Kalo te lënda

Fitore Vata: “Jam rastësisht shqiptare”

by më 26/04/2016

Portret i Fitore Vatës, gruas që lufton konformizmin dhe klishetë në shoqërinë shqiptare

fitorja vata

Quhet Fitore Vata. Këtë grua mund ta përkufizoni si të doni vetëm se jo si njeri komod ose që ndjek rrjedhën të cilën e përcakton shija e shumicës. Madje Fiorja vihet qëllimisht kundër mendimit të etabluar, i urren kufizimet dhe i thyen konvencat e vendosura nga kushedi kush, e që ende veprojnë me inercion, (jo vetëm) në shoqërinë shqiptare.

Qëndrimi i saj i guximshëm kundër rrjedhës, ka rënë në sy në disa kolumne  të saj të botuara në mediet tona (edhe në albinfo.ch) dhe në rrjetet sociale. Aty, Fitore Vata vë në pikëpyetje vlera tashmë të standardizuara në diskursin tonë, si identifikimi ose mburrja me arritjet e bashkëkombësve dhe të ngjashme me këto. Me Fitoren mund të mos pajtohesh për shumëçka por nuk mund të mos ia respektosh guximin dhe konsekuencën që e cilëson në thyerjen e tabuve…

“Nuk identifikohem me asnjë nacion sepse nacioni është vetëm rastësi, ashtu siç është pamja e një njeriu. Për këtë arsye nuk mund të jem krenare që kam gjak shqiptari ashtu siç nuk mund të jem krenare se i kam flokët ngjyrë kafé apo lëkurën e bardhë”, thotë bashkëbiseduesja jonë jokonformiste.

Veç shkrimeve, Fitorja ka tashmë një bagazh jo të vogël edhe në aktrim, në moderim, shkrim poezish, recitim etj. Por, ndërkohë që këto aktivitete i ka braktisur, siç shpreson ajo, vetëm përkohësisht, gruaja e re nga Ferizaj i është përveshur rrugës së karrierës.

“Fillova “Kaufmännische Ausbildung” në një firmë dhe përfundova njëkohësisht me sukses maturën profesionale me drejtim ekonomik. Pastaj nisa të punoj si asistente në “human resources” (burime njerëzore) dhe pas një shkollimi në një shkollë të lartë si eksperte për burimet njerëzore, u diplomova si udhëheqëse në këtë drejtim. Sot jam menaxhere e “human resources” në një kompani të madhe ndërkombëtare të ushqimit. Së shpejti do të përfundoj masterin në Institutin e Psikologjisë në “ZHAW”, shpalos kështu Fitorja rrugën e saj të deritashme të karrierës.

Oferta amorale për role në filma

Por ajo nuk dëshiron të lë anash edhe studimin 3 vjeçar të aktrimit në studion e znj. Liri Lushi, para rreth 10 vitesh, ndërkohë që gjuha i shkon sërish aty tek i dhemb dhëmbi, te dashuria për aktrimin…

“Kam pasur oferta të ndryshme dhe ende kam, por asnjëra nuk më ka bindur deri më sot. Ky biznes është shume i vështirë. Nga regjisorët dhe producentët profesionistë kam pasur shumë oferta amorale. Përpara disa muajsh isha në një situatë jo të këndshme me një regjisor që më ftoi në një “casting”. Kjo më ka tronditur rëndë dhe këtu është aryeja kryesore që nuk jam më aktive në aktrim. Nga filmi i fundit që kam luajtur në vitin 2006 “Sonjas Rückkehr” të regjisorit të njohur zviceran Tobias Ineichen, nuk kam luajtur më në ndonjë film. Unë do të pranoja vetëm role ku mund të realizohem si aktore. Rolet komerciale nuk më pëlqejnë. Dua ato me karaktere të fortë dhe seriozë. Mundësitë janë të vogla dhe unë e kam pranuar këtë fakt. Kjo është arsyeja që kam vazhduar studimet për të ndërtuar në një shtyllë tjetër profesionale. Ende shpresoj se një ditë do të më ofrohet “roli i jetës”, e përmbyll kaptinën e aktrimit, aktorja që ishte vlerësuar mjaft për suksesin në film e teatër…

Malli për kohën kur të gjithë ishim solidarë

… Për t`u kthyer sërish natyrshëm te karakteri i saj i veçantë dhe te refuzimi i vetëdishëm i “Mainstream”-it shoqëror e mendimor. Duke hedhur poshtë klishetë që e përcaktojnë jetën shoqërore ndër shqiptarët, ajo thotë se kjo nuk e pengon të dojë faktin që i takon një kombi të caktuar, atij shqiptar, edhe pse përkatësia, siç e thotë, është një rastësi. “Unë e dua faktin që jam shqiptare dhe mundohem të marr më të mirën nga kjo rastësi. Jam rritur deri në vitin 1995 në Kosovë dhe mentaliteti para luftës më ka mësuar duke më mishëruar shumë gjëra. Ishim të afërt me njëri tjetrin, ndanim të gjithë një ëndërr. Ne jetonim në një tolerancë fetare si rrallë diku në botë. Vetë fakti që në qytetin ku u rrita, xhamia dhe kisha ortodokse ndanin të njëjtin oborr dhe fakti që unë vizitoja herë xhaminë me Ibrahimin e herë kishën katolike me Ana-Marinë, bëri që në trurin tim të mos kishte kurrë vend për paragjykime fetare si dhe për ekstremizëm”, zhvillon më tej Fitorja qëndrimin e saj ndaj kombit dhe fesë.

Konfliktet lindin nga mungesa e dashurisë dhe zgjidhen me dashuri

Fitorja reflekton edhe lidhur me shoqërinë shqiptare në mërgim, gjegjësisht në Zvicër. “Mendoj se secili nga ne ka për detyrë të vejë në pikëpyetje çdo traditë apo mentalitet në mënyrë kritike dhe reflektuese. Lufta mes gjeneratave në shoqërinë shqiptare mendoj se është problemi më i madh i kësaj shoqërie. Unë shpesh vëzhgoj këtë shfaqje: Rebelim i të rinjve ndaj mentalitetit shqiptar që nuk përputhet me kohën moderne. Pas një lufte të brendshme, fillon një tërheqje e ngadalshme dhe përulje në vizionet që kanë  prindërit. Pastaj, të jetuarit e një jete të imponuar dhe si rezultat i kësaj pakënaqësie personale, përsërit gabimet e njëjta edhe tek gjenerata tjetër. Mendoj se mënyra për të tejkaluar këtë luftë jo konstruktive që po mban peng shoqërinë në rrjetin e këtij mentaliteti është toleranca, empatia, reflektimi dhe gatishmëria për të ndryshuar. Tolerancë për horizontin e prindërve dhe empatia për frikën që ndjejnë ata për ndryshimin e fëmijëve. Në raste të shumta prindërit kanë të drejtë sepse eksperienca i bën ekspertë në shumë drejtime. Duhet që me më shumë respekt dhe dashuri t`i tregohet gjeneratës së vjetër kufiri i ndikimit në jetën e fëmijëve nga fëmijët vetë. Mendoj se shumë konflikte lindin nga dëshira për dashuri dhe zgjidhen me dashuri dhe mirëkuptim. Pra, me respekt ndaj gjeneratave të vjetra, secili të jetojë jetën siç e dëshiron. Vetëm në këtë mënyrë mendoj se do të arrinim progres dhe lumturi. Dashuria është kur e lë atë që e do, të largohet. Të jetojë në mënyrën që e bën atë të lumtur…!

Vizioni i së ardhmes

“Kohën e fituar pas përfundimit të masterit do ta investoj në shkrime filozofike, psikoanalitike dhe në poezi. Ëndrra ime është që të publikoj librin tim të parë me shkrime të mbledhura që nga mosha 17 vjeçare. Edhe gjermanisht, edhe shqip. Gjithashtu dua të vazhdoj leximin në mënyrë më intensive dhe të vazhdoj kurset për edukimin e fëmijës duke mësuar për zhvillimin psikologjik të fëmijëve që nga lindja e deri në moshen 25 vjeç. E gjitha kjo për të bërë më të mirën e mundur në edukimin e djalit tim”, thotë Fitore Vata.

– See more at: http://www.albinfo.ch/jam-rastesisht-shqiptare/#sthash.OnQ5PikF.dpuf

From → Opinion, Shoqnore

Lini një Koment

Lini një koment

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.