën dhe ky fakt qëmtohet duke e parë funksionalisht binomin gjuhë shqipe – shoqëri shqiptare. Kthesa e sipërthënë e ka zanafillën në migrimet e mëdha të brendshme, të shkaktuara qoftë nga modeli i ri i zhvillimit social-ekonomik, ashtu edhe ngaqë sot lëvizja demografike nuk pengohet më; këto zhvendosje synojnë më tepër kryeqytetin, për shkak të zakonit të natyrshëm të një jete sociale dhe administrative mjaft të centralizuar. Në këtë mënyrë, migrimi i brendshëm, kur është masiv, çrregullon thellësisht strukturën gjuhësore në hartologjinë e ligjërimeve kombëtare dhe shkakton një “përzierje” të subjekteve të ndryshme, të cilat detyrimisht duhet ta përshtatin të folmen e tyre, ndofta edhe duke formësuar një Miks-idiomë, në përpjekje për të gjetur pika takimi me të tjerët. Por kjo nuk është e gjitha: këta të sapoardhur, jo vetëm që ndryshojnë, por sjellin edhe ndryshime, duke e vendosur Standardin Pritës në kontakt të vazhduar me variantet gjuhësore, të cilat, sigurisht, përveç dialektalizmave të panumërta, përmbajnë edhe fjalë të shumta e të nevojshme, që pragmatizmi i jetës urbane i ka mpirë, i ka zëvendësuar me huazime ose i ka bërë të duken si të panevojshme. E meqë ndodhemi në temën e migrimit të brendshëm, duhet të saktësojmë se jo e gjithë lëvizja demografike synon kryeqytetin (ndonëse ky i fundit po shkon drejt trefishimit të popullsisë së vet). Po aq i dendur dhe i shpeshtë paraqitet edhe migrimi i brendshëm në distanca ose hapësira të vogla, si dyndja ndër qytete e banorëve të fshatit, apo e banorëve të qendrave me tregues ekonomikë më të ulët drejt qendrave më të begata; këto lëvizje të fundit janë frymëmarrje të domosdoshme për gjuhën, meqë në trajtën e shkëmbimeve dhe integrimeve çojnë drejt një lloj Nivelimi të të Folmeve Lokale, ndonjëherë të ndryshme këto edhe në rrezen e pak kilometrave (psh. trekëndëshi Gjirokastër – Delvinë – Sarandë, apo segmenti Lezhë – Shkodër; të para këto jo vetëm brenda kufijve te qytetit). Pra, vihet re një zgjerim i varianteve dialektore drejt koineve gjerësisht më të kuptueshme, pikërisht të atyre që ndihmojnë në procesin e rivlerësimit të asaj çka duhet të jetë teorikisht e praktikisht Gjuha e Unifikuar. Afërmendsh ndryshimet nuk ndodhin pa humbje (nëse ky do të ishte termi i përshtatshëm), ngaqë zhvillimet sociolinguistike shoqërohen gjithnjë nga dukuri të themi trandëse: braktisje e zonave të tëra, përmbysje të fuqishme të strukturave demografike të vendit, pështjellime të forta në etnokulturat e veçanta, në zakonet apo mënyrën e të menduarit dhe për rrjedhim shfaqjen e një dinamizmi social të theksuar, me gjithë efektet anësore që ai sjell. Ndonëse shoqëruar nga dukuri të tilla, do pohuar me optimizëm se shqipfolësit po i vënë në provë ligjërimet e tyre duke kërkuar regjistra të reja gjuhësore, të cilat hera-herës fusin në rrafshin e përdorimit të gjuhës letrare elemente gramatikore dhe leksikore të dialekteve, duke zvogëluar në këtë mënyrë distancën mes shqipes standarde dhe të folmeve të ndryshme. Për këtë arësye sot mund edhe të përligjet pohimi që bën ndokush se çështjet dialektologjike në Shqipëri janë të tejkaluara, jo për faktin se dialektet nuk kanë çfarë t’i ofrojnë më shqipes, pasi ato ende mbeten garancia e vetme që kjo gjuhë të mbijetojë e t’i bëjë ballë konkurrencës si mjet përdorimi, por thjesht e vetëm se dialektet tashmë e kanë gjetur vahun e tyre të natyrshëm të kalimit në gjuhë: sociolektin shumëformësh i cili përzgjedh elemente diatopike, i alkimizon me elemente socialkulturore dhe përmes të t’ashtuquajturit Përdorim Situacional, ia ofron në këtë formë të përpunuar Gjuhës Standarde. Është e qartë që ndikimi i dialekteve mbi kodin e njësuar dikur thuajse do të reshtë, por tash për tash në Shqipëri ai mbetet ende aktiv. Përsa kohë do të vijojë zhvendosja masive e popullatës drejt qendrave qytetëse, prurjet dialektore, përmes sociolekteve, do t’i ofrohen standardit – herë si ndihmëse e herë si konkurrente. Sipas kësaj logjike do të ravijëzohej skema funksionale në trajtën e mëposhtme: Pas rënies së mureve ideologjike, dmth pas fundviteve ‘80, elementi “sociolekt” gjendet:

a) i pashtrënguar nga arteficat e ideologjisë;

b) i gjithëpërhapur;

c) aktiv.

Për pasojë sociolekti futet vetiu aty ku në fakt është vendi i tij natyror, pra në zonën e përplasjes mes të folmeve lokale dhe gjuhës letrare. Për efekt procesesh vetërregulluese kryhet kësisoj Faza Përgatitore ku trashëgimia vernakulare e provincës, tejet e fragmentarizuar prej gjeopërkatësisë, përpunohet në dorë të parë prej vetë grupeve socialkulturore të përdoruesve, për t’iu lehtësuar mandej kalimi në sferën standarde. Pra është meritë e sociolekteve që shqipja sot ka dhjetëra “atanorë” (furra alkimie) aktivë, të cilët luajnë një rol përndihmues duke sendërtuar lëndë të para sa më të njëtrajtshme për Atanorin e Madh të Metropolit – në rastin tonë, Tiranës. Ndodhemi përpara një situate jo vetëm interesante nga pikëpamja gjuhësore, por edhe historike. Kjo “gjendje” duhet studiuar sa më shpejt, pikërisht se po të shqyrtohet dhe të përkrahet në kohë, do të shpjerë në forcimin dhe rivlerësimin mbi baza reale të kodit gjuhësor mbarëshqiptar (dhe jo në decentralizimin damtor të Gjuhës së Njësuar, siç ngulin këmbë institucionet). Gjithë kjo ngaqë sociolekti, me epërsinë e tij komunikuese, thyen te çdo idiomë atë që Saussure e quan esprit de clocher – mendësinë e izolimit – dhe vë kësisoj në lëvizje proceset e uniformizimit objektiv. Porse të gjitha këto procese vetërregulluese duhen vëzhguar imtisht, pasi duhet kuptuar dhe interpretuar kahu i vullnetit përzgjedhës të shoqërisë, në mënyrë që politikat gjuhësore të mund të themelohen në po atë kahje, e madje duke i paraprirë në kohë. Dhe, në këtë pikë, metodologjinë më të saktë për të vëzhguar, rilevuar dhe interpretuar e japin studimet statistikore që ofron dhe përpunon sociolinguistika.
Ky është edhe përfitimi funksional që sjell zbatimi i sociolinguistikës te përdoruesit e shqipes, e cila në sintezë:

1) Rilevon dhe përshkruan gjendjet konkrete gjuhësore të stadeve socialkulturore; 2) Zbulon faktorët kryesorë që përcaktojnë marrëdhëniet gjuhë-bashkësi shoqërore;

3) Tipizon Modelin Rregullator, pas të cilit shoqëria përçon, ndryshon dhe prodhon gjuhë.

Kështu, duke u mbështetur në etapat e mësipërme studimore, politikat e planifikimit dhe platformat didaktike gjuhësore synojnë që njerëzit të kryejnë një përdorim sa më të përgjegjshëm të fjalëve. Me fjalë të tjera ata duhet të jenë të vetëdijshëm për atë që thonë, dhe të ndërgjegjshëm që kanë përzgjedhur aksh fjalë a zgjedhje gjuhësore (për arsyen e thjeshtë se ajo fjalë apo zgjedhje u krijoi mundësinë të kuptoheshin më mirë nga të tjerët). Tek e fundit pikërisht ky përdorim i përgjegjshëm është ai që do të përcaktojë edhe shkallën socialkulturore të bashkësisë.

Pra, sociolinguistika, kjo disiplinë post-sosyriane me forcë të madhe emancipuese, përmes ndërgjegjësimit që synon t’u bëjë përdoruesve të një gjuhe, tejkalon kështu njërin nga postulatet e njohura të Saussure-it, që asokohe thonte: “Të medituarit nuk merr pjesë në praktikën e një të folmeje; në një masë të madhe folësit janë të pavetëdijshëm për ligjet e gjuhës. Pastaj edhe sikur të ishin të vetëdijshëm, do thënë se faktet gjuhësore nuk shkaktojnë aspak kritika, ngaqë çdo popull në përgjithësi është i kënaqur me gjuhën që i ka takuar”. Tri etapat e mësipërme, nëpërmjet të cilave sociolinguistika synon të emancipojë gjuhësisht përdoruesit, u shërbejnë sakaq edhe planifikuesve të gjuhës me qëllim që të garantohet mbarëvajtja dhe zhvillimi i gjuhës së njësuar. Duke u nisur nga fakti se gjuha i ndjek ndryshimet shoqërore, vërejmë se kjo ndjekje kryhet me një fazë vonesë, duke i qëndruar pohimit të N. Marr-it se “gjuha është diçka që i përket sferës së superstrukturës” – gjithë sipas logjikës se ndodh më parë ndryshimi në bazë e më tej pasqyrimi në superstrukturë. Kjo mospërputhje fazash vjen ngaqë gjuha si produkt i trashëguar ka inercinë e saj. Kjo inerci është garanci për transmetimin e plotë të saj. Ndaj është mirë të ruhet gjuha nga modernizimi i beftë pasi diçka e tillë rrezikon ta dëmtojë rëndë thelbin e saj komunikues. Ç’do të thotë kjo? Norvegjezi Sommerfelt në vitet ‘60, duke tërhequr vëmendjen rreth këtij problemi shkruante: “Nëse një gjuhë do të ndryshonte breda një kohe shumë të shkurtër, ajo do ta përmbushte keq misionin e saj, atë të një mjeti komunikues lehtësisht të kuptueshëm nga të gjithë anëtarët e shoqërisë”.
Përzgjedhja e metodologjisë bëhet kësisoj përcaktuese e ardhmërisë gjuhësore të një vendi. Dhe në këtë kontekst, sociolinguistika, në momente shndërrimesh sociale, paraqitet jo vetëm si interprete e zhvillimeve te reja, por edhe si gardiane e korrektësisë së transmetimit të trashëgimisë gjuhësore aq të çmuar.

Andaj nëse “gjuhësia e re” shqiptare në vitin 1972 do të ish mbështetur më fort në disiplinat shkencore se sa në ato ideopolitike, baza standarde e shqipes së sotme, pavarësisht nga koineja dialektore e zgjedhur, do kish qenë patjetër një vijimësi e natyrshme, pa revolucion dhe “modernizim” që për dhjetravjeçarë të tërë vështirësoi komunikimin mbarëkombëtar, vështirësi që po rezulton se nuk është kapërcyer ende.

Kodi i ri pati probleme që në ditët e para të jetës së tij, por ato nuk viheshin re sa kohë që sistemi ynë gjuhësor luhatej brenda sinorëve hermetikë të shoqërisë shqiptare. Prishja e kloshtrit, sistemit të mbyllur, nxori në pah gjithë arteficat dhe problemet e këtij kodi, por në fazën e rrëmujshme të tranzicionit, proceset gjuhësore nuk u morën në konsideratë nga institucionet, tashmë të mbetura bonjake. Kjo me gjasë ka sjellë pasojat e veta, të cilat po ndjehen sot e gjithë ditën. Ca nga mungesa e vëmendjes e ca nga mangësitë e përgatitjes shkencore për të përballuar sfidat e decentralizimit social e gjuhësor, këto procese u lanë në mëshirë të fatit e u karakterizuan nga kaosi dhe anarkia e zhvillimeve sporadike. Dhe jo për pak kohë, po për pesëmbëdhjetë vjet radhaz. Kështu vrullit të ndryshimeve shoqërore nuk iu përgjigj një vullnet shkencor që ta hetonte e pasqyronte dora-dorës atë në Kodin Standard, por përkundrazi ky Kod, përveçse me arteficat e vjetra, vijoi të mbetet mëse i ngurtë.
Sot trysnia e shoqërisë, për efekt të ndryshimeve demografike, valëve emigruese, zgjerimit të trevës shqipfolëse ndërkomunikuese dhe një kulture të re komunikimi, është bërë aq e fortë sa po rrezikon ta shembë krejt Kodin. Tash më tepër se kurrë duhet ndërhyrë shpesh dhe jo vetëm për procedurë, sepse po rrezikohet përsëdyti një thyerje të re gjuhësore. Vonesat për ta azhornuar gjuhën në bazë të treguesve të përdorimit/usus-it të saj, do të japin pashmangësisht dhe fatkeqësisht një tjetër efekt revolucionar me të gjitha pasojat e dëmshme që ai bart. Sa i dëmshëm është modernizimi i beftë i vlerave të qëndrueshme (sakur gjuha!) e përmend edhe Nietzsche kur flet për “modernitetin”, duke e konsideruar atë si diçka “shpejt-e-shpejt” që e vendos njeriun në marrëdhënie perverse dhe marramendëse me hapësirën dhe kohën; dhe dihet se gjuha e shkruar, pra gjuha standarde, është ajo që mundëson komunikimin në hapësirë dhe në kohë.

Azhornimi i lartpërmendur është si njëfarë “legalizimi ndërtimesh pa leje” që i duhet bërë shqipes, dhe afërmendsh sa më parë të kryhet aq më pak pasoja do të ketë në shprishjen e thurjes tërësore të gjuhës. Dhe është e rëndësishme që ky “legalizim”, saku gjithë sfidat para të cilave gjendet sot Gjuhësia Shqiptare, të mbështeten mbi metodologjitë e sprovuara sociolinguistike. Por nga sa duket sociolinguistika deri më tash nuk po e kapërcen ende pragun e rëndë të shqipes. Rilevimi i përdorimeve standarde të gjuhës, katalogimi, klasifikimi dhe përshkrimi i tyre i vazhdueshëm, do të mundësojnë që ndryshimet e imponuara nga shoqëria të pasqyrohen pak nga pak e në trajtë evolucioni në sistemin tonë gjuhësor. Tek e mbrama, kjo është puna e prunjtë e gjuhëtarit: të përshkruajë stadet gjuhësore, në sinkroninë dhe diakroninë e tyre.

Azhornimi i gjuhës është si njëfarë “legalizimi ndërtimesh pa leje” që i duhet bërë shqipes, dhe afërmendsh sa më parë të kryhet aq më pak pasoja do të ketë në shprishjen e thurjes tërësore të gjuhës

Andaj nëse “gjuhësia e re” shqiptare në vitin 1972 do të ish mbështetur më fort në disiplinat shkencore se sa në ato ideopolitike, baza standarde e shqipes së sotme, do kish qenë patjetër një vijimësi e natyrshme, pa revolucion dhe “modernizim” që për dhjetravjeçarë të tërë vështirësoi komunikimin mbarëkombëtar, vështirësi që po rezulton se nuk është kapërcyer ende.

13/04/2006
KATEGORIA: Kulture  SHEKULLI

Lini një Koment

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.