Kalo te lënda

Jetë-shkrimi i SHUK (Pashko) GURAKUQIT

by më 08/07/2017

Shuk (Pashko) Gurakuqi, i biri i Ndrekë Gurakuqit dhe i Tinës e bija e Simës Zef Simonit) ka lindë në Shkodër me 28 mars 1888. Ka studiue në Shkollën e Jezuitëve në Kolegjën e Shën Françesk Saverit në Shkodër dhe ka krye mësimet në Institutin Teknik Tregtar të kësaj Kolegje, duke u diplomue në korrik të vitit 1906. Mësues i klasës së dytë fillore në Kolegjen e Shën Françesk Saverit për katër vite, d.m.th. prej vitit shkollor 1906-1907 e deri në vitin shkollor 1909-1910. Drejtor i firmës tregtare Lazzaro G. Simoni (të birt e Lacës Zef Simonit) në Shkodër, prej nëntorit 1910 e deri në fund të majit 1914. Arkëtar në Doganën Shkodër prej 6 qershorit 1914 deri më 26 qershor 1915.Vullnetar si rregullues i shpërndarjes së ushqimit të të varfërve pranë Bashkis Shkodër, për 6 muaj, prej marsit e deri në shtator 1916. Shef i Seksionit të Financave në Bashkinë e Shkodrës, prej 16 shtatorit 1916 deri më 9 korrik 1918. Anëtar i një komisioni të formuem në Shkodër për me kçyrë e me kontrollue zyrat qeveritare të qytetit nën kryesinë e Bajram Fejziut. Vullnetar në Luftën e Koplikut (gusht 1920). Anëtar në Këshillin Administrativ të Prefekturës së Shkodrës prej 20.03 1920 e deri në qershor të vitit 1921. Deputet i Prefekturës së Shkodres prej 5.1. 1921 e deri më 26.12 1923.
Mis i Kuvendit Kushtetues i Prefekturës së Shkodres prej 27.12 1923 e deri më 6.2.1925. Drejtor i fletores “Ora e Maleve” Shkodër, në vitet 1923/1924. Emigrant politik në Itali prej 24.12 1924 e deri më 28.10. 1938. Drejtor i firmës tregtare “Vllazen Prennushi” në Shkodër prej 1.1.1939 deri më 30.11 1941. Ministër i Financave në Tiranë, prej 03.12.1941 e deri më 19.01.1943 në qeverinë e Mustafa Krujës. I burgosun në Shkodër më 22.01 1945 dhe i dënuar prej Gjyqit Special në Tiranë mbas vendimit të dhanun me 13.04.1945 me burgim të përjetshëm. Me dekret datë 27.04.1949 dënimi i eshte zbritë prej burgimit të përjetshëm në 20 vjetë. Mbas disa zbritjeve të tjera ka përfitue edhe 2 vjetë, 8 muaj e 2 ditë. Ka qendrue në burg gjithsejt (nder burgje të ndryshme në Shkodër, Tiranë, Durrës e shumicën në Burrel) 17 vjetë, 3 muej e 28 ditë, prej 22.01.1945 deri më 20.05.1962.

Periudhën pas burgut 1962-1966 e kaloi në varfëri të plotë, së bashku me të vëllanë, Nushin, kunaten Liza Marubin, e motrat Suor Emelda e Pinen, pa asnjë të ardhun tjetër përveç punës së dorës (disenjime e qendisje) të grave të shtëpisë, shitjeve të antikiteteve të shtëpise paje, piktura etj. Gjatë kësaj periudhe izolimi të plotë, merrej veç me lexime e punime shkencore. Mbante shoqëri e marrëdhënie të plota me mikun e tij të vjetër Gjon Kamsin, që e vizitonte vazhdimisht, me kushërinjtë e tij qe gjindeshin ne Shkoder Simon Gurakuqi dhe familjaret e Lazer Gurakuqit, djalit të axhës së tij. Vdiq nga një sëmundje e shpejtë më 1966, në vorrimin e të cilit përveç rrethit të ngushtë familjar, ndonjë miku a shoku të ngushtë, pati shumë pak njerëz, nga frika e luftës së klasave që zhvillohej aso kohe. Gjithë jetën kje nji personalitet i dalluem, patriot i zjarrtë, demokrat i devotshëm, njeri me moral të naltë, i matun , i thjeshtë, i dashur e plot respekt ndaj kujtdo.

(Kjo biografi eshte dorezuar ne Ministrine e Financave ne vitin 2001, per dosjen e Ministrave te ketij dikasteri).

Lini një koment

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.