Kalo te lënda

Zekerija Idrizi: LETËR VËLLAZËRORE FAMULLITARIT ATDHETAR DON VIKTOR SOPI

by më 10/02/2024

Zekerija Idrizi portretDon Viktor Sopi

I çmuar famullitar Don Viktor Sopi, me këtë letër timen vëllazërore dua t’ju përgëzoj për punën dhe veprimtaritë tuaja tejet fisnike fetare dhe atdhetare, të kryera nga ju nën atë parimin e shenjtë programatik rilindas “PRO DEO ET PATRIA” – “PËR ZOT DHE ATDHE”.
Ju udhëhiqeni nga parime të larta e të fuqishme fetare dhe kombëtare sepse rridhni nga një familje patriotike që ka dhënë shumë martirë, dëshmorë dhe veprimtarë të mëdhenj të kombit në luftën për lirinë dhe pavarësinë e Dardanisë e të Shqipërisë nga zgjedha dhe okupimi otoman. Ju edhe keni lindur, jeni rritur dhe shkolluar fillimisht në Binçën historike të komunës së Vitisë, për t’i vazhduar më pastaj studimet universitare dhe pasuniversitare nē lëmin e teologjisë dhe filozofisë në Zagreb të Kroacisë.

Familja juaj fisnike Sopi i ka dhënë shumë shoqërisë dhe kishës shqiptare. Që nga vitet 1800, i keni motrat e nderit – bijat fisme të familjes tuaj – që shërbenin në Francë, në Turqi në SHBA, në Slloveni e gjetiu. Keni stërhallat, motrat: Magdalena, Suzana, Marta, Age Sopi dhe shumë të tjera… Mandej keni edhe Don Mark Sopin e vjetër, i lindur 1838 dhe deri te imzot Mark Sopi i lindur më 1938. Edhe sot ju keni shumë meshtarë dhe murgesha nga kjo familje që shërbejnë në misionin e vet hyjnor dhe human kudo në botë dhe në atdhe.
Është për t’u veçuar këtu posaçërisht kontributi madhor i të parëve tuaj edhe gjatë shekullit XX, si p.sh. Gjonit, Gegës, Mhillit, Tadesë, të cilët me djersë dhe punë të përkushtuar, gjatë tërë jetës, ishin mbështetës të mëdhenjë të kishës dhe kombit dhe të dalluar në bëmirësi ndaj nevojtarëve e skamnorëve. Ata, pa rezerva, e kanë ndihmuar famullinë, e ndërtuan Kuvendin e motrave me pasuritë e shumta që kishin dhe aspak nuk hezituan për t’iu ndihmuar shqiptarëve, të cilët gjendeshin në zona të rrezikuara. Kontributi i tyre, është i pashmangshëm, në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe kulturor të shumë familjeve të Anamoravës dhe më gjerë.
Pikërisht për punën, sakrificat dhe angazhimet tuaja besimore dhe kombëtare ju u dekoruat me medaljen “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, si dhe nga kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti në dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës.
Ju lumtë!
Përveç punës tuaj të fisme priftërore e famullitare, ju keni punuar dhe vazhdoni të punoni kapitalisht në rrafshin e veprimtarive humanitare si Drejtor Gjeneral i Caritasit Nacional të Kosovës – kësaj organizate madhore humanitare si degë e Caritasit evropian me seli në Bruksel të Belgjikës. Përmes kësaj organizate ju keni ndihmuar qindra mijëra familje skamnore, familjarë të dëshmorëve të kombit, invalidë, bonjakë, të sëmurë dhe njerëzit e pastrehë. Ndërkohë keni investuar në projekte madhore socio-kulturore, arsimore, ekonomike dhe fetare për shqiptarët e Kosovës iliro-dardano-arbërore.
Ju, njëherësh, jeni edhe autor i dy veprave me vlerë dhe peshë shkencore e kombëtare:
“At Gjergj Fishta, dëshmi e identitetit shqiptar”, dhe “At Shtjefën Gjeçovi –tradita dhe qytetërimi shqiptar”, – botime këto të bëra nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve me seli në Shkup.
Këto vepra kushtuar këtyre dy kolosëve të mëdhenj të letërsisë dhe kulturës shqiptare, argumentojnë dhe përforcojnë bindshëm identitetin tonë etnik-kombëtar në trojet tona të lashta të Gadishullit Iliric, si dhe faktojnë katërcipërisht kontributin kolosal të klerit shqiptar katolik për kombin dhe atdheun.
Në ndërkohë ju po e kryeni me nder dhe dinjitet të lartë akademik e shpirtëror-fetar punën e famullitarit në kishën dhe selinë ipeshkvore të Ferizajit, pikërisht ashtu siç e patët kryer edhe më herët në Bishtrazhin të Dukagjinit plot dy dekada.
Njëkohësisht, ju keni dhënë dhe po vazhdoni akoma të jepni një kontribut të vlefshëm në sferën e humanizmit dhe përcjelljes së mesazheve të paqes, dialogut, harmonisë dhe përbashkimit ndërshqiptar, pa dallim feje, partie, fisi, ideologjie a krahine.
Në veprimtarinë tuaj sublime ju po i zbatoni me përpikmëri parimet humane e universale për të drejtat e njeriut që dalin nga Karta Universale për të Drejtat e Njeriut dhe nga dokumentet kishtare, mandej edhe nga përsiatjet e shumë humanistëve. Në veçanti ju po aplikoni dokumentet zyrtare të Kishës, të cilat debatojnë çështjet e dinjitetit të personit si psh.: enciklika “Pacem in terris” (Paqja në tokë) e Gjonit XXIII, kushtetuta e koncilit të Vatikanit “Gaudium et spes” (Gëzimi dhe shpresa), deklarata “Dignitates humane” (Dinjiteti i personit), Katekizmi i Kishës Katolike i cili i kushton mjaft hapësirë dinjitetit të personit.
Ajo që patjetër duhet cekur këtu është edhe “Caritas in veritate”, letra e Papa Benediktit XVI, e cila fuqishëm mbështet bamirësinë karitative, duke porositur qartë që politikat e Caritasit duhen të jenë në mbështetje të personave pa dallim. Ndërsa në enciklikën “Deus Caritas est” (Hyji është Dashuri), Papa Benedikti XVI, thekson përgjegjësitë e Kishës në gjitha nivelet, në respektimit e dinjitetit njerëzor, ku veçmas, jemi të ftuar për ta shprehur ngrohësinë më humane në raport me njeriun, duke plotësuar vullnetin e plot të Hyjit.
Në këtë rrafsh, pra në në këtë rrugëtim sublim dhe të shenjtë kombëtar, njerëzor dhe hyjnor, ju i nderuar Don Viktor, do ta keni përkrahjen dhe mbështetjen time të fuqishme, si dhe të të gjithë vëllezërve dhe motrave atdhetare shqiptare myslimane, katolike, ortodokse dhe protestante.
Do mbetemi vëllezër përjetësisht nē shërbim të Zotit, kombit dhe atdheut!
ZOTI JU BEKOFTË!
Vëllezërisht dhe idealisht:
Zekerija Idrizi – Teolog
Lini një Koment

Lini një koment

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.