Kalo te lënda

Zekerija Idrizi: LETËR VËLLAZËRORE HIRËSISË SË TIJ DR. DON LUSH GJERGJI

by më 10/02/2024

Dom Lush Gjergji dhe Zekerija Idrizi

Nderimet e mia nga zemra hirësia juaj, Z. Don Lush Gjergji. Kohë të gjatë kam përcjellë veprimtarinë tuaj mjaft të begatë dhe shumëdimensionale, si në rrafshin fetar, ashtu edhe në atë atdhetar-kombëtar. Zoti ju bekoftë dhe ju shpërbleftë njëherësh për mbarë veprimtarinë tuaj kolosale në shërbim të Zotit, popullit dhe Atdheut!
Para tre ditësh iu drejtova me një letër priftit ortodoks shqiptar At Nikolla Markut – predikues e meshtar në Kishën “Shën Mëria” në Elbasan, në të cilën qajta dertet e hallet në mënyrë vëllazërore për gjithçka që na preokupon e brengos njëherësh në ditët e sotme. I dhash përparësi një prifti e meshtari shqiptar ortodoks dhe shqiptarëve ortodoksë në përgjithësi nga fakti se ata vitet e fundit po përballen me probleme mjaft serioze përkitazi me identitetin e tyre. Keni parasysh këtu gjithë atë fushatën asimiluese që po ushtron mbi ta Patrikana greke nëpërmjet të Kryepeshkopit grek Anastas Janullatos, i cili është instaluar dhunshëm në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare.
Në fakt, vëlla i nderuar Don Lush Gjergji, unë jam pothuaj në përmbyllje të një vepre timen me titull “Letërkëmbime mbresëlënëse shpirti”, ku deri tani u jam drejtuar me letra mësimdhënësve të mi nga shkolla fillore, mësuesit tim të parë fetar, profesorëve të medresesë Isa Beu të Shkupit dhe nga Fakulteti i Teologjisë Islame në Sarajevë, mandej Kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni etj.

Këto ditë i hodha një vështrim, nuk dij për të satën herë kjo, veprimtarisë Suaj, në veçanti, dhe tërë veprimtarisë së klerit katolik nëpër shekuj dhe sot, si dhe vetë Kishës Katolike Shqiptare, në përgjithësi. Dorën në zemër, veprimtaria Juaj është shumëdimensionale e përmasash kapitale në shërbim të Zotit të Madhërishëm, të kombit e të Atdheut. Zatën këtë fakt e kam potencuar me theks të veçantë në fjalën time monologuese “Rekuiem – Pranë varrit të Presidentit Dr. Ibrahim Rugova”, që e mbajta në “Kultur Haus” të Berlinit vitin 2007 me rastin e organizimit të tubimit komemorativ në njëvjetorin e vdekjes së tij. Fjalim ky të cilin e kam inkorporuar dhe në librin tim të sapobotuar “Veprimtaria universale e imamit në kurbet”. Aty them tekstualisht: “Kombi ynë, President Rugova, ka kredon morale dhe krenarinë kombëtare përmasash planetare që diti, sot e dy mijë vjetë më parë, t`i dhurojë botës të tillë kolosë që dhanë kontribut të çmueshëm në humanizimin e jetës, njeriut dhe të botës në përgjithësi. Kombi ynë i dhuroi botës moderne frymën e sotme të kosmopolitizmit, koegzistencës e të tolerancës njerëzore, qysh nga antikiteti e deri më sot. Të tillë ishin Shën Jeronimi (që i dhuroi Biblën në latinisht botës katolike perëndimore), Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Shën Klementi (i cili u laureua me kunorën papnore në Vatikan në vitin 1700 – me këtë fron udhëhoqi në harkun kohor 1700-1721), Onufri (që me gjenialitetin e tij prej piktori brilant freskoi, zbukuroi artistikisht dhe demistifikoi Kishat dhe Katedralet krishtere me pejsazhe pitoreske vizatimore), Mimar Sinani (kryearkitekti famëmadh që la pas vetes vepra kolosale në arqitekturë), Muhamed Isai (që ndërtoi njërën ndër shtatë veprat grandioze botërore, Taxh Mahallin në Agra të Indisë), Nënë Tereza – Gonxhe Bojaxhiu (kjo gjithëmëmë botërore katolike, e cila u laureua me çmimin Nobël), Muhammed Nasiruddin Albani (Muhaddithi më me famë në botën myslimane), akademik Ferid Murati (shkencëtar me famë botërore – Nobelist) e të tjerë. Prandaj, i dashur President, përskaj gjithë këtyre vlerave shumëdimensionale e jashtëzakonisht relevante, e të shumë e shumë të tjerave që s`përmenda, kombi ynë pati fatin historik të ju ketë Juve President, që me veprimtarinë Tuaj të begatë e kolosale prej shkrimtari, esteti, filozofi, krijuesi, politikani e BURRËSHTETASI zulmëmadh u futët gjenealisht në ranglistën e burrave e kolosëve të mëdhenj, si në analet shqiptare, ashtu edhe në ato botërore…” (vep.cit. Shtëpia Botuese “Shkupi”, 2015, fq. 161-162)
Personalisht nuk harroj përjetë kontributin Tuaj kolosal që e dhatë në Aksionin për pajtimin e gjaqeve e hasmërive ndërvëllazërore shqiptare në Kosovë në vitin 1990…. tok me kryeplakun e urtë Anton Çeta, Zekerija Canën, Hoxhë Idriz Kakrukin (ndryshe Idriz Kosova, sikundër me pietet e thërriste populli), Bajram Kelmendin, Azem Shkrelin, Ali Podrimjen – Zoti i mëshiroftë -, e shumë veprimtarë të tjerë. Pikërisht këtë vit historik Ju me miq e bashkëpunëtorë të shumtë arritët suksesshëm të mposhtni gjakmarrjen, vëllavrasjen – këtë “kancer” të kobshëm, duke pajtuar gjithsej 1275 gjaqe e shumë ngatërresa e hasmëri të tjera. Aksion ky jashtëzakonisht sublim kombëtar që i parapriu luftës sonë përballë hordhive barbare sllavo-shkinore, si në Kosovë, ashtu edhe në Kosovën Lindore e në Maqedoni (Madhedoni-Iliridë), mandej aktit madhor të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës e shumë vlerave të tjera kombëtare.
Vëlla imi, Don Gjergj, në jetën time, konkretisht në aktivitetet e mija kombëtare dhe fetare gjithnjë kam bashkëvepruar ngushtë edhe me vëllezërit tanë shqiptarë të konfesionit kristian, të ritit katolik. Kurrën e kurrës nuk do t’i harroj takimet e ndejat e mija miqësore dhe vëllazërore me miqt e mi katolikë: Ernest Lucajn, Mark Lekajn, Gjokë Nikollën, Shtjefën Përdedajn, Tomë Sokolin e të tjerë. Miku im, Ernesti (nga Shqipëria, 22 vjetë i burgosur politik në regjimin totalitar komunist të xhaxhait) vizitonte rregullisht tribunat e mia në xhami dhe kuvendonim me të me orë të tëra lidhur me ardhmërinë e Shqipërisë etnike. Marku (nga komuna e Klinës), ndërkaq, kurrë nuk ndahej nga vëllezërit e vetë myslimanë nëpër kremta fetare. Ai tok me ne jepte rregullisht “fitrat” e Ramazanit që i destinonim për varfënjakët e bonjakët në Kosovë dhe ka dhënë, njëherësh, kontribut të madh në çështjen kombëtare. Gjithashtu edhe vëllai ynë Shtjefni (nga Hasi i Prizrenit), që përmenda më sipër, ky njeri më i fisëm që kam takuar në jetë. Ai thjesht në asnjë aktivitet, i çfarëdolloji qoftë, nuk është ndarë nga vëllezërit e vet shqiptarë të konfesionit islamik, duke dhënë kështu një kontribut të madh në rrafshin kombëtar.
S’do të harroj kurrë pjesëmarrjen time në festën e “Krishtlindjes”, që qe organizuar në lokalet e klubit “Bajram Curri” në vitin 1998. Në telefonatën që më bëri kësokohe kryetari i shoqatës për kulturë, arsim dhe sport “Dituria”, Kadri Mulaj, për t’më ftuar në këtë festë kristiane, për habinë time më kërkoi ndjesë se mos vallë bënte farë mëkati që po më ftonte (si hoxhë) në një festë të tillë! I thash se nuk bënte kurrfarë mëkati dhe se me gjithë qejf do të merrja pjesë në atë festë. Në këtë manifestim mbajta një ligjëratë ku potencova me theks të veçantë vlerën e madhe që kanë në fenë islame dhe atë kristiane profeti Isa (Jezu Krishti) dhe e ëma e tij fisnike, Merjemeja (Shën Mëria). Në mënyrë të veçantë apelova tek të rinjt shqiptarë myslimanë e katolikë që të mos blasfemojnë, që të mos nëpërkëmbin autoritetin e tyre të pakontestueshëm moral dhe shpirtëror.
Në të këtilla festa kam marrë pjesë shumë herë edhe më herët në jetën time, sepse e ëma ime e ndjerë, Zarifeja (dada Zarë-sikundër e thërrisnin me pietet nipërit dhe mbesat) rrjedh nga fshati Debollde i komunës së Vitisë, e unë gjithnjë për të shkuar atje është dashur detyrimisht të kaloj mespërmes Binçës, kësaj qendreje madhore të katolicizmit në Kosovë. S’e kam lëshur asnjëherë rastin pa u futur brenda kishës së saj pitoreske, ku me orë të tëra, në një atmosferë jashtëzakonisht tolerante dhe vëllazërore, kam diskutuar me priftërit shqiptarë. Këtu nuk më kanë lëshuar të ik pa mos ngrënë bukë, pikërisht nën atë devizën tonë të lashtë e sublime njëkohësisht: “Bukë, kripë e zemër”. Mandej rregullisht, qysh në vitet kur ndiqja mësimet në medresenë “Isa Beu” të Shkupit, kam vizituar edhe kishat monumentale të Letnicës dhe të Stubllës (në po këtë komunë, e që Stublla e Epërme është edhe vendlindja Juaj), si edhe kishën impozante “Shën Pjetri“ në Prishtinë, ku kam zhvilluar debate të numërta me imzot don Zef Gashin.
Njëherë, edhe përkundër gjithë argumentimeve të mia që ia parashtrova një myslimani fanatik e të pabindur lidhur me vëllezërit tanë shqiptarë katolikë, më në fund i thash shkoqur: “I dua ata sepse thjesht jemi vëllezër të një Vatani, të një gjuhe dhe të një gjaku, kemi një Zot dhe, para së gjithash, (i thash zëshëm) i dua për inat të shkjeve! Kjo për arsye se shkjetë e përtejkarpateve gjithnjë janë munduar të fusin pykat e ndasisë, të përçarjes dhe të hasmërisë fetare në mes shqiptarëve”.
T’ua them të drejtën, në jetën time nuk kam kaluar mirë me priftërit e Kishës Ortodokse Maqedonase. Kam patur debate të shumta, shumë të zjarrta, me ta nëpër foltore kishash e manastiresh pravosllave, nëpër media elektronike, nëpër tribuna e tryeza të rrumbullakëta, deri dhe atë debatin televiziv (në TV-në maqedonase “A1”) plot dy orë e gjysëm me Kryepeshkopin pravosllav maqedonas z. Mihail, debat ky, të cilin, falë Perëndisë, e fitova në çdo pikëpamje, ngase dijmë mirëfilli karakterin dhe doktrinën e tyre ekskluziviste, egocentrike e ksenofobike. Në këtë program unë (atëbotë 24 vjeçar) përfaqësova kreun e Bashkësisë sonë Islame. Të mos harroj, në debat ishte pjesëmarrës dhe përfaqësuesi i Kishës Katolike në Shkup, me origjinë kroat (këtij monsinjori ia kam harruar emrin), i cili më përkrahu maksimalisht, duke mposhtur dhe ai deklaratat johumane e joqytetëruese, për të mos thënë raciste, të Kryepeshkopit maqedonas.
Vëlla Don Gjergj, pikërisht sot, kur gjithandej trojeve tona arbërore kanë depërtuar nga jashtë lloj-lloj formacionesh e grupimesh fundamentaliste e ekstremiste, nga cilido konfesion a besim fetar, që me propagandat e tyre po komprometojnë e përbaltin atë imazhin tonë të çiltërt të tolerancës e mirëkuptimit ndër-religjioz mes neve shqiptarëve, ne, që të gjithë, duhet të jemi shumë syçelë, vigjilentë, të bashkuar më shumë se kurrë më parë dhe në lartësinë e detyrës sonë klerikale për të ruajtuar po si sytë e ballit atë imazh. Imazhi i tolerancës dhe mirëkuptimit ndër-religjioz, i manifestuar denjësisht nëpër shekuj ndër shqiptarë në shkallë të një ekumenizmi të përkryer fetar, do ruajtur e kultivuar edhe më tej në vazhdimësi deri në Apokalipsë. Sa për digresion, po vë në spikamë atë përgjigjen plot diplomaci e racionalitet të kolosit tonë Gjergj Fishta dhënë konsulit anglez, i cili në një rast e pyeti: “Ç’është puna me juve shqiptarët? Jeni një komb shumë vital e inteligjent, por keni tre besime fetare!” Fishta zulmëmadh u përgjigj: “Kemi tre fe, por, zotërote, nuk kemi “Fe Shënbartollome”. Ju nëpërmes kësaj pseudo-feje keni prodhuar në histori proçeset më retrograde e më anticivilizuese, ndërkohë që tek ne nuk ka patur asnjë grimë hasmërie mes shqiptarëve besimesh të ndryshme dhe toleranca ndër-religjioze ka qenë dhe akoma është në nivelin më të lartë, për ç’gjë na ka zili bota”.
Më shumë se kurrë më parë sot ne duhet t’i thërrasim mendjes me atë porosinë e shenjtë të priftit zulmëmadh shqiptar, Anton Harapi – këtij martiri shqiptar, këtij “Apostulli të Bashkimit Kombëtar”, teksa u drejtohet zëshëm shqiptarëve: “Pa kontestim na jemi nji komb, nji shtet e nji popull me nji shpirt, me nji gjuhë e me nji histori…Por fakti asht ky, se na jemi pra muslimanë, ortodoksë e katolikë, e si të tillë duem të rrojmë në nji harmoni vëllaznore…Jo se kërkohet prej shqiptarëve kristianë e muslimanë të jenë Shenjtën a Pejgambera, por po deshëm të jemi komb e shtet, lypet me doemos të jemi në atë shkallë kulture njerëzore e fetare, sa mjafton të rrojmë shoqnisht e vëllaznisht…” (At Anton Harapi, “VLERË SHPIRTËRORE”, botues “Hylli i Dritës”, Tiranë, 1994). Njëkështu dhe porosia e Hafiz Ibrahim Dalliut, këtij burri të madh shqiptar: “Ne shqiptarët, të cilës do fe qofshim, jemi që të gjithë vëllezër të një gjaku dhe të një vatani. Do të shkojmë mbarë e mirë, ashtu sikundër jemi duke shkuar, si vëllai me të vëllanë e vet dhe do të punojmë si prore së bashku për lulëzimin e atdheut tonë dhe, po që e kërkon nevoja, do ta mbrojmë atë me gjakun tonë”.
Dhe kjo, njëherazi, është detyrë madhore kombëtare për të gjitha gjeneratat shqiptare nga Mulla Idrizi i Gjilanit, këtij heroi e dëshmori të kombit: “Kemi tri fe, por kemi një Atdhe të përbashkët, një gjak vëllazëror, një gjuhë, një diell dhe, mbi të gjitha, një Zot. Detyrë mbi detyrat kemi bashkimin dhe mbrojtjen e Atdheut… !”
Përse vë theksin në fjalën “sot më shumë se kurrë më parë duhet të jemi syçelë e vigjilentë?”. Kjo thjeshtë për arsye se kohët e fundit, siç e dini Ju shumë mirë, nga disa shqiptarë shpirtligë, fanatikë e fundamentalistë, qofshin ata nga radhët e myslimanëve, katolikëve apo ortodoksëve, kudo nëpër kuloare e nëpër media elektronike e të shkruara, madje edhe në rrjetet sociale, po përbalten e përdhosen si mos më keq simbolet e personalitetet tona historike, duke përshfaqur kështu sjellje e manire të një imperializmi të shëmtuar e të përçudshëm (pseudo)religjioz. Proçeset retrogade që krijon në shoqërinë tonë mendësia patologjike prej fundamentalisti religjioz, i kam shtjelluar hollësisht në veprën time “Fundamentalizmi islamik si fiksion dhe shqiptarët antifundamentalistë”.
Ndonjëherë në meditim e sipër për Zotin më shkon mendja tek ideja: PO TË KISH QENË VETË ZOTI “FUNDAMENTALIST” (!?) DO KISHTE VENDOSUR QË NË GLOBIN TONË TOKËSOR TË MBRETËROJË VETËM NJË RELIGJION, VETËM NJË RACË, VETËM NJË KULTURË, VETËM NJË QYTETËRIM …POR, FATBARDHËSISHT, ZOTI, I QOFSHIM FALË, NUK ËSHTË I TILLË! Këtë fjali e shënova me germa të mëdha që t’i hedhin më mirë një sy fundamentalistët miopë (shkurtpamës), në mënyrë që sa më parë të këndellen e ndërgjegjësohen nga mendësia e tyre e kalbur dhe infantile religjioze.
Në këtë kontekst, kam përcjellë me vëmendje edhe deklaratat Tuaja në shtypin shqiptar lidhur me tolerancën e mirëkuptimin ndër-religjioz shqiptar, si dhe lidhur me radikalizmin e ekstremizmin fetar dhe kam vënë re se Ju në mënyrë të shkëlqyeshme e profesionale i keni shtjelluar ato, duke vënë theksin në domosdoshmërinë e ruajtjes dhe kultivimit të tolerancës e harmonisë ndër-religjioze midis shqiptarëve. Ju lumtë për këtë si dhe për gjithë veprimtarinë tuaj të begatë që po e bëni në shërbim të atdhetarisë, kombit, religjionit dhe humanizmit njerëzor në përgjithësi. Zoti i Madhërishëm ju shpërbleftë!
Dorën në zemër, vëlla Don Gjergj, unë s’dij për të satën herë i kam tërhequr vërejtjen publikisht dhe krerëve të Bashkësive Fetare Islame në atdhe nga rreziqet që na kanosen me infiltrimin në radhët tona të grupimeve fundamentaliste myslimane, me infiltrimin në tokat tona të shoqatave të numërta kinse humanitare nga bota arabo-aziatike, por që aty-këtu kanë një program të sofistikuar indoktrinues fundamentalist, me synim të afganistanizimit a sirianizimit të shoqërisë sonë shqiptare. Paralelisht u kam tërhequr vërejtjen dhe vëllezërve të mi shqiptarë të besimit kristian nga rreziqet dhe manipulimet e sekteve të ndryshme religjioze, që janë me petk engjëllor kristiani, por që në thelb janë vetë djalli. Këtu, e them hapur, kam fjalën konkretisht për ato mësimet paradoksale të “dëshmitarëve të Jehovait” që ndër besimtarët propagojnë mosdhënjen e gjakut për t’iu ofruar ndihmë njerëzve të aksidentuar dhe atyre shëndetligë përgjithësisht (edhe njeriut në prag të vdekjes nuk i ofrojnë gjak për t’i ndihmuar); madje ato mesazhet e tyre që mëtonin t’i përçonin tek ushtarët e Ushtrive tona Çlirimtare Kombëtare për gjoja “mëkatin” e tyre të madh në përdorimin e armëve etj. Në fakt desha të nënvizoj se ne sot duhet të jemi më të zëshëm në këtë rrafsh.
Për më tepër, ne në këtë drejtim do vazhdojmë të bashkëpunojmë, për të sendërtuar ato dhjetë parimet e mirënjohura etiko-morale të Biblës dhe Kur’anit, veçan ato parimet e shenjta, që unë në mënyrë krahasimtare po i parafrazoj: “Mos vrit!” dhe “Duaja të mirën tjetrit siç ia don vetes!”
Në mënyrë që t’mos të zgjatem më tepër, për fund, do ua them dhe Juve atë që ia thash vëllait tonë At Nikolla Marku: Gjithnjë do vënë në spikamë atë faktin sublim se ne, pa dallim feje e besimi, nuk mund të dalim dot prej lëkurës sonë, nuk mund të devijojmë nga determinanca Hyjnore që na ka parapërcaktuar gjuhën, gjakun, kombin dhe atdheun tonë:
Të kam vëlla, e më ke vëlla. Zoti i Gjithëmëshirshëm na ndihmoftë! Zoti, i qofshim falë, e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët! Amin!
Ju përshëndes nga zemra dhe Ju dëshiroj shëndet e suksese të shumta në rrugën e Perëndisë e të Atdhetarisë. Veçanërisht Ju përgëzoj për postin që ushtroni aktualisht si Vikar Gjeneral i Ipeshkvisë së Kosovës me seli në Prishtinë.
Me respekt të thellë bashkëkombasi Juaj:
Zekerija Idrizi – Teolog
Berlin
Lini një Koment

Lini një koment

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.