Kalo te lënda

Teologu Zekerija Idrizi: Midis Stubllës së Epërme të Karadakut me famullitarin/priftin Don Jeton Thaqi

by më 24/06/2024

Pas vizitës së varrit të nënës sime (lindur në Debollde) në Kodërtrim të Kaçanikut dhe vizitave të familjarëve të mi të ngushtë në katundet e Karadakut e Anamoravës, në komunë të Vitisë, dje vendosa me zemër të vizitoj mikun tim të idealit shpirtëror e kombëtar, famullitarin Jeton Thaqi.

Jetoni ka kryer studimet në filozofi dhe teologji në Cremona të Italisë, magjistroi në Venedik, ku tashmë vazhdon studimet e doktoraturës në teologji. Ai është me origjinë nga komuna e Klinës, që tash plot një vit ushtron detyrën pastoriale të famullitarit, predikuesit e meshtarit në Kishën e Shën Jozefit, madje edhe në atë të Shën Gjergjit në Stubëll të Epërme.

Në të vërtetë, ka kohë që me Jetonin unë zhvilloj një letërkëmbim të ngjeshur teologjik dhe me interes të përgjithshëm kombëtar, si dhe ndjekim në mënyrë të ndërsjellë publikimet tona teologjiko-filozofike. Takimi ynë i djeshëm plot katër orësh m’është dukur sa katër minuta.

Në fakt, ne u morëm vesh paraprakisht të takoheshim në Viti, por ama kur më kumtoi ai se për momentin po bëhej gati të shkonte në kishë për të udhëhequr meshën liturgjore, unë sakaq mora një taxi dhe vajta drejt te ai në Stubëll për ta surprizuar.

Siç dimë, aty ku ka miqësi të dëlirë, të sinqertë, të perëndishme, pa interesa meskine të kësobotshme, pikërisht aty është vet Zoti…pikërisht aty ngjizet e kultivohet dashuria hyjnore.

Kur hyra në brendi të Kishës së Shën Jozefit, mesha veçmë kishte filluar. Dhe më parë në jetë timen kam vizituar jo rrallë herë kishat në Binçë e Letnicë, përçdoherë kur vizitoja dajtë e tezet në Debollde e katundet tjera të Vitisë, por ama këtë herë për herë të parë po vizitoja Stubllën historike.

Teksa po zhvillohej mesha, zura vend në një skaj dhe sakaq u zhyta në meditim e lutje bashkë me besimtarët e fshatit. Dorën në zemër, s’ka si mos të pushtohesh emocionalisht dhe nga një ekstazë e thellë spirituale teksa dëgjon predikimin, recitalet psalmiste dhe lutjet hyjnore në gjuhë shqipe. Momentum ky unikal religjioziteti sipëror. Çuditërisht, m’u përfytyrua sikur me ne në lutje ishin dhe të gjithë profetët, të shenjtit, të deleguarit dhe dashnorët e Perëndisë, mes tyre dhe Nëna Merjem (Shën Mëria) dhe i biri i saj fisnik Isai (Jezui); madje dhe gjithë besimtarët më famëmëdhenj shqiptarë të Kombit tonë, përkatës të të gjitha religjioneve e besimeve fetare…

Ndër shekuj të urtët kanë predikuar njohjen sa më të thellë, esencialisht, të ajkës dhe perlave doktrinore religjioze nga besimtarët, përkatës të religjioneve ibrahimike (abrahamike), në takimet dhe bisedat e tyre ndër-fetare. Sepse, të merremi vesh, nëse nuk njohim mirëfilli njëri-tjetrin, nëse nuk zhvillojmë dhe thellojmë dialogun, harmoninë dhe mirëkuptimin tonë ndër-fetar në mënyrë të themeltë, të sinqertë e me dashuri të mirëfilltë hyjnore e njerëzore, unë gjykoj, NUK MUND TË SENDËRTOHET NJË KOEGZISTENCË E MIRËFILLTË DHE NJË PAQE STABILE MIDIS KOMUNITETEVE, KULTURAVE DHE QYTETËRIMEVE NË GLOB….

Për të gjitha vizitat e mia të monumenteve historike, madje dhe për historikun e ngjarjeve dhe personaliteteve historike të Stubllës së Epërme, veçanërisht për historinë dhe kalvarin e MARTIRËVE HEROIKË TË KARADAKUT (1846) për të cilët më foli gjerësisht famullitari Jeton Thaqi, unë kam marr shënime, për të thelluar narracionin te dorëshkrimi im aktual “MONOLOG”… Dhe, për çudi, aty unë mora një frymëzim për një temë që nuk e kam shtjelluar deri tani në librat e mi.

Nuk pata kohë të vizitoj shumë miq të mi nga Shoqata e Shkrimtarëve të Vitisë, anëtar i së cilës jam, por, falë Perëndisë, arrita të vizitoj Stubllën e Epërme – këtë vend historik ku çdo vjet mbahen Takimet tradicionale letrare të Dom Mikel Tarabulluzit, në MUZEUN E SHKOLLËS SË PARË LEGALE SHQIPE NË KOSOVË (Nga kolegji i Shën Lukës, 1584, e deri tek shkolla e Dom Mikelit 1905)…

Në jetë timen kam zhvilluar diskutime e biseda të ngjeshura ndër-fetare teologjike me shumë priftër e teologë të të gjitha drejtimeve e doktrinave kishtare të krishtera, në atdhe dhe jashtë në mërgatë, por ama biseda e thellë për çështjet më substanciale teologjike nga rrafshi i studimeve krahasimtare bibliko-kuranore (krishtero-islame, madje dhe hebraike) me mikun tim, teologun Jeton Thaqi, është e paprecedent, sinqerisht…

Shenim, Dy fjale per Teologun Zekerija Idrizi: Është diplomuar në Teologji,  punon në Teologji, ka bërë studimet në  “Medreseja Isa Beu” në fshatin Kondovë afer Shkupit, ka studjuar në “Fakultet Islamskih Nauka u Sarajevu/ Faculty of Islamic Studies in Sarajevo”, Jeton në Berlin, është i martuar dhe ka fëmij.

Marre nga https://www.facebook.com/ZEKA1969

Lini një Koment

Lini një koment

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.