Kalo te lënda

Ditë e plotë e Zef Zorbës

by më 11/04/2016

Zef Zorba

01 Apr 2010 1
Botohet i përmirësuar i vetmi libër që shkroi në jetë poeti Zef Zorba. “Buzë të ngrira në gaz” i nxit komentuesit të flasin për raportin e një letërsie që u shkrua nën diktaturë, por refuzoi të flasë me lexuesin e asaj kohe. Krijimi i një kundërmodeli të realizmit socialist

Me dy gisht letër në dorë poeti Primo Shllaku tha se diskutimet mbi Zef Zorbën kanë të gjitha arsyet të nisin nga tekstet dhe vetëm nga tekstet që ai ka lënë pas. Ky kënd shikimi nuk përjashton llogaritë me kohën të këtyre tekste që u botuan më 1994 me titullin “Buzë të ngrira në gaz”. Madje, çështje gjuhe është edhe përcaktimi i statusit që Zorba ka pasur në botën letrare të asaj dhe kësaj kohe. Nisur nga shpjegimi i fjalës disidencë, Shllaku shton se jo vetëm ishte një poet që qëndroi mënjanë, po “hante dhe bukë veç”. Duke shkuar pas, e duke ndenjur në kohën tonë, disa që thonë se Zorbës i jemi borxhlinj ngaqë nuk e njohim sa duhet, e disa të tjerë duke pohuar të kundërtën, se poeti është pjesë e antologjive serioze dhe është përkthyer në gjuhë të tjera, u prezantua dje botimi i plotë i librit “Buzë të ngrira në gaz”. Botimet Princi sjellin një vepër të përmirësuar me ndonjë poemë a poezi më shumë, me foto e shënime dhe me një parathënie të shkrimtarit Ismail Kadare. Mbushet kështu ai boshllëk që kishte lënë humbja nga qarkullimi i botimit të parë më 1994. Botimi i fundit është bërë në kujdesit editorial të Myftar Gjanës me ndihmën e dy bijave të poetit Luçie e Elena Zorba. Krijimtarinë në fjalë Mark Marku e sheh si një model të kundërt me modelin që ishte mbizotërues në kohën kur Zorba, për një tridhjetëvjeçar, shkruante këto poezi. Marku kujton se referenca të një kundërmodeli me realizmin socialist ekzistonin ndërkohë në poezinë që shkruhej në Kosovë dhe që Martin Camaj shkruante në ekzil. Me këtë të fundit ai heq paralele përafrimi për shkak të burimeve të njëjta kulturore që ndikuan në poezinë e njërit dhe tjetrit. Këtu është fjala për “afinitetet estetike që Camaj dhe Zorba kanë ndaj poetëve italianë Montale e Ungareti. Të dy të ndikuar nga poezia moderne perëndimore, ata s’janë poetë imitues, por e përthyejnë shumë mirë kulturën që zotërojnë.” Dy hermetikë të kulluar që, më anë tjetër, natyrshëm e përthyen traditën vendëse, atë gege, në modernitet. Sipas Markut, Zorba është një dukuri që na tregon si do të ishte letërsia shqiptare pa anomalinë e realizmit socialist. Fakti që poezia e tij sapo ka nisur të zbulohet, kur kohë ka pasur sa duhet që për t’u integruar natyrshëm në letërsinë shqipe, është për Markun tregues se “ndërgjegjja jonë është e mbushur me krime”. Në një kuptim human vepra e Zorbës është një ekzil i brendshëm dhe një akt rezistence në heshtje. Në takimin e djeshëm në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, solli kujtimet e saj aktorja Tinka Kurti. Ajo e ka njohur nga afër poetin për dhuntitë e tij mbi teatrin. Kurti e quan të paharruar përvojën në njohjen e autorëve të nëndheshëm si Ibsen dhe Dostojevski. I lindur më 1920 në Kotorr në një familje tregtarësh shkodranë, Zef Zorba kreu liceun në Shkodër dhe më pas në Padovë studioi shkenca politike, pa mundur të diplomohet për shkak të luftës. Kthehet në Shkodër dhe në vitet 1945-’46 punon regjisor dhe vë në skenë disa vepra. Këtë kohë Tinka Kurti e solli dje nga kujtimet. Më 1946 arrestohet për agjitacion e propagandë bashkë me të shoqen Terezina dhe del nga burgu më 1951. Prej asaj kohe bën punë të detyrueshme dhe kur kthehet në shtëpi bën punët që do. Libri që kemi sot në duar është përgatitur prej tij në gjallje dhe u botua një vit pas vdekjes. Ai mbylli sytë në janar 1993. Elena Zorbën, vajzën e vogël të poetit e takuam dje. Ajo tregon ndër të tjera se çfarë ka mbetur në arkat e Zef Zorbës.

Zonja Elena, çfarë është plotësuar tek botim i ri?

Është një botim i plotësuar për faktin se brenda librit janë shtuar disa poezi të vogla dhe një baladë e cila është shkruar më 1975. Nuk e di arsyen pse baba nuk e kishte përfshrirë në atë kohë, në atë kopjen që e kishte lënë të gatshme, por u gjykua që ishte e mrekullueshme dhe u fut edhe ajo në këtë vëllim. Baba në fillimet e tij poezitë i ka shkruar në versionin gegërisht. Më vonë ime motër ka ndikuar tek ai poezitë të merrnin edhe nuanca të toskërishtes. Kështu që ky botim është edhe më afër letrarishtes.

Ju keni jetuar gjatë me këtë njeri, mund të thoni sa ka ndikuar mjedisi në krijimtarinë e Zef Zorbës?

Mund të them që kultura dhe genet janë shumë të rëndësishme në jetën e Zorbës. Ai ka qenë një ndër nipat e Kolë Idromenos, piktorit, skulptorit dhe arkitektit të njohur shkodran. Është rritur në një familje ku flitej shumë për artet dhe brenda tij kishte lindur që herët kjo dashuri për artin. E para dashuri e tij ka qenë për teatrin. E shohim djalë të ri kur merret me regjinë e disa dramave në vitet 45-’46 dhe pastaj më vonë i është drejtuar poezisë. Poezia është pjesa më e dhimbshme siç e trajtuan edhe lektorët këtu. Revoltën më të madhe një artist që e ndjen brenda vetes mungesën e lirisë, më mirë se në poezi nuk mundet ta shprehë kurrkund tjetër.

Si ka qenë një ditë e zakonshme e tija?

Më vjen keq që nuk mund të flisja për këtë pak më parë. Nëse ka një njeri të cilit i mungonte gjithmonë koha, ky ka qenë Zef Zorba. Ai kishte gjithmonë kohë pak. Sepse siç thotë diku edhe në një varg poezie: Unë kam shumë gjëra me ba, e kohë më ka mbet pak. Gjithë dita e tij ishte sistematikisht lloje të ndryshme punësh të cilat, kuptohet, ishin të lidhura me gjinitë e artit. Lexonte, përkthente, gdhendte në dru. Kemi gdhendjet e tij në dru, punime të mrekullueshme. Shihte televizor, pastaj mbasditet ishin bisedat me ne. Edhe kur kemi qenë të martuara kemi shkuar dhe kemi ndenjur tek kuzhina e tij dhe kemi mbaruar një universitet që na e kishin mohuar ta merrnim.

Çfarë ruani prej tij?

Shumë gjëra. Një dramë “Si nata me ditën” shkruar në vitet 62-’63 që është vënë në skenë në Teatrin “Migjeni”. Pastaj janë përkthimet. Është marrë 20 vjet me tri nobelistët italianë me poetë hermetikë, Ungareti, Montale, Quasimodo dhe duke qenë një njohës shumë i mirë i gjuhës italiane, ka mbaruar universitetin në Itali, ai i ka përkthyer. Këto do të botohen. Janë botuar tashmë përkthimet nga Benedeto Kroçe (pjesa e parë), Gadamer. Ai ka përkthyer krejt veprën e plotë të Thomas Eliot-it.

Si e përjetonte izolimin, mungesën e lirisë?

Siç e thashë edhe pak më parë, jashtë mureve të shtëpisë kishte terr dhe vite të mbushura me blozë. Brenda mureve të shtëpisë tonë, ne ishim krejt të lirë me njëri-tjetrin. Që e vogël e kam ditur që i përkas një familjeje që është ndryshe nga familjet e tjera që do të rrinte mënjanë. Ne e kemi ditur se në ç’kohë jetonim, prindët e mi kanë qenë të sinqertë nuk kanë bërë hipokritin.

Ka ndonjë poezi që e doni mbi të tjerat?

Është “A s’ma ndërtoni një shtëpi?” që për mua mbetet një ndër gjërat e mrekullueshme. Është edhe një gjë tjetër e cila lindi si një sekret midis meje edhe atij. Është poezia një gozhdë. Unë po tregoj thjesht se si ka lindur kjo poezi. Kam qenë e re, rreth 16 vjeç. Kisha dhimbje të fortë të një dhëmbi. Bashkë me babën shkuam në ambulancë. Në momentin që hymë atje, ishin të varur në mur anëtarë të byrosë politike dhe sapo e kishin hequr Beqir Ballukun dhe kishte mbetur një gozhdë pa foto. Unë e vërej dhe i tregoj gozhdën pa portret. Ai e pa dhe qeshi. Kur e ka shkruar poezinë vite më vonë, më ka thënë se këtë ma ke inspiruar ti: një gozhdë e varur në mur, e mbetur thatë, e mbetur tek.

Si e mori vdekja Zef Zorbën?

Brenda 24 orëve. Unë kam qenë aty e pranishme në vdekjen e tij. Mund të them se ai e ka ditur që po shuhej. Vdiq në spital në janarin e vitit 1993. Një vit më vonë kemi bërë botimin e veprës së tij.

Gazeta SHEKULLI: Elsa Demo | 01/04/2010 | 

From → Arti dhe kultura

Lini një Koment

Lini një koment

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.